"Klodian Braho hetoi Shpëtim Gjikën e Vlorës"- gazetari: Amerikanët blinduan sallën në KLP

Gazetari Armand Bajrami, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se në zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut, Klodian Braho, pati një prezencë të madhe të ndërkombëtarëve në sallë.
“Kërshëria publike ishte e madhe dhe gjithë procesi thuajse u përcoll në kohë reale, por ajo të paktën çka binte në sy në këtë mbledhje të ditës së sotme, ndryshe nga dy të mëparshmet, qoftë ajo e para gjashtë viteve e zotit Kraja, e përzgjedhjes së tij në drejtimin e SPAK, apo edhe para tre viteve zotit Dumani, ku ndonëse pati përfaqësues të misioneve ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri, ditën e sotme ishte e “blinduar” salla e seancave plenare në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, me përfaqësi diplomatike nga ato amerikane, të Bashkimit Europian, gjermane, italiane, holandeze. Ishin prezent gjatë gjithë zhvillimit të seancës, pra nga ora 9:00 e mëngjesit deri përtej orës 15:00, pra për gati 7 orë të zhvillimit të kësaj seance ditën e sotme në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, parashtrimit të të gjitha platformave nga katër kandidatët në garë edhe gjatë procesit të votimit dhe deri në përfundim të tij përfaqësia diplomatike ishte aty dhe gjithçka çka ndodhi ditën e sotme ndodhi nën sytë e ndërkombëtarëve, nën sytë e diplomacive më me peshë në vendin tonë”, tha Bajrami.
“E krahasova me dy zgjedhjet e mëhershme të dy paraardhësve të Klodian Brahos tashmë nën drejtimin e SPAK, pasi besoj se gjithkush e kujton të paktën atë të para tre viteve, kur ishte zonja Juri Kim, ambasadorja e kohës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, që mbërriti në Këshillin e Lartë të Prokurorisë vetëm në fazën kur do të votohej.
Më herët ishin vetëm disa përfaqësues të rangjeve më të ulëta diplomatike, kryesisht misioneve, ndërkohë që ditën e sotme ishte një përfaqësi e shtuar diplomatike dhe përfaqësi që qëndroi aty gjatë gjithë zhvillimit të mbledhjes”, shtoi gazetari i A2CNN.
Më tej, Armand Bajrami tregoi CV-në e kreut të ri të SPAK-ut, duke vendosur theksin te dosjet që ka pasur në duar.
“Zoti Braho është një prokuror karriere, prokuror që prej 18 vitesh është pjesë e sistemit të prokurorisë. Fillimisht, pas përfundimit të studimeve të magjistraturës, zoti Braho është emëruar dhe ka nisur shërbimin e tij si përfaqësues i shtetit në togën e zezë të prokurorit 18 vite më parë në Prokurorinë e Beratit. Më vonë ka kaluar në Prokurorinë e Vlorës, ku për një periudhë kohe ka qenë edhe zëvendësdrejtues i saj. Më pas është zhvendosur në Prokurorinë për Krimet e Rënda deri në përfundimin e funksionimit të asaj strukture dhe më pas është bërë pjesë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Prej 12 vitesh, Klodian Braho merret kryesisht me hetimin e korrupsionit dhe me ndërtimin dhe me krijimin e Strukturës së Posaçme me korrupsionin e zyrtarëve të lartë. Ashtu sikurse edhe vetë zoti Braho e parashtroi ditën e sotme para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, prej 12 vitesh ka qenë pjesë e hetimit të çështjeve të korrupsionit. Së fundmi, me funksionimin e SPAK, të zyrtarëve të lartë dhe firmën e tij mbajnë një sërë dosjesh para se të bëhej pjesë e strukturës së posaçme apo para se të bëhej pjesë e Prokurorisë për Krimet e Rënda, hetimi ndaj ish-kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, që mban firmën e tij, por njëkohësisht edhe hetime të mëvonshme më pas kur u bë pjesë e Krimeve të Rënda ndaj disa gjyqtarëve apo prokurorëve që u goditën si të përfshirë në korrupsion, do veçoja këtu dosjen Toyota Yaris me ish-drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka.
Njëkohësisht, dosja 5D, dosja e ish-drejtorëve të bashkisë së kryeqytetit, hetimet mbi inceneratorin e Elbasanit, një fraksion i së cilës çoi deri në caktimin e një mase sigurie, ndonëse ende të paekzekutuar, për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj. Dosja ndaj ish-prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla. Pra, të gjitha këto kanë qenë pjesë e hetimeve apo dosje që kanë qenë në duart e prokurorit Klodian Braho, që prej ditës së sotme, me vullnetin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, do të jetë pasuesi i Altin Dumanit në këtë detyrë për një mandat trevjeçar”, tha Armand Bajrami.
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
Kush është Lepuri i Surrelit?
Dy rrugët e gabuara të opozitës me Avokatin e Popullit
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
