Si të qeverisësh vendin dhe të drejtosh opozitën... për veten!

7 Shkurt 2026, 12:34 / IDE NGA BLENDI KAJSIU
Si të qeverisësh vendin dhe të drejtosh opozitën... për

Rama është thelbi i qeverisjes Rama. Nuk është imponimi i një vizioni apo ideologjie specifike në mënyrë diktatoriale. Ndryshe nga tirania, që sipas Aristotelit është korruptim i monarkisë dhe gjithashtu përkufizohet si qeversisje për interesin e ngushtë personal, qeverisja e Ramës nuk është dhe as ka nevojë të jetë tiranike për tu reduktuar tek vetja e tij.

Në këtë pikë lexuesi skeptik, dhe sidomos ai socialist, do më thotë se të gjithë politikanët, kush më shumë dhe kush më pak, qeverisin për veten. Erdogani në Turqi, Putini në Rusi apo Orban në Hungari, pa përmendur Berishën në Shqipëri, të gjithë janë pasuruar nëpërmjet pushtetit dhe e kanë personalizuar atë.

Nuk është rastësi që Rama shpesh krahasohet me këto personazhe sidomos nga zërat opozitar. Ndonëse krahasimi me Berishën është i saktë, pasi edhe ky ka ndërtuar një opozitë thjesht për veten dhe familjen e tij, krahasimi me Putinin, Orbanin apo Erdoganin nuk qëndron.

Në të gjitha rastet e mësipërme kemi një pushtet që nuk mund të reduktohet tek ego sepse ushtrohet edhe në funksion të një vizioni apo ideologjie specifike që është nacionalizmi konservator. Pikërisht kjo ideologji i ka lejuar atyre të krijojnë sisteme thellësisht autoritare ose tërësisht diktatoriale, si në rastin e Putinit.

Në rastin e Ramës pushteti nuk ushtrohet në funksion të asnjë ideologjie apo vizioni politik përtej vetvetes. Qeverisja, në çdo hallkë të saj, formatohet tërësisht sipas kontureve të egos dhe ambicieve politike të kryeministrit. 

E thënë thjesht është një qeverisje vetëm për vete. Llogjika e saj nuk duhet kërkuara në modelet politike ekzistuese, apo në teoritë politike perëndimore. Bëhet fjalë për një prodhim sui generis të traditës sonë politike ku pushteti publik privatizohet sipas llogjikës “pushteti është i imi dhe atë do ta ushtrojë unë me veten time”.

Për të konsoliduar qeverisjen për vete Rama fillimisht e riformatoi Partinë Socialisite në një zgjatim apolitik të vetvetes. Në Partinë Socialiste sot nuk ka as socializëm, as socialistë, as politikanë dhe as parti, siç kishte dje. 

Ka thjesht punonjës të marrdhënieve me publikun të zyrës së Edi Ramës. E gjithë PS-ja dhe tradita e saj e pasur politike është reduktuar tashmë në një zyrë elektorale dhe propagandistike për kryetarin. 

Për pasojë nuk ekziston qeverisja socialiste por thjesht qeveria e Edi Ramës. Në këtë pikë ia ka kalur edhe berishizmit që gjithësesi përpiqej të krijonte një këshill ministrash deri diku përfaqësues të shoqërisë dhe të diferencave të saj rajonale dhe fetare. 

Sot Këshilli Ministrave është një organ kolegjial që përfaqëson thjesht dhe vetëm një ego individuale. Ai nuk është përfaqësues i Partisë Socialiste, dhe aq më pak i shoqërisë shqiptare. Kjo e fundit nuk e ka idenë se kush është ministër drejtësie, arësimi apo rendi.

E njëjta gjë vlen edhe për shumicën parlamentare. Shumë më tepër se përfaqësuese e shoqërisë shqiptare, e Partisë Socialiste apo e socializmit si ideologji dhe fenomen social, shumica parlamentare socialiste është përfaqësuesja e kryeministrit në Parlament. 

Ashtu sikurse ministrat, edhe shumicën dërrmuese të deputetëve socialistë nuk i njeh njeri sepse ata janë aty për të përfaqësuar dhe zbatuar vullnetin e Ramës dhe jo të shoqërisë shqiptare apo grupimeve të ndryshme brenda saj. Rama ka ndërtuar një Parti Socialiste, një Qeveri dhe një shumicë parlamentare thjesht dhe vetëm për veten. 

