Zgjedhja e Klodian Brahos në krye të SPAK, Lala: Më shqetësoi niveli i pyetjeve të KLP-së

11 Dhjetor 2025, 21:29 / POLITIKË ALFA PRESS

Zgjedhja e Klodian Brahos në krye të SPAK, Lala: Më

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” ka folur për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, Klodian Braho.

Lala tha se mbeti e pakënaqur nga pyetjet që anëtarët e KLP-së i drejtuan kandidatëve.

“Gjëja e parë që më shqetësoi, niveli i pyetjeve të KLP-së. Zoti Stojani, prokurori ndër më jetëgjatët, sot nuk bëri asnjë pyetje.

Duke qenë ndër anëtarët më aktivë, kam patur pritshmëri, se do të bënin pyetje për thelbin, mënyra si kandidatët do të drejtonin SPAK, pyetje për problematikat që ka institucioni, që të mos lidhet me emrat, por të ushtrojë ndjekje penale i pandikuar dhe i pavarur.

Nuk dëgjova këto pyetje dhe me thënë të drejtën, disa prej anëtarëve kanë kapacitetin e nevojshëm dhe nuk kuptova pse qëndruan pasivë ditën e sotme.

Ajo që ndjemë, të katër kandidatët, në momentet e para ishin të tensionuar, kishin emocione, përballen pak me opinionin publik dhe nuk janë të mësuar me median. Prania e faktorëve ndërkombëtarë, aty ishin të gjithë përfaqësitë, edhe prania e tyre ishte dozë e shtuar.

Ndërkohë, çfarë kuptohej aty, pjesa më e madhe e anëtarëve të këshillit, nuk u përfshinë në diskutim.

Ky proces duhet të bëhej transparent dhe publik. Shpalosën platforma, dhanë idetë e tyre. Pati momente interesante, për mënyrën si shihnin në raport me presionin politik, ndikimet e mundshme”, tha Lala.

Lidhur me drejtuesin e ri të SPAK, Klodian Braho, Lala tha se ka një karrierë të gjatë dhe ka hetuar dosje të bujshme.

“Zoti Braho është i angazhuar me çështjet që lidhen me korrupsionin, prioritet i tij do të jetë lufta kundër korrupsionit.

Zoti Braho ka mbaruar me medalje shkollën e magjistraturës, ka drejtuar Prokurorinë e Beratit, Vlorës. Ka hetuar shpëtim Gjikën, disa çështje të pronave. Ka hetuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka drejtuar seksionin kundë korrupsionit. Në SPAK ka hetuar aferën 5D, nga ku derivoi çështja e Veliajt, ka patur Toyota Auris, një ndër testet kryesore për të, pasi bëhej fjalë për kolegët e tij. Ka një sërë çështjesh edhe të krimit të organizuar, por është i specializuar për hetimet e korrupsionit, ndryshe nga Xholi dhe Musabelliu, që janë të specializuar më shumë për krimin e organizuar”, deklaroi Lala.

Po ndodh...

ide