Trafikuan 60 kg kokainë, arrestohen dy shqiptarët në Itali, zbardhen ‘kodet’ për drogën

22 Prill 2026, 21:10 / AKTUALITET ALFA PRESS

Trafikuan 60 kg kokainë, arrestohen dy shqiptarët në Itali,

Një operacion i zhvilluar nga Guardia di Finanza dhe Komanda e Parmës ka çuar në arrestimin e tre personave të dyshuar për trafik droge, mes të cilëve dy janë shtetas shqiptarë.

Sipas autoriteteve italiane, të arrestuarit akuzohen për trafikimin e rreth 60 kilogramëve kokainë, me një vlerë tregu që kapërcen 4 milionë euro. Njëri prej tyre, shtetas italian, është vendosur në arrest shtëpiak, ndërsa dy shqiptarët janë dërguar në paraburgim. Ata përballen gjithashtu me akuza për pastrim parash.

Hetimet nisën një vit më parë nga Njësia e Policisë Ekonomike dhe Financiare në Parma, kur u sekuestruan 8.4 kg kokainë dhe 41 mijë euro cash, të fshehura në një fund të rremë të një automjeti që drejtohej nga një prej të dyshuarve shqiptarë.

Nga hetimet rezultoi se njëri prej shqiptarëve kishte rolin e korrierit, ndërsa përdorte një bashkëpunëtor italian për të shmangur kontrollet gjatë udhëtimeve në Italinë Veriore. Ata transportonin sasi të mëdha droge në rajone si Emilia-Romagna, Lombardia, Piemonte dhe Toskana.

Për të fshehur aktivitetin e tyre, të dy përdornin telefona të koduar dhe komunikonin me terma të maskuar, duke iu referuar drogës me fjalë si “proshutë”, “birrë”, “pulë” apo “bukë”. Gjithashtu, preferonin zona të izoluara ose rrugë pa dalje për të realizuar dorëzimet.

Autoritetet bëjnë me dije se korrierët kanë përfituar të paktën 51 mijë euro nga ky aktivitet, shumë e cila tashmë është sekuestruar. Ndërkohë, një tjetër shqiptar i përfshirë në skemë dyshohet se ka zhvilluar një rrjet të gjerë shpërndarjeje në Parma, me mbi 300 raste shitjeje të dokumentuara.

Në vijim të hetimeve, dy persona të tjerë shqiptarë janë nën hetim për pastrim parash, pasi dyshohet se kanë transferuar fitimet e paligjshme drejt palëve të treta ende të paidentifikuara.

Operacioni ka zbuluar një rrjet të mirëorganizuar kriminal, ndërsa vetëm sekuestrimi fillestar i drogës i ka shkaktuar tregut të paligjshëm një humbje prej mbi 580 mijë eurosh.

Po ndodh...