E njëjta gjë vlen edhe për pushtetin vendor që teorikisht kontrollohet nga Partia Socialiste. Praktikisht, edhe pushteti vendor është një zgjatim i kryeministrit që i ka thithur të gjitha kompetencat e tij. 

Edi Rama është sot, de facto, kryetar bashkie në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë dhe në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë. Një pjesë e mirë e qytetarëve të Durrësit as nuk e dinë emrin e Kryetares, sepse ajo është thjesht një nënpunëse e Ramës.

Nuk është aspak çudi që një strukturë pushteti si kjo e Ramës, që nuk lejon asnjë përfaqësimi politik apo social përtej egos së tij, prodhon një qeverisje për veten dhe jo për qytetarin apo interesin publik. 

Askund nuk është më i qartë ky fenomen sesa tek vizioni me kulla që Rama i ka imponuar Tiranës. Është një vizion që bie ndesh si me interesin e qytetarëve ashtu edhe me atë të vetë ndërtuesve, apo edhe të oligarkëve. Kullat që po ndërtohen në Tiranë nuk kanë asnjë llogjike, sociale, ekonomike apo urbanistike. Ato janë thjesht produkt i egos së Ramës.

Le të fillojmë me llogjikën ekonomike, sepse mendoj se në këtë aspekt ka shumë keqkuptime. Në fakt edhe unë si shumë qytetarë të tjerë si pasojë e injorancës time mbi industrinë e ndërtimit mendoja se kullat i interesonin oligarkëve që Rama shpesh i financon me paratë publike. 

Pas bisedave me miq arkitektë dhe me biznesmenë të fushës kuptova se nuk është kështu, sepse në momentin që një ndërtim shkon mbi rreth 20 kate kosto e tij dyfishohet. Pa folur për kohën që kërkon një kullë me 40 apo 50 kate për tu përfunduar, që është shumë më e madhe se sa një pallat nën 20 kate. Vonesa është një goditje financiare e madhe për ndërtuesin që mbahet me shitjen e apartamenteve. 

Për të kuptuar këtë mjafton të shikosh zvarritjet dhe vonesat në përfundimin e kullave në Tiranë me vite, që nënkuptojnë kosto të rënda për vetë ndërtuesit. Ndaj këta nuk kanë asnjë interes ekonomik për ndërtimin e kullave sepse kosto e tyre është tejet e lartë.

Ndërkohë që është e vështire të gjesh llogjikën ekonomike të kaq shumë kullave të larta në një qytet të vogël si Tirana që nuk është një qendër financiare apo teknologjike globale ku do vendosen kompani të mëdha ndërkombëtare. Çka të bën të mendosh se kullat do shërbejnë kryesisht për pastrim parash apo spekulim me real estate, çka rrit artificialisht çmimin e metrit katror në Tiranë.

Për të gjitha këto arsye kullat nuk kanë asnjë llogjikë sociale sepse rrisin çmimin e metrit katror dhe në mënyrë direkte apo indirekte edhe çmimin e qirave. Janë ndërtime që e bëjnë akoma më të papërballueshme jetën në kryeqytet. Pra kullat përbëjnë një politikë ndërtimi që jo vetëm nuk është socialiste por është anti-sociale.

Jo vetëm perspektiva ekonomike dhe sociale, por edhe ajo urbanistike nuk e justifikon dot ndërtimin e kullave në Tiranë sepse ato prodhojnë dendësi të madhe në qendër dhe për pasojë kolaps në trafik dhe parkim. Aq më tepër në një qytet si Tirana që ende nuk ka zgjidhur problemin e transportit dhe parkimit publik, sepse kryemnistri e ka prioritet kullat dhe jo transportin publik. 

Natyrisht në këtë pikë lexuesi kritik me të drejtë mund të argumentojë se kullat e kanë bërë Tiranën moderne, tërheqëse dhe intrigante për turistët, çka padyshim është e vërtetë. Ama pyetja që shtrohet është, a nuk mund të bëhej Tirana moderne, intriguese dhe tërheqëse edhe pa kullat? 

