Kurti: Mospajtimet me SHBA-në, gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj

11 Dhjetor 2025, 23:48 / KOSOVA ALFA PRESS

Kurti: Mospajtimet me SHBA-në, gjithmonë lidhur me Serbinë dhe

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të enjten se marrëdhëniet e vendit me Shtetet e Bashkuara janë shumë të mira dhe që mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.

“Kur Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga ne që t’i pranojmë refugjatët nga Afganistani menjëherë kemi thënë 'po', e kemi hequr taksën 10 për qind, po ashtu po i pranojmë edhe ata të cilët Shtetet e Bashkuara nuk i duan në territorin e tyre, nëse nuk gaboj një ose dy prej tyre tani janë këtu, kemi pranuar t’i pranojmë 50”, ka thënë Kurti në një intervistë dhënë televizionit lokal në Kosovë, Kanal 10.

Duke folur më tej për mospajtimet eventuale me SHBA-në, Kurti ka thënë se ka pasur raste kur Shtetet e Bashkuara kanë konsideruar që qëndrimi i tij karshi Serbisë ka qenë shumë rigoroz.

“Por, unë nuk mund të pres nga SHBA-ja që ta ketë qëndrimin për Serbinë si e ka Kosova. SHBA-ja e ka njohur Serbinë, e ka njohur edhe Kosovