Rama e shpalli "non grata"/ Çfarë ndodhi në Kryeministri, e përjashtoi nga konferenca flet Ambrozia Meta: E pyeta për Ballukun, ai shpërtheu...
Një pyetje për standardin e dyfishtë të drejtësisë mes qytetarëve të zakonshëm dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ka shkaktuar një reagim të paprecedentë nga kryeministri Edi Rama, i cili ka përjashtuar nga konferenca për shtyp gazetaren e Syri TV, Ambrozia Meta.
Gazetarja e pyeti kryeministrin se përse retorika e tij ndëshkuese me burg për qytetarët nuk zbatohej në rastin e Ballukut, e cila është nën hetim nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera në 11 episode.
Në vend të një përgjigjeje, kryeministri kaloi në sulme personale ndaj gazetares dhe televizionit ku ajo punon. Përplasja verbale u përshkallëzua kur kryeministri urdhëroi personalisht gazetaren të largohej nga salla. Gjatë një interviste me gazetarin Arnold Kariqi në Syri tv, Meta, se pas daljes nga konferenca, kryeministri e ka përballur në korridor duke i komunikuar se ishte “përjashtuar përgjithmonë” nga konferencat e tij.
Ky incident shënon një tjetër episod tensioni mes kreut të qeverisë dhe medias, duke ngritur shqetësime serioze për lirinë e shtypit dhe gatishmërinë e pushtetit për t'u përballur me pyetje kritike.
Arnold Kariqi: Ndoqëm një insert ku zoti Rama fliste për burgun me mijëra herë i cili është drejtuar qytetarëve shqiptarë, ndërsa e kundërta ndodhi kur bëhet fjalë për zëvendëskryeministren, bashkëpunëtoren e tij Belinda Balluku. Ishte kjo pyetja e cila nervozoi kryeministrin Rama. Pyetja e bërë nga gazetarja Ambrozia Meta dhe ai zgjodhi sulmin e drejtpërdrejtë ndaj televizionit tonë, si dhe duke nxjerrë gazetaren Ambrozia Meta nga konferenca. Unë e kam pikërisht në studio Ambrozian. Çfarë ndodhi në këtë konferencë? Ne e dëgjuam, por kishte ca momente që nuk dëgjohej pasi ju mbyllën mikrofonin.
Ambrozia Meta: Në fakt, gjithë thelbi është ai insert që neve sapo pamë në këto momente, që lidhet me gjithë narrativën ose mënyrën se si kryeministri Edi Rama e ka ndërtuar pushtetin e tij dhe ka ndërtuar, si të thuash, ndëshkimin ndaj qytetarëve. Ne kemi parë, në fakt në vitin 2014 ka pasur edhe qytetarë të cilët në pamundësi për të paguar dritat dhe janë futur në burg dhe kanë vrarë madje edhe veten. Ndërkohë që ajo që shikojmë në rastin, dhe të gjitha episodet e tjera që ju i përmendët, ka qenë një refren i vazhdueshëm i kryeministrit, i cili gjithmonë është munduar që zgjidhjen ta gjejë te burgu. Ndërsa në rastin e Belinda Ballukut, ku janë shkelur të gjitha standartet, edhe ndoshta ato standartet që ishin sa për sy e faqe, që Edi Rama i kishte vendosur publikisht edhe në raport me drejtësinë, por edhe në raport me me këtë çështje, pikërisht tani kryeministri shqetësohet për numrin e lartë të paraburgimeve që neve kemi dhe madje për këtë çështje po bëhen edhe ndërhyrje në Gjykatën e Lartë.
Ka qenë kjo në fakt, gjithë kontrasti dhe arsyeja se pse unë e kam bërë pyetjen për të kuptuar që pse kryeministri është i ndjeshëm kur vjen puna për të bërë burg Belinda Balluku e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tendera në 11 episode, sepse Rama mundohet ta paraqesë sikur nuk ka akuzë për korrupsion, por zonja është duke u hetuar. Ka hetim pasuror ndaj saj dhe për sa kohë që këto shkelje të barazisë në tendera, SPAK ka dyshime që janë favorizuar biznesmenë, atëherë ne nuk e dimë se deri në çfarë pike do të shkojë hetimi dhe mbi të gjitha, një kryeministër i cili nuk e ka lexuar, pretendon se nuk i ka lexuar 16 mijë faqet që SPAK ka vendosur në dispozicion. Nga ana tjetër, bën këtë lloj sjellje dhe thotë që nuk jemi në kushtet kur Belinda Balluku duhet të shkojë në burg me rolin e gjykatësit dhe me rolin e prokurorit.