Mendoj se përgjigja ndaj kësaj pyetje ndodhet po në Tiranë. Në fakt një nga pjesët më të bukura të saj është në fund të Rrugës së Kavajës, ku ekzistojnë komplekse urbane me pallate  rreth 10 katëshe, moderne, me hapësirë mes tyre që nuk të marrin frymën dhe as ta bllokojnë qiellin dhe natyrën. Janë pallate më të bukura dhe më të përballueshme sesa kullat e Ramës, edhe pse gjithësesi të shtrenjta.  

Besoj se kaq mjafton për të kuptuar se qeverisja e Ramës në kryeqytet është thjesht në funksion të vetvetes dhe jo të qytetarëve pasi nuk i përgjigjet asnjë nevoje sociale, urbanistike, ekonomike apo arkitekturore të Tiranës. Rama i ndëton kullat për qejfin e vet dhe jo për qytetarët, që si pasojë e tyre përballen me çmime më të larta dhe kanë humbur edhe ato pak lulishte ku mund të çlodheshin pa para. 

E njëjta gjë ndodh edhe në politikën tonë të jashtëme që shpesh shitet si nga arritjet më të mëdha të qeverisjes aktuale. Rama ia ka ngritur prestigjin Shqipërisë në botë, na thotë propaganda e tij. Ama po ta shikosh me kujdes politikën tonë të jashtëme e kupton se ajo është në funksion të prestigjit të Ramës dhe jo të  Shqipërisë. 

Flirtimet me Vuçiçin dhe nisma si Ballkani i Hapur që nuk u konsultuan me Kosovën, shërbyen që Rama të binte në sy në Evropë si një politikan i moderuar dhe i guximshëm që tejkalon ndarjet shekullore ballkanike. Ama efekti i kësaj politike, pavarësisht nëse fajin e kish Rama apo Kurti, ishte carja e madhe diplomatike mes nesh dhe Kosovës, çka nuk është aspak në interesin e Shqipërisë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për iniciativa të tjera të Ramës që e kanë bërë atë personazh ndërkombëtar por që nuk kanë prodhuar ndonjë përfitim të qartë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Marrëveshja me Melonin për hapjen e qendrës për emigrantët në Gjadër të Lezhës e bëri Ramën personazh ndërkombëtar duke e vendosur në qendër të debatit perëndimor mbi emigracionin. 

Ama ende nuk e kemi kuptuar se cili është përfitimi i Shqipërisë nga kjo marrëveshje. Ndaj të krijohet përshtypja se në politikën e jashtme është Shqipëria që ia ka rritur prestigjin Ramës dhe jo anasjelltas.

Aq më tepër kur mes interesit të Shqipërisë dhe prestigjit të tij personal Rama ka si busull këtë të fundit. Ndaj ai nuk hezitoi aspak të mbante një fjalim servil në Parlamentin e Izraelit thjesht për të marrë ca komplimente nga një regjim i udhëhequr prej një krimineli lufte si Netanjahu që ka kryer genocidin më të dokumentuar në historinë e njerëzimit.

Qeverisja aktuale buron, formësohet dhe frymëzohet  vetëm nga ego-ja dhe interesi  i tij personal, që kryeministri tashmë e ka njehsuar me interesin e Shqipërisë. Ndaj qeveria dhe propaganda e tij na thonë që duhet ti jemi shumë mirënjohës Ivankës dhe familjes Trump që po na e marrin falas ishullin e Sazanit, vetëm me ca qindra milion euro investime infrastrukturore që qeveria Rama do bëjë aty me paratë tona.  

Është ndoshta hera e parë në historinë e Shqipërisë që në pushtet nuk ndodhet një regjim, ideologji apo frymë politike, siç ishte Zogu me monarkinë e tij, Enver Hoxha  me stalinizmin, apo Sali Berisha me berishizmin, por një super-ego, horizonti politik i të cilës është ideali i vetvetes. 

Abraham Linkoln dikur e cilësonte demokracinë, me një llogjikë të pastër populiste, si qeverisje e popullit, prej popullit dhe për popullin. Demokracia shqiptare sot mund të cilësohet si e kundërta e këtij formulimi; qeverisje e Edi Ramës, prej Edit dhe për Edin./Lapsi.al, titulli origjinal, "Si të qeverisësh për veten"

Po ndodh...

ide