Protesta me karrige e Lapajt dhe Filozofi me Helmete!

10 Dhjetor 2025, 18:50 / IDE EDMOND XHINI

Protesta me karrige e Lapajt dhe Filozofi me Helmete!

Sot pashë protestën me karrige para Kryeministrisë.

Fjalë të mëdha, statuse të shumta, tituj të mëdhenj, foto nga sipër.

Poshtë, rresht karrigesh plastike. Revolucioni i ulur.

Shkolla e re e trimërisë civile, ulesh, pozicionohesh bukur për kamerë, pret dronin, lëshon një status, e quan këtë “qëndresë”.

Diogjeni flinte në fuçí, Lapaj rri në karrige plastike para Kryeministrisë.

Secili brez ka mobiljen e vet të preferuar.

Unë jam Edmondi i kantierit.

Ditën mbaj në krah tulla dhe pllakë, mbrëmjen marr në dorë tastierën e Facebook-ut.

Helmeta më rri në kokë, helmeta tjetër rri në mendje.

Nga lartësitë e skelës shoh mirë të dyja botët, betonin që mban peshën dhe plastikën që mban pozën.

Karrigia plastike i përket epokës së lodhjes së madhe e guximit të vogël.

Njerëzit janë të lodhur prej padrejtësive, çmimeve, oligarkëve, zhgënjimeve pa fund.

Guximi vjen i paketuar në format “event”.

Dy orë ulur, dy fjalë e rënda, dy statuse të gjata.
Foto me profil të fortë.
Mision i kryer.

Këtu hyn në skenë Lapaj, regjisori kryesor i liturgjisë së karriges.

Karrigia bëhet akt politik, skena merr formë teatri eksperimental.

Hannah Arendt fliste për “hapësirën publike” si vend ku njeriu rrezikon veten, emrin, reputacionin për të vërtetën.

Ne gjejmë hapësirën publike të shekullit tonë, trotuarin e Kryeministrisë me karrige të rreshtuara si në lokalin e lagjes.

Sokrati dilte në agorë, i rrethuar nga të rinj të uritur për të vërtetën.

Kierkegaard fliste për “hedhjen e besimit” nga skaji i humnerës së brendshme.

Camus e quante revoltën akt dinjiteti.

Lapaj vendos karrigen para derës së pushtetit dhe sjell me vete një termos me kafe.

Shpirti i revoltës merr shijen e një ekspresí të gjatë, pa sheqer, me shumë fotografë rrotull.

Kjo shfaqje kërkon një përgjigje.

Kështu që sot në këtë 10 dhjetor, ditën e pasrinisë, Filozofi me Helmete shpall protestën e vetë:

Protestë me shkallë, plumbçe dhe helmetë.

Unë, Edmond Xhindi, punëtor ndërtimi, dal para Presidencës me një shkallë të ndërtimit në kurriz, me helmetë në kokë, me plumbçe në dorë, si shenjë të vetme të drejtësisë që njohim në kantier.

Shkalla tregon se çdo ngritje kërkon rrezik. Plumbçja tregon se çdo drejtësi kërkon vijë vertikale që s’përkulet sipas interesit. Helmeta tregon se goditjet vijnë nga lart, jo nga komenti i radhës në Facebook.

Njerezit më thërrasin në mëndje:

“Edmond Xhindi të hëngërt tënja, dil edhe ti në protestë, bëhu filozof i vërtetë, lëre kantierin!”

Unë jam në protestë çdo ditë, thjesht pa kamera.

Kur sheh pagën që rrudhet, nuk shpall “live”.

Kur mban thasët në kurriz, s’vjen askush të të filmojë nga lart.

Kantieri është protestë e heshtur që rri pezull në çdo skelë pa leje, në çdo orar të zgjatur, në çdo punëtor që bën llogaritë në mendje para se të marrë bukën për fëmijët.

Lapaj shpall protestë me karrige.
Një karrige për çdo padrejtësi.
Një karrige për çdo premtim që mbeti status.
Një karrige për çdo dosje që ngec në korridore.

Spektakli duket heroik nga larg.
Nga afër vërehet se gjithçka është e menduar për kamerën.

Karrigia ofron foto të bukur, profil qendrestari, viktimë të rehatshme.

