Dyshohet për shpërdorim detyre dhe përkrahje të autorit në krim, AMP pezullon nga detyra një efektiv policie në Elbasan

13 Mars 2026, 14:42 / AKTUALITET ALFA PRESS

Dyshohet për shpërdorim detyre dhe përkrahje të autorit

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar vendimin e Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për caktimin e masave të sigurisë ndaj një punonjësi policie të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundraligjshme.

Sipas njoftimit zyrtar, gjykata ka vendosur masat me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuara nga nenet 233, 234 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale.

Masat janë vendosur ndaj inspektorit E.K., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan.

Sipas AMP-së, efektivi dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Përkrahje e autorit në krim”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 302 të Kodit Penal.

Caktimi i masave të sigurisë u bë në kuadër të një procedimi penal të regjistruar gjatë vitit 2025. Nga hetimet e kryera, përfshirë edhe përdorimin e metodave speciale hetimore, dyshohet se punonjësi i policisë ka shpërdoruar detyrën duke përkrahur persona me precedent penal në aktivitetin e tyre të kundraligjshëm.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të dyshuar kriminale, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.

Po ndodh...