A do të jetë PD në Parlamentin e ri? Boçi: Ka dy qëndrime brenda partisë!

6 Shtator 2025, 17:42 / POLITIKË ALFA PRESS

A do të jetë PD në Parlamentin e ri? Boçi: Ka dy

Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, foli sot për nisjen e sezonit të ri politik dhe sfidat e opozitës pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku PD humbi dhe ngriti pretendime për shkelje.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e qëndrimeve ndërkombëtare për klimën politike në vend, duke theksuar pritjen e raportit të OSBE/ODIHR, i cili ende nuk është publikuar. “Ka një qëndrim në distancë të SHBA-ve, që reflekton ndarje mes njohjes së rezultateve dhe veprimeve diplomatike ndaj qeverisë,” shtoi Boçi.

Një çështje kyçe mbetet vendimi i PD-së nëse do të hyjë apo jo në Parlament. Boçi sqaroi se forumet kryesore brenda partisë do të vendosin për këtë, duke shpjeguar dy linjat kryesore: njëra që mbështet pjesëmarrjen për të ekzekutuar besimin e votuesve, dhe tjetra që kërkon bojkotin duke argumentuar se zgjedhjet janë “të grabitura”.

Ai theksoi se mbledhja e Këshillit Kombëtar do të jetë vendimtare dhe do të zhvillohet së shpejti, duke u bazuar në situatën jashtëzakonshme të denoncimeve të ish-kryetarit Berisha dhe raportin e dorëzuar autoriteteve ndërkombëtare.

Boçi kujtoi edhe pasojat negative të djegies së mandateve nga opozita në të kaluarën, që sipas tij solli largimin e opozitës nga sistemi dhe humbjen e mbështetjes ndërkombëtare. “Një pajtim i plotë me Parlamentin do të ishte si një pranueshmëri e rezultatit zgjedhor, ndaj ne do të përcaktojmë një linjë të qartë në betejën tonë, pavarësisht nëse hyjmë apo jo në Parlament,” përfundoi nënkryetari i PD-së.

 

Po ndodh...

ide