Tronditëse në SHBA: Një person vret 8 fëmijë. Autori ekzekutohet më pas nga policia

2026-04-19 20:30:46 / BOTA ALFA PRESS

Tronditëse në SHBA: Një person vret 8 fëmijë. Autori

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në shtetin e Louisiana-s në SHBA, ku një person i armatosur ka vrarë tetë fëmijë dhe ka plagosur disa të tjerë gjatë një serie sulmesh në disa banesa në qytetin Shreveport, njoftoi policia lokale.

Sipas autoriteteve, gjithsej 10 persona u qëlluan me armë, me viktima të moshës nga 1 deri në rreth 14 vjeç. Dy të rritur gjithashtu janë plagosur nga të shtënat.

Policia bëri të ditur se autori i sulmit u qëllua për vdekje më vonë nga forcat e rendit. Shefi i policisë së Shreveport-it, Wayne Smith, e përshkroi skenën si “diçka që nuk është parë kurrë më parë”.

Ngjarja ka ndodhur në tre lokacione të ndryshme dhe autoritetet e kanë cilësuar si një rast dhune brenda familjes. Sipas zëdhënësit të policisë, Chris Bordelon, disa nga fëmijët e vrarë dyshohet se ishin të afërm të autorit.

Hetimet paraprake tregojnë se konflikti ka nisur herët në mëngjes të së dielës, kur autori ka hapur zjarr, duke vepruar i vetëm. Më pas ai ka tentuar të largohej me një automjet të vjedhur, por është ndjekur dhe qëlluar nga policia.

Autoritetet në Louisiana kanë bërë thirrje që çdo person që disponon pamje, video apo informacione për ngjarjen t’i dorëzojë ato tek organet hetimore.

Shreveport është qyteti i tretë më i madh në shtetin e Louisiana-s dhe ndodhet pranë kufirit me Teksasin.

Happening now...

ideas