Hyn në fuqi udhëzimi, si do të funksionojë kompensimi 10% për TVSH-në e fermerëve

Qeveria ka rishikuar në mënyrë të thelluar skemën e kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), duke sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e zbatimit, subjektet përfituese dhe procedurën e kompensimit. Ndryshimet ligjore janë detajuar edhe me Udhëzimin nr. 4, datë 30.1.2026, të nxjerrë nga Ministria e Financave dhe kanë hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.
Në fokus të këtij rishikimi është formalizimi i mëtejshëm i zinxhirit bujqësor dhe garantimi që kompensimi i TVSH-së për fermerët të realizohet drejtpërdrejt nga administrata tatimore, duke eliminuar rolin e ndërmjetësit financiar nga blerësi.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me përcaktimin më të qartë të blerësve të produkteve bujqësore. Sipas udhëzimit të ri, si blerës të ligjshëm konsiderohen vetëm personat e regjistruar për TVSH që ushtrojnë aktivitet si grumbullues, përpunues të produkteve bujqësore apo struktura agroturizmi të certifikuara sipas legjislacionit në fuqi për turizmin. Për herë të parë, agroturizmi i certifikuar përfshihet shprehimisht në skemë, duke zgjeruar rrethin e subjekteve që mund të blejnë produkte nga fermerët përfitues.
Udhëzimi rikonfirmon se fermeri përfiton nga skema e kompensimit vetëm nëse qarkullimi i tij vjetor nuk tejkalon pragun minimal të regjistrimit për TVSH. Ky qarkullim llogaritet mbi vlerën totale të shitjeve të faturuara ndaj blerësve të regjistruar për TVSH që nuk përfitojnë vetë nga skema e kompensimit.
Ndryshim thelbësor është edhe mënyra e faturimit. Për çdo furnizim të produkteve bujqësore, fatura tatimore fiskalizohet dhe lëshohet nga blerësi, në emër dhe për llogari të fermerit, me shënimin e detyrueshëm “Vetëfaturim sipas skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë”. Në këtë faturë nuk llogaritet TVSH, ndërsa evidentohet vlera e furnizimit mbi të cilën do të aplikohet norma e kompensimit.
Norma e kompensimit mbetet 10% dhe zbatohet mbi vlerën totale të faturave të lëshuara gjatë periudhës gjashtëmujore për të cilën fermeri paraqet kërkesë. Ndryshe nga skema e mëparshme, kompensimi nuk kryhet më nga blerësi përmes zbritjes së TVSH-së, por paguhet drejtpërdrejt nga administrata tatimore në llogarinë bankare të fermerit.
Kërkesat për kompensim do të dorëzohen dy herë në vit: deri më 31 dhjetor për furnizimet e periudhës janar–qershor dhe deri më 30 qershor të vitit pasardhës për furnizimet korrik–dhjetor. Administrata tatimore ka afat 30 ditë nga verifikimi i plotë i dokumentacionit për të kryer pagesën e kompensimit.
Paralelisht, udhëzimi shfuqizon disa nene të mëparshme që lidhnin të drejtën e zbritjes së TVSH-së me blerësin, duke e zhvendosur tërësisht barrën e verifikimit dhe pagesës te administrata tatimore. Kjo pritet të reduktojë konfliktet mes fermerëve dhe blerësve, si dhe të rrisë transparencën dhe gjurmueshmërinë fiskale të transaksioneve bujqësore.
Në thelb, ndryshimet synojnë ta bëjnë skemën e kompensimit më të qartë, më të kontrollueshme dhe më të drejtë për fermerët e vegjël, duke forcuar njëkohësisht disiplinën fiskale në sektorin bujqësor dhe atë të agroturizmit.
Po ndodh...
ide
Dosja Epstein: Pushteti pa dritë dhe elitat pa përgjegjësi
Ilir Meta, kjo çingie e Edi Ramës!
Si të qeverisësh vendin dhe të drejtosh opozitën... për veten!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

