Briken Calja trondit sërish Europën me medalje ari, shkëlqen edhe Enkileda Carja!

22 Prill 2026, 23:01 / SPORT ALFA PRESS

Briken Calja trondit sërish Europën me medalje ari, shkëlqen edhe

Briken Calja nuk njeh moshë. 36-vjeçari vazhdon të mahnitë me performancën e tij, ndërsa ka shkruar një tjetër faqe të lavdishme në historinë e peshëngritjes shqiptare.

Shtangisti shtërmenas fitoi dy medalje në Kampionatin Europian që po mbahet në Batumi të Gjeorgjisë, një të artë në shtytje dhe një të argjendtë në dygarësh, duke ngjitur kështu flamurin kuqezi në podiumin e kompeticionit më të rëndësishëm kontinental të peshëngritjes.

KATEGORIA 79 KG – Calja i kishte dhënë sinjalet që në kampionatin kombëtar që u mbajt disa javë më parë, ku u shpall sportisti më i mirë, me një paraqitje që premtonte shumë për Europianin, dhe ashtu ndodhi.

Ai konkurroi në Baterinë A të peshave 79 kg, ndërsa e nisi mbarë duke kaluar me sukses provën e parë në stilin e shkëputjes me 153 kg. Por, më pas kampioni kuqezi nuk ia doli në dy tentativat e radhës me 157 kg, duke e filluar kështu Europianin me një vend të katërt në shkëputje.

Por, më e bukura do të vinte nga stili i shtytjes, edhe pse prova e parë ishte dështim me 185 kg. Calja e realizoi të njëjtën peshë në tentativën e dytë, ndërsa tronditi Europën në provën e tretë, duke ngritur me sukses 187 kg, për të merituar medaljen e arit.

Ndërkohë me 340 kg në total, Brikeni bëri të tijën edhe medaljen e argjendit në dygarësh, duke mbyllur kështu një Europian të jashtëzakonshëm, kompeticion që e ka parë rregullisht protagonist, madje edhe me tripletë të artë.

Medalja e artë në total dhe në shkëputje në peshat 79 kg shkoi për rusin Gevorg Serobian, i cili paraqitej me flamur neutral. Në kategorinë 79 kg konkurroi gjithashtu edhe një tjetër ikonë e shtangës shqiptare, Erkand Qerimaj, por pa mundur që të lërë shumë gjurmë.

Qerimaj u klasifikua në vendin e tetë në shkëputje me 152 kg, ndërsa nuk kaloi asnjë nga provat e shtytjes, për të mos u klasifikuar në dygarësh.

ENKILEDA CARJA – Për Shqipërinë u ngjit në pedanë edhe Enkileda Carja, e cila konsiderohet si e ardhmja e madhe e shtangës kuqezi.

18-vjeçarja nga Librazhdi, e cila të martën u dekorua me titullin “Ylli në Ngritje i Europës 2025” nga Federata Europiane e Peshëngritjes, tashmë po mat forcat me të rriturat, duke spikatur me paraqitjen e saj. Carja garoi në Baterinë B të peshave 69 kg, duke dhuruar rezultate shumë të mira dhe rekorde moshash.

Ajo u rendit e katërta në Europë në stilin e shkëputjes me 103 kg, ndërsa  në shtytje u rendit e shtata me 123 kg, duke e mbyllur edhe dygarëshin e shtata me 226 kg.

Por, duke parë moshën e re të shtangistes shqiptare, Carja fiksoi dy rekorde europiane për të reja, një në stilin e shkëputjes dhe një në totalin e dygarëshit. /Panorama Sport/

Po ndodh...