Pse gjyqtarja e Berishës&Metës, votoi pro Ramës?

Në Shqipëri nuk është më lajm që drejtësia është fushë beteje politike. Lajmi është kur maskat bien dhe pazari shfaqet hapur, pa asnjë përpjekje për ta fshehur. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku është një nga ato momente kur pyetjet peshojnë më shumë se vetë vendimi.
Katër gjyqtarë votuan kundër kërkesës së qeverisë: Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Gent Ibrahimi dhe Asim Vokshi. Katër të tjerë u rreshtuan pro interesit të Edi Ramës: Marjana Semini, Sandër Beci, Fjona Papajorgji dhe Sonila Bejtja.
Pikërisht këtu nis paradoksi.
Sonila Bejtja nuk është një emër që vjen nga ndonjë abstraksion institucional. Ajo vjen nga realpolitika shqiptare, dhe është fakt publik se hyrja e saj në Gjykatën Kushtetuese u bë falë Ilir Metës, me dakordësinë dhe influencën politike të Sali Berishës. Një produkt tipik i boshtit Meta–Berisha, në kohën kur ata kishin influencën e tyre politike për të emëruar në drejtësi.
Sot, e njëjta gjyqtare voton në linjë të plotë me interesin e qeverisë Rama, duke mbështetur mbajtjen në detyrë të zv/kryeministres më të fuqishme politike të mazhorancës. Me herët ka votuar edhe pro Erion Veliajt! Pyetja nuk është teknike. Pyetja është thelbësisht politike: pse kjo gjyqtare del kundër frymës së SPAK-ut dhe çfarë fshihet pas kësaj vote pro Ramës?
Në këtë pikë, vlen të kujtohet Hannah Arendt, e cila paralajmëronte se: “Pushteti nuk qëndron te e vërteta, por te marrëveshja mes atyre që e ushtrojnë atë.” Pikërisht kjo duket se po ndodh: jo një akt i izoluar gjyqësor, por një vendimmarrje që ushqehet nga ekuilibra të padukshëm politikë.
A kemi të bëjmë me një shkëputje morale nga ata që e emëruan? Apo me diçka shumë më shqiptare dhe më të errët: borxhe të vjetra, fatura të pashlyera dhe pazare të heshtura mes armiqve politikë publikë e ortakëve realë?
Belinda Balluku nuk është një figurë periferike. Ajo është pjesë e arkitekturës së pushtetit të Edi Ramës. Emri i saj, me influencat e njohura, shfaqet edhe në sfondin e vendimit të Apelit për vulën e Partisë Demokratike, vendim i cili i kaloi partinë nga Basha tek Sali Berisha . A mund të ishte një rastësi juridike? Apo një nyje ku interesat e Ramës, Berishës dhe Metës u kryqëzuan në heshtje?
Nëse Berisha rifitoi PD-në dhe Rama ruajti pushtetin e tij, atëherë kush humbi? Shqiptarët. Të vetmi që ende ushqehet me iluzionin se vendimet merren në interes të tyre dhe jo në funksion të ekuilibrave të pushtetit.
Në këtë kontekst, vota e Sonila Bejtjas nuk është një akt individual. Është një sinjal, një mesazh i qartë: përtej retorikës së luftës totale, elitat politike shqiptare dinë shumë mirë të merren vesh kur rreziku bëhet real dhe ky rrezik sot ka një emër: SPAK.
Në këtë kontekst të zhvillimeve politike, paralajmërimi i Alexis de Tocqueville bën më shumë sens se kurrë: “Kur ata që sundojnë kanë frikë nga përgjegjësia, ata nuk përplasen me njëri-tjetrin; ata merren vesh.”
Me pak fjalë frika nga drejtësia, pra llogaridhënia nuk prodhon përplasje, por aleanca të heshtura, nuk sjell konflikt, por kompromis të fshehët.
Pikërisht këtu merr kuptim vota e Sonila Bejtjas. Kur një gjyqtare e dalë nga duart e Berishës dhe Metës rreshtohet për të mbrojtur një nga shtyllat e pushtetit të Ramës, nuk kemi të bëjmë thjesht me një akt individual apo me një interpretim juridik. Kemi të bëjmë me një mekanizëm vetëmbrojtjeje të klasës politike, që, në momentin e rrezikut, zgjedh marrëveshjen në vend të përplasjes.
Prandaj pyetja nuk është nëse vendimi është formalisht i ligjshëm. Pyetja reale, ajo që Tocqueville do ta quante thelbësore për fatin e demokracisë, është kjo: kush i ka borxh kujt, dhe sa po i kushton ky borxh llogaridhënies dhe demokracisë shqiptare?
Po ndodh...
ide
Ilir Meta, kjo çingie e Edi Ramës!
Si të qeverisësh vendin dhe të drejtosh opozitën... për veten!
Pse gjyqtarja e Berishës&Metës, votoi pro Ramës?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128