“Berisha në burg!” dhe Berisha që kërkon të rrëmbejë protestën
Nga Ardi Stefa
Paradoksi, protestuesit thërrasin: "Berisha në burg!", Berisha thotë se ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për protestat.
Edhe sa akoma do ua fyejë inteligjencën shqiptarëve?
Nga njëra anë, në protesta dëgjohet qartë thirrja: “Rama në burg!", "Berisha në burg!”. Një thirrje që nuk lë vend për keqkuptime, sepse nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë, por kundër gjithë klasës së vjetër politike. Kundër atyre që shqiptarët i konsiderojnë pjesë të problemit dhe jo të zgjidhjes.
Protestuesit nuk po kërkojnë zëvendësimin e njërit me tjetrin. Ata po refuzojnë të gjithë modelin politik që ka dominuar Shqipërinë për më shumë se tre dekada.
Megjithatë, Sali Berisha deklaron se ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për këto protesta. Sikur protesta të jetë e tij. Sikur protestuesit të kenë dalë në shesh për ta rikthyer atë në qendër të skenës politike.
Në fakt, kjo është pikërisht arsyeja pse ka lindur revolta. Shumë prej protestuesve nuk duan as Ramën dhe as Berishën. Nuk kërkojnë rotacion të fytyrave të vjetra. Kërkojnë largimin e një modeli politik që prej më shumë se tre dekadash i ka mbajtur peng shqiptarët mes të njëjtëve protagonistë.
Prandaj, kur dëgjon Berishën, që as nuk guxon t'i qaset fizikisht protestës pyet veten: Edhe sa kohë do vazhdojë të na fyejë inteligjencën? Sa do të vazhdojë përpjekja e tij për t'u shitur shqiptarëve të zezën për të bardhë?
Kur një pjesë e protestuesve të thërret emrin tënd bashkë me atë të kundërshtarit politik dhe kërkon që të dy të përballeni me drejtësinë, si mund të pretendosh se po vepron në emër të tyre? Kur mesazhi i protestës është refuzimi i establishmentit politik, si mund të paraqitesh si sponsori i saj moral?
Paaftësia për të kuptuar se jo çdo protestë është në dispozicion të opozitës dhe jo çdo revoltë popullore është një trampolinë për rikthimin e figurave të konsumuara, mund të jetë karakteristikë e njerëzve që nuk marrin erë nga politika, por jo e Berishës, i cili duke u përpjekur ta paraqesë këtë revoltë si pronë të tij politike, fyen inteligjencën e shqiptarëve.
Shqiptarët mund të kenë shumë probleme, por nuk janë aq naivë sa të mos e dallojnë diferencën mes një proteste kundër sistemit dhe përpjekjes së sistemit për ta rrëmbyer atë.
Po ndodh...
Mikrofoni i protestës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128