Ranieri mbyll karrierën 38-vjeçare si trajner, largohet nga Cagliari dhe futbolli

21 Maj 2024, 23:24 / SPORT ALFA PRESS

Ranieri mbyll karrierën 38-vjeçare si trajner, largohet nga Cagliari
Një nga trajnerët më të mëdhenj italianë të dekadave të fundit, Claudio Ranieri  njoftoi të martën “pensionimin” e tij nga stoli, pas një karriere 38-vjeçare dhe qëndrimi në shumë skuadra.

Tekniku 72-vjeçar udhëhoqi Cagliarin për të qëndruar në Serinë A, duke përfunduar një “mision” që deri pak javë më parë dukej i pamundur dhe njoftoi se të enjten do të ulet në stolin e skuadrës për herën e fundit, duke udhëhequr skuadrën e Sardenjës në ndeshjen e fundit ndaj Fiorentinës.

Ranieri pati një periudhë të pasuksesshme në vitin 2014 në stolin e kombëtares greke dhe u largua si i dështuar, pasi humbi edhe nga Ishujt Faroe.

Por dy vjet më vonë, në vitin 2016, ai fitoi Premier League me Leicester, surprizën më të madhe të viteve të fundit në futbollin botëror. Ky titull është cilësuar si “mrekullia e Leicesterit”.

“Gjithmonë kam menduar se do të fitoj një titull herët a vonë. Të gjithë më hyjnizojnë, por dua t’ju kujtoj se jam i njëjti person që u shkarkova nga Greqia. Unë do të qëndroj në Leicester edhe nëse unë dhe presidenti e dinë se ky sezon nuk do të përsëritet. E vetmja gjë që mund të them është se të gjithë do të vazhdojmë të besojmë dhe të përpiqemi, jo vetëm në futboll, por në çdo aspekt të jetës”, tha italiani për eksperiencën e tij te Leicester

Ai ka drejtuar edhe Napolin, Fiorentinën, Valencian, Atlético Madridin, Chelsea, Parma, Juventus, Inter, Monaco, Roma, Sampdoria, ku ndër të tjera ka edhe një Kupë dhe një Superkupë të Italisë në vitin 1996 me Fiorentinën, por edhe një Kupë të Spanjës në 1999 dhe një Superkupë Evropiane në 2004 me Valencian.

Zanafilla e Claudio Ranierit si trajner
Futbolli për pak sa nuk e humbi Claudio Ranierin përpara se ai të niste karrierën e tij si trajner. Kur ishte pjesë e futbollit amator në jug të Italisë ai ishte 38 vjeç, dhe për pak sa nuk hoqi dorë i lodhur nga politika, shkarkimet dhe cinizmi i këtij profesioni.

Madje, ai nuk donte as që të bëhej trajner. Ai kishte luajtur në Serinë A te Katanzaro, pasi dështoi të shkëlqente me klubin e zemrës, Roma.

“Kur isha te Katanzaro, të gjithë shokët e mi, më të vjetrit, shkuan të ndiqnin kursin e parë të trajnerit dhe më kërkuan edhe mua të shkoja me ta. U thashë që jo, pasi nuk doja të bëhesha trajner. Mirëpo, pas 2-3 vitesh u mendova dhe thashë: ‘Përse jo?’.

Doja të mësoja nëse e kuptoja futbollin. Të gjithë që shohin futboll kujtojnë se e kuptojnë këtë lojë. Por ky është krejtësisht një tjetër profesion. I thashë vetes se, nëse nuk mbërrij në Serinë A brenda 5 viteve, do heq dorë”, tregon Ranieri.

Dhe e nisi nga fundi, në kuptimin gjeografik. Lamecia është një qytet me një klub amator në jug të Italisë, pranë lidhëseve të çizmes. Ranieri pati ndikim të menjëhershëm.

Skuadra u rendit e para dhe aty ai u përball me dozën e parë të cinizmit: “Isha në krye pa humbur asnjë ndeshje, por kishte diçka të çuditshme që nuk më pëlqente. Nuk dua t’ua them juve çfarë, kështu që vendosa të largohem”.

Një vit më pas shkoi në Serinë C te Puteolana, në periferi të Napolit.

“Viti i dytë nisi pak a shumë njëlloj. Mora një ekip të vogël pa lojtarë. Në një ndeshje nuk kisha as 11 lojtarë dhe startuam me 10. Por diçka e çuditshme ndodhi dhe më shkarkuan. Aty mendova se ky profesion nuk është për mua.

Më pëlqen të stërvis, por në futboll ka shumë politikë dhe politika nuk është për mua. Por ata shkarkuan edhe dy trajnerë pas meje, ndryshuan pronarët dhe ata më telefonuan që ta mbyllja unë sezonin.

Skuadra kishte rënë, por lojtarët kishin kërkuar: ‘Duam përsëri Ranierin’. Dhe nga ai moment telefonoi Cagliari nga Seria C, në B dhe në A. Ndodhi ajo që ndodhi dhe unë jam këtu sot”. deklaronte Ranieri në një intervistë për karrierën e tij disa vite më parë.

 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128