Sekretari i Parë i PD

5 Dhjetor 2025, 10:33 / IDE NGA INDRIT VOKSHI

Sekretari i Parë i PD

Pata pyetur një themelues të PD nga grupi i ngushtë: Si ua mori ky Sali Berisha partinë ju? Pse ai kryetar e jo dikush prej jush? Ne ishim më të rinj, tha ai, nuk është se kishim shumë dijeni. Ai ishte mbi 10 vjet më i madh se secili prej nesh, hiq Neritanin. Ne dinim vetëm demokraci, liri e shprehjes etj. Ai e dinte se çfarë është partia, sepse kishte qenë sekretar partie. Ishte më radikal e ekstremist si tip. Ne merreshim kot, jo fjala e lirë, jo standardi demokratik, ndërsa ai bëri atë që duhej bërë; kapi partinë e përvetësoi, krijoi ushtrinë e fanatikëve.
Tani shihni "tablonë sinoptike demokratike".
Kur u vra Mehmet Shehu, shoku Enver mbajti një fjalim të gjatë të konsideruar tablo sinoptike. Ai nëpërmjet tablosë shpallte se cili do të ishte qëndrimi i komunistëve për të nesërmen e në vazhdim, pas vdekjes së Mehmet Shehut. Vendoste vijat e kuqe.
Shoku Enver i kujtoi partisë se Mehmet Shehu ishte ankuar tek ambasadori sovjetik Leviçkin në vitin 1954. Fjalim-tabloja u mbajt në vitin 1981 por kujtohej viti 1954 për të thënë se Mehmeti ka qenë armik qysh në vitin 1954, por partia e kishte toleruar deri në vitin 1981.
Me të njejtën makanizëm mendor arsyetimi, sot këtij Salianjit i kujtojnë shkopin e vitit 2022. E pranuan dhe e shpallën hero anti-regjim e të burgosur politik. Por sot me tablonë sinoptike të Sekretarit të Parë të PD nga oborri i parlamentit, demokratët marrin mesazhin se ai heroi i djeshëm të cilin Berisha e vizitoi në burg, sot është armik, ka qenë përherë mish i huaj, por e kemi duruar dhe pranuar në gjirin tonë. Jepet mesazhi se në parti ka një pronar, të gjithë të tjerët kanë statusin jabanxhinj, e mund t'i dëbosh kur të duash.
Pak vjet para fjalimit ku Enver Hoxha e quajti Mehmet Shehun terrorist e poliagjent, ai në nominimin e Mehmetit për kryeministër, e kishte përshkruar Mehmetin me fjalët "Bir i shquar i popullit dhe i partisë, udhëheqës i luftës nacional-çlirimtare kundër okupatorit nazi-fashist". Njëlloj si ky sot; në drekë të shpall hero, në darkë tradhëtar.
Shoku Enver në Tablonë Sinoptike deklaron gjithashtu se Mehmet Shehu gjatë gjithë atyre viteve, prej vitit 1954 deri në 1981, kishte jetuar me frikë se mos partia ia zbulon veprimtarinë agjenturore dhe lidhjet me armiqtë e partisë. Pra Mehmeti konsiderohej i infiltruar në parti.
Sot Sali Berisha ka akuzuar ata që u mblodhën në Durrës, duke thënë se ata e kanë frikë "analizën e zgjedhjeve", pasi përmes analizës, partia do të zbulojë se ata punuan për PS-në, për "armikun" Ani Durmishi dhe se bojkotuan betejën elektorale. Ata pra janë të infiltruar.
Aty në atë foltore, sipas Sekretarit të Parë të PD, ishin mbledhur armiqtë e demokracisë, ata të cilët kanë frikë përgjegjësinë dhe llogaridhënien para partisë! E njëlloj si Mehmet Shehu i cili kishte planifikuar vrasjen e Sekretarit të Parë me qëllim për të mos iu zbuluar veprimtaria e tij armiqësore e për të mos dhënë llogari, edhe ata të Durrësit, synojnë rrëzimin e Sali Berishës që ky i fundit të mos i marrë nën përgjegjësi nëpërmjet analizës së zgjedhjeve e nëpërmjet analizës, tua zbulojë e demaskojë veprimtarinë anti-parti.
Nga ana tjetër Ilir Alimehmeti quhet si mendjelehtë e naiv i cili ra në kurthin e Salianjit. Në metodologjinë komuniste të arsyetimit dhe të shpjegimit të ngjarjeve, nuk ekziston pasja të drejtë, nuk ekziston respekti për pretendimet e të tjerëve. Reformimi dhe pretendimet nga dikush tjetër, quhen armiqësi; pasi edhe pse udhëheqja mund të ketë gabime, është udhëheqja vetë ajo e cila e korigjon veten e saj, ska korigjim prej të tjerëve. Nuk jemi vende borgjeze ku për gabimet mbahet përgjegjësi dhe jepet dorëheqje.
Çdo pretendim quhet pjesë e një skenari armiqësor kundër Sekretarit të Parë; në skenar ka skenaristë, ka aktorë të skenarit, ka edhe naivë dhe të gënjyer të cilët kanë rënë në kurth. Alimehmeti deri tani është klasifikuar si naiv, që dmth ka hapsirë dhe mundësi për autoriktikë përpara partisë.
Në komunizmin enverist dukej sikur kishte rregulla por nuk kishte rregulla. E vërteta kishte vetëm një burim: Fjalimet e Enver Hoxhës.
Sot janë fjalimet e Sali Berishës ato të cilat përcaktojnë çfarë janë njerëzit, a janë armiq dhe të shitur apo janë naivë dhe të gënjyer.
Kjo është e natyrshme; Sali Berisha kur ka qenë anëtar dhe sekretar i Partisë së Punës, ka pasur si kryetar partie Enver Hoxhën, pastaj Ramiz Alinë. Sot ngjan sikur ka qenë gjithë jetën vetë kryetar partie, por jo, ka ekzistuar një kohë kur ai ka ka qenë anëtar dhe sekretar dhe pasur kryetarë Enverin dhe Ramizin. Dhe mesa duket është mbruajtur dhe formuar politikisht në partinë e parë ku ka aderuar; kini parasysh, testerën e PPSH e ka dorëzuar 47 vjeç.
Sali Berisha nuk ka arritur ta ri-edukojë veten politikisht. Ka qenë sekretar i partisë së Enverit, mirëpo njeriu ka kapacitet për ta ri-edukuar veten dhe për tu transformuar, duke përqafuar besime e principe të tjera politike. Sali Berisha paska mbetur i njejti dhe, tash në vitin 2025, zbaton kundër të tjerëve edukimin komunist që ka marrë në kohën kur ka pasur kryetar Enver Hoxhën.
Ka fund e krye, metodologjinë e arsyetimit si ish lideri i vet, Enver Hoxha.
E nisi duke përjashtuar Neritan Cekën që ishte i datëlindjes 1941, i përjashtoi të gjitha moshat, brezat e datëlindjet, tani do ta mbyllë duke shpallur armiq si Ervin Saliani, Ilir Alimehmeti, Hysen Kadiu, Ndrec Pjetri i FRPD. Pra ka shpallur armiq edhe ata që janë datëlindja 1990, e që si moshë mund të ishin nipat e tij.
Ka shpallur armiq e ka përjashtuar tre breza në parti, me ndihmën e ushtrisë së fanatikëve që ka rekrutuar qysh në vitin 1991. Rast unikal në Europë. Mirëpo nuk e ka bërë vetë. E ka bërë bashkë me anëtarësinë. Me bazën.

Po ndodh...

ide