Sot nis botërori, stadiumi mitik Azteca përuron edicionin me 48 skuadra me Meksikë-Afrikë e Jugut

2026-06-11 11:24:20 / SPORT ALFA PRESS

Sot nis botërori, stadiumi mitik Azteca përuron edicionin me 48

Kjo e enjte është dita e madhe, dita kur pritjes i vjen fundi dhe Botërori ngre siparin e tij. Do të jetë stadiumi mitik Azteca në Meksiko, ai që do të ketë shansin që të nisë kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit botëror, diçka që impianti mitik meksikan e pret për të tretën herë pas edicioneve të 1970 dhe 1986, botërorët e Pele dhe Maradonës që janë tashmë histori e këtij kompeticioni.

Meksikë-Afrikë e Jugut do të hapë turneun që meksikanët e organizojnë së bashku me SHBA dhe Kanadanë si vende organizatore, por ajo që e bën speciale këtë natë është domëthënia që ka kjo sfidë për Kolosin e Santa Ursula që tani ka si emër komercial Estadio Banorte dhe që gjithnjë nga adhuruesit e futbollit është njohur me emrin Azteca.

Impianti nuk vjen në momentin më të mirë të tij dhe punimet janë në garë me kohën në mënyrë që të jetë gati sipas kritereve të FIFA, por që nuk janë plotësuar. Të shkosh deri në Coyocan ku është impianti është një odise më vete. Por organizmi i kryesuar nga Gianni Infantino e dinte që nuk mund të lihej mënjanë një vend kaq magjik në një botëror me Meksikën si vend organizator edhe pse në bashkëpunim me vende të tjera.

Në këtë impiant u zhvillua Meksikë-Bashkimi Sovjetik, ndeshja e parë e Botërorit përballë  107 160  spektatorëve. Më pas Azteca hapi edhe turneun e 1986, në atë kohë me sfidën Bullgari-Itali përballë 96 mijë tifozëve. Kanë kaluar respektivisht 56 dhe 40 vjet që nga këto momente dhe futbolli rikthehet në një prej tempujve më të shenjtë për t’i dhënë startin Botërorit

Pas rimodelimit dhe pavarësisht se FIFA në momentin e fundit vendosi të mos nxjerrë në shitje biletat më të lira, në sfidën mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut këtë të enjte do të ketë 87 mijë spektatorë, shumica meksikanë që do të jenë në mbështetje të skuadrës së tyre. ‘Tri’ siç quhet ndryshe skuadra e Meksikës, me Javier Aguirre në pankinë është përmirësuar, por askush në vend nuk beson shumë te një kombëtare që ka një tendencë të qartë për të zhgënjyer. Gilberto Mora dhe sulmuesi Memote Martinez janë shpresat e reja për të mposhtur Afrikën e Jugut me të cilën Meksika është përballur edhe në ndeshjen hapëse të botërorit 2010 një sfidë që është mbyllur në barazim.



Happening now...