Njeriu i ulur nuk lëviz, qëndron i fokusuar, del mirë në kuadër.

Revolucioni i ulur fiton gjithmonë në Instagram Stories.

Tani imagjino një tjetër skenë.

Edmondi para Presidencës me shkallë.

Jo rresht i gjatë karrigesh, veç një shkallë e madhe ndërtimi, e mbështetur si pirg pranie të vërtetë.

Çdo shkallë simbolizon një hap që kërkon mund, rrezik, djersë.

Lartësitë që s’të falin lëshim gjuri poshtë.

Nga poshtë, komentuesit shohin:

“Edmond, zbrit, se bie!”

Nga lart, unë shoh të njëjtin popull që ulur para ekraneve, shikon protestën e karrigeve dhe thotë:

“Hajde djem, të gjithë të guximshëm, veç askush mos na prishë rehatinë.”

Lapaj luan kartën e “të mos ulurit”.

Në fakt gjithë loja qëndron te të ulurit.

Karrigia plastike është metafizika e komoditetit, s’do përgjakje shkalle, s’do skelë të lartë, s’do helmetë të vërtetë.

Mjafton zhurma.

Zhurma rrit ndjekësit, ndjekësit ushqejnë egon, egoja e merr formën e liderit.

Tocqueville do të shihte te kjo skenë një demokraci ku qytetarët preferojnë spektaklin ndaj përfshirjes.

Foucault do të shihte një trup të ulur që i nënshtrohet pushtetit duke e imituar.

Arendt do të tundte kokën para karriges së palëvizshme, me bindjen se politika kthehet në teatër sapo trupi harron rrezikun.

Në këtë pikë, Filozofi me Helmete kthehet në qendër të skenës.

Unë jam punëtor, më trajtojnë si “njeri të thjeshtë”.

Nga kjo thjeshtësi lind një e vërtetë që djeg më shumë se çdo fjalim:

Mediokriteti i dashuron protestat me karrige.

Karrigia i thotë turmës:

“Je i revoltuar, me shpirt të madh, e megjithatë ke të drejtë të mos lëvizësh shumë.”

E madhja e vërtetë vjen gjithnjë në këmbë, lodhet, rrëzohet, rimerret, paguan kosto.

E madhja prej plastike vjen me karrige, pale të lehta, shirit sigurie dhe dron sipër që sjell pamje heroike.

Për këtë arsye, protesta ime me shkallë, plumbçe dhe helmeta s’ka gjasa të marrë kaq shumë klikime.

Shkalla s’ka glamour.
Plumbçja s’ka filtër.

Helmeta e punëtorit nuk përkthehet lehtë në “story”.

Gjithsesi, të tre këto sende mbajnë, në heshtje, një filozofi më të rreptë se çdo fjalim.

Shkalla të kujton se lartësia kërkon rrezik.

Plumbçja të kujton se drejtësia që lakon vijën për interesa hallakate çdo mur, çdo sistem, çdo shtet.

Helmeta të kujton se në këtë botë diçka bie gjithmonë nga lart, e godet kokën e atij që rrallë del në ekran.

Lapaj rri ulur në karrige dhe flet në mikrofon.

Unë imagjinoj një ditë ku kryeqyteti sheh një tjetër protestë:

Një rresht të gjatë shkallësh, të sjella nga kantieret, nga fshatrat, nga qytetet.

Çdo shkallë mban emrin e një familjeje që s’ka më durim për fasada.

Diku mes tyre, një Edmond me helmetë në kokë dhe me një pankartë të thjeshtë:

“Fjalët pa sakrificë, karrige pa përgjegjësi, liderë pa kosto, të gjitha përfundojnë në koshin e historisë.”

Derisa të vijë ajo ditë, Filozofi me Helmete i vë syrin protestës me karrige dhe ia lë historisë këtë fjali:

Çdo brez zgjedh mjetin e vet të qëndresës.
Ka epoka me kryqe, me gurë, me libra, me zinxhirë.

Koha jonë krijoi karrigen plastike.

Revolucioni i ulur pret një lider që di të ngrihet më në fund në këmbë.

Edmond Xhindi

Filozofi me Helmetë

Po ndodh...

ide