“Ky është flamuri im”, shpërthen rrjeti pas thirrjes së Musk-ut për të shfuqizuar BE-në

7 Dhjetor 2025, 21:35 / BOTA ALFA PRESS

“Ky është flamuri im”, shpërthen rrjeti pas thirrjes

Një fushatë e re në rrjetin social X po përhapet me shpejtësi në mbrojtje të Bashkimit Europian, pas thirrjes së Elon Musk për “të shfuqizuar BE-në” dhe strategjisë së re të sigurisë kombëtare të presidentit Trump, e cila ka tronditur marrëdhëniet transatlantike.

Mijëra përdorues nga i gjithë kontinenti po postojnë flamurin blu me yjet e verdhë të BE-së, të shoqëruar me moton “This is my flag”, “Ky është flamuri im”. Ata theksojnë se flamuri simbolizon unitetin, lirinë, paqen, demokracinë, barazinë, diversitetin, shtetin e së drejtës, shkencën dhe forcën, duke e cilësuar si vlerat më të rëndësishme për të cilat ia vlen të luftosh.

Kujtojmë se Komisioni Europian e gjobiti Musk–un me 120 milionë euro për mungesë transparence, ndërsa ai reagoi duke kërkuar hapur “të fshihet BE-ja nga hartat”. Kjo ka nxitur reagime të forta në rrjet, ku shumë përdorues kanë shtuar mesazhe të drejtpërdrejta kundër tij.

Ndër të parët që iu bashkua fushatës ishte Jacques Attali, këshilltar i disa presidentëve francezë duke nisur nga Mitterrand te Macron, i cili shkroi: “Ky është flamuri i disa prej vendeve më të lira, paqësore dhe demokratike në botë. Është edhe flamuri im.”

Në X po qarkullon edhe një variant i flamurit europian me mbishkrimin latin “In varietate concordia” (në shumëllojshmëri, harmoni). Një vëzhgim i shpejtë nga La Repubblica, tregon se fushata ka marrë mijëra mbështetje nga e gjithë Europa, duke u shndërruar në një valë krenarie për BE-në.

 

Po ndodh...

ide