Heroinë nga RMV-ja drejt Shqipërisë, arrestohen 2 persona në aksin Bulqizë-Librazhd

2026-06-11 13:01:35 / AKTUALITET ALFA PRESS

Heroinë nga RMV-ja drejt Shqipërisë, arrestohen 2 persona në

Strukturat hetimore të DVP Elbasan kanë finalizuar operacionin e koduar “Trajektorja”, duke goditur një rast të trafikimit të lëndës narkotike heroinë nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë.

Operacioni u zhvillua pas një hetimi të ndjekur me metoda speciale dhe nën mbikëqyrjen e Prokurorisë së Elbasanit. Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi 1 kilogram heroinë, një automjet tip “Fiat”, dy telefona celularë si dhe shuma parash në lekë, euro dhe denarë.

Sipas hetimeve, lënda narkotike ishte futur në territorin shqiptar përmes kufirit të gjelbër nga një shtetas i Maqedonisë së Veriut, ndërsa pritej të shpërndahej në Shqipëri nga një bashkëpunëtor i tij.

Automjeti me të cilin lëviznin të dy të dyshuarit u ndalua në aksin rrugor Bulqizë–Librazhd. Gjatë kontrollit të imtësishëm, efektivët gjetën një çantë shpine të fshehur në gomën e pasme të furgonit, ku ndodhej 1 kilogram heroinë.

Në pranga ranë L. G., 32 vjeç, banues në Strugë, dhe A. B., 45 vjeç, banues në Durrës. Sipas policisë, 32-vjeçari kishte siguruar dhe transportuar lëndën narkotike nga Maqedonia e Veriut, ndërsa 45-vjeçari e priste atë në Shqipëri me qëllim shitjen.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

“Strukturat hetimore të DVP Elbasan finalizuan operacionin e koduar “Trajektorja”, si rezultat i veprimeve hetimore të ndjekura me metoda speciale dhe të mbikëqyrura nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Goditet një rast i trafikimit të lëndës narkotike Heroinë, nga RMV-ja, në Shqipëri. Sekuestrohen 1 kg të kësaj lënde, shuma parash (në lekë, euro dhe dinarë), 2 celularë dhe furgoni, në gomën e pasme të të cilit, ishte fshehur çanta me lëndën narkotike.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Të arrestuar, shtetasi nga RMV-ja që kishte siguruar Heroinën dhe futur në Shqipëri, nëpërmjet kufirit të gjelbër, si dhe shtetasi që priti lëndën, në Shqipëri, me qëllim shitjen. Si rezultat i një hetimi me metoda speciale, të mbikëqyrur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të dy shtetasve që dyshohet se do të transportonin me automjet, lëndë narkotike Heroinë, të trafikuar nga RMV-ja, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, finalizuan operacionin e koduar “Trajektorja”.

Automjeti i dyshuar, me të cilin lëviznin shtetasi nga RMV-ja, L. G., dhe shtetasi A. B., u ndalua për kontrolle, në aksin rrugor “Bulqizë–Librazhd”. Nga kontrollet e imtësishme, u gjet në një çantë shpine, të fshehur në gomën e pasme të automjetit (furgon), 1 kg lëndë narkotike Heroinë, e cila dyshohet se ishte siguruar nga shtetasi L. G., në Maqedoni të Veriut. Nga hetimi dyshohet se lënda narkotike ishte trafikuar nga ky shtetas, nëpërmjet kufirit të gjelbër, në Shqipëri, ku e priste me qëllim shitjen, shtetasi A. B.. Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit L. G., 32 vjeç, banues në Strugë dhe A. B., 45 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, lënda e dyshuar narkotike, automjeti (furgon) tip “Fiat”, 2 celularë, si dhe 40 000 lekë, 50 euro dhe 290 denarë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Happening now...