Dy rrugët e gabuara të opozitës me Avokatin e Popullit

11 Dhjetor 2025, 12:44 / IDE NGA PATRIK SADIKAJ

Dy rrugët e gabuara të opozitës me Avokatin e Popullit

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit, por edhe gjatë ditëve të javës, deputetët e PD po orientojnë qëndrimin e grupit parlamentar se Endri Shabani, është kandidati i Edi Ramës.
Këta ose na dinë ne budallenj, ose janë kaq naivë sa mendojnë se ne do e hamë pazarin e tyre me Avokatin e Popullit.
Si mundet një parti politike të ofrojë këtë nivel kaq të ulët politik e të thotë përralla të tilla që nuk e lexon më asnjë fëmijë 7 vjeç.
Si mund të thoni se Endri Shabani është kandidati i Edi Ramës, apo Surrelit siç tha sot një deputet që bashkëpunimin me qeverinë e paska pasur prej vitesh nën rrogoz.
Në listën e firmëtarëve, nuk pashë ndonjë deputet të Partisë Socialiste. Pashë 35 deputetët të opozitës, madje emra me peshë në kupolën drejtuese të Partisë Demokratike. Pra, Shabani dhe 5 të tjerë, janë mbështetur nga Partia Demokratike e Shqipërisë për të kaluar deri më fazën finale të filtrimit.
Asnjë nga Partia Socialiste!
Absolutisht janë në të drejtën e tyre të tërheqin firmat, kjo gjë është e qartë. Njeriu mund të bëhet pishman e tërhiqet nga diçka, sidomos në politikë. Por ama, të na bëjnë për budallenj, këtë nuk kanë as të drejtë e as shans ta bëjnë.
Të thuash se nuk është mbështetur nga ne, por nga Rama, është justifikim i dobët. Firmat janë aty, sa vetë gafa e tyre e madhe. 35 deputetë, ose 70 përqind e grupit Parlamentar, janë shprehur në mbështetje të Endri Shabanit. E zeza mbi të bardhë.
Nëse e kanë firmosur se ua ka kërkuar Edi Rama, meqë është kandidati i tij, atëherë kjo është edhe më skandaloze. Nëse e pranojmë këtë, atëherë rezulton se deputetët e opozitës qenkan në shërbim të qeverisë.
Nëse Opozita e dinte se Endri apo ndonjë tjetër në atë listë, është i Edi Ramës, nëse nuk je në pazar, atëherë nuk ka asnjë shans ta firmosësh emrin e tij.
Pra, PD e dinte se Endri Shabani ishte i Edi Ramës dhe e votoi?!
Këtë se di ta them, ama, si një qytetar i thjeshtë, kam të drejtën e krejt botës ti them këtyre të "mençurve" të opozitës se për budallenj nuk na bëni dot. Ashtu si shumë gjëra të tjera, edhe Avokati i Popullit iu dhurua Edi Ramës. Tani ai e ka në dorë ta marrë a jo, ama ka në dorë tua lërë gjithë turpin në derë.

Po ndodh...

ide