Dhe ky ka qenë kontrasti që unë jam munduar të bëj me pyetjen. Dhe më pas, arsyeja pse në fakt është përshkallëzuar situata ka qenë një tendencë e kryeministrit, për të cilën unë në fakt në të gjitha rastet që ai e ka bërë, i jam kundërpërgjigjur ose i kam kthyer përgjigje, që është tendenca për të përmendur drejtuesin e televizionit.
Arnold Kariqi: Çfarë i thatë atij Ambrozia, sepse nuk e dëgjuam dot, ju fikën mikrofonin disa herë.
Ambrozia Meta: Po. Në fakt në momentin që ka përmendur emrin e Çim Pekës me ironi ose siç e përdor gjithmonë me term fyes, unë i kam kërkuar që ta lërë jashtë drejtuesin e televizionit dhe të kthejë përgjigje për pyetjen. Më pas ai ka nisur një sulm sa i përket Syri-t, pra televizionit, duke pretenduar se ka një dosje për pastrim parash në prokurori, gjëra të tjera, për të cilat unë i kam thënë, ajo dosje për të cilën ju flisni, i keni kërkuar ish ministrit të Financave Arben Ahmetaj që ta hetojë dhe nuk ka gjetur gjë nga ai lloj hetimi.
Në këto momente Rama është acaruar akoma më shumë, ka vijuar le të themi përplasja dhe ka fokusuar gjithë sulmin tek televizioni dhe duke e referuar pikërisht këtë gjë. Në ato momente që ka nisur sërish të flasë për hetimin ndaj televizionit, unë i kam thënë që kjo është një çështje që duhet ta zgjidhë prokuroria. Në momentin kur ka nisur të flasë për paratë me të cilat mbahet televizioni, i kam kujtuar që ai është njeriu që ka shpallur investitor strategjik tre pronarët e mediave kombëtare, Vizion Plus, Top Channel edhe TV Klan, për të mos kaluar pastaj tek biznesmenët e tjerë të televizioneve që i dalin në dosjen Balluku që i ka favorizuar me tendera, dhe në momentin që ai është shprehur i shqetësuar për paratë me të cilat mbahet televizioni, unë i kam kujtuar paratë që qytetarët kanë humbur në tunelin e Llogarasë dhe i kam thënë, ju lutem meqë shqetësoheni, na thoni ku shkuan 50 milionë eurot e tunelit të Llogarasë. Kjo e ka acaruar pak më shumë situatën. Në këto momente kryeministri, siç ju e keni parë, ka ndërprerë konferencën për të kaluar në një pushim.
Në momentin që ka ndërprerë konferencën, ka dalë dhe më ka thënë që duhet të dalësh jashtë nga konferenca. Në momentin që unë kam shkuar për të dalë jashtë, për të mos e agravuar më shumë situatën, ka qenë një punonjës i gardës që nuk donte të më lejonte të dilja, sepse në ato momente Rama ishte duke kaluar në korridor. Dhe unë i kam kërkuar ta hap derën sepse për sa kohë që më kërkoi daljen nga konferenca, unë doja të largohesha. Dhe në këto momente ne jemi përballë sërish në korridor, ku kryeministri më ka thënë që je e përjashtuar përgjithmonë nga konferencat. Pra më ka nxjerrë jashtë. Pra kam marrë karton të kuq në kryeministri, nuk mund të hyj më në konferencat e tij. Nuk është hera e parë në fakt që kryeministri bën këtë gjë….
Ky ka qenë debati im i përhershëm me Ramën që tetë vjet dhe Rama e di shumë mirë që unë nuk e lejoj asnjëherë në momentin që unë bëj një pyetje për çështje të interesit publik, ta anashkalojë këtë gjë duke u munduar të sulmojë dhe duke kujtuar televizionin, drejtuesit e televizionit apo duke hyrë në sulme personale. Dhe kjo ka qenë pak a shumë gjithë kronologjia e sherrit edhe e situatës që u krijua në kryeministri.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128