“Diçka e re po lind,” Enxhi Arapi dhe Regis Canarama: Festivali Ndërkombëtar i Filmit Studentor synon të vendosë Tiranën në hartën e filmit (VIDEO)

2026-04-19 19:31:25 / AKTUALITET ALFA PRESS

“Diçka e re po lind,” Enxhi Arapi dhe Regis Canarama:

Ndërsa kinematografia shqiptare përballet me sfida të vazhdueshme, sidomos në aspektin e financimit dhe ndërtimit të një tregu të qëndrueshëm, një nismë e re synon të krijojë një tjetër lloj ndërhyrjeje përmes ndërtimit gradual të një hapësire konkrete për brezin e ri.

Në episodin më të fundit të Apostrof Podcast, të ftuarit Enxhi Arapi dhe Regis Canarama, ndalen tek Festivali Ndërkombëtar i Filmit Studentor (ISFFT), një projekt që ka kërkuar më shumë se katër vite planifikim dhe që synon ta vendosë Tiranën në një rrjet më të gjerë ndërkombëtar të edukimit dhe industrisë filmike.

Përveçse një konkurrim mes filmave në kategori të ndryshme, ISFFT synon gjithashtu të funksionojë si një pikë takimi mes studentëve, pedagogëve dhe profesionistëve të industrisë, duke krijuar një lidhje që shpesh ka munguar mes arsimit dhe tregut real të filmit.

Interesi i lartë ndërkombëtar duket se e konfirmon këtë nevojë. Rreth 2400 aplikime nga vende të ndryshme të botës tregojnë jo vetëm përmasën e projektit, por edhe një lloj etjeje për platforma që nuk kufizohen vetëm tek shfaqja e filmave. Një nga elementët që i jep peshë këtij edicioni është edhe pjesëmarrja e emrave të njohur të industrisë, si skenaristi italian Umberto Contarello, i njohur për bashkëpunimin e tij me regjisorin Paolo Sorrentino në filma si La Grande Bellezza, fitues i çmimit Oscar, si dhe në seriale si The Young Pope dhe The New Pope.

Megjithatë, festivali zhvillohet në një moment që vetë industria globale e filmit po kalon një transformim të thellë. Teknologjia ka ulur ndjeshëm barrierat , duke u dhënë mundësi kineastëve të rinj të prodhojnë imazhe me cilësi të lartë me mjete relativisht të lira. Por kjo lehtësi ka nxjerrë në pah një tjetër problem: ndarjen mes formës dhe përmbajtjes. Përmirësimi i dukshëm në aspektin vizual nuk shoqërohet gjithmonë me një zhvillim të njëjtë në strukturën narrative apo në thellësinë e skenarit. Ritmi i shpejtë i prodhimit, i nxitur nga teknologjia, shpesh nuk i lë vend reflektimit dhe pjekurisë artistike që kërkon ndërtimi i një historie të fortë.

Pikërisht këtu synon të ndërhyjë ISFFT, duke krijuar një kulturë pune që i afron studentët me kërkesat reale të industrisë. Përmes workshop-eve dhe masterclass-eve me profesionistë ndërkombëtarë, festivali kërkon të vendosë standarde dhe të krijojë një përvojë që shkon përtej teorisë.

Nëse kjo nismë do të arrijë të prodhojë efektet e saj në kohë mbetet për t’u pare, por siç sugjeron edhe diskutimi në Apostrof Podcast, rëndësia e saj qëndron pikërisht në përpjekjen për të krijuar një strukturë aty ku deri më tani ka pasur më shumë përpjekje individuale dhe jo një ekosistem të mirëfilltë.

Happening now...

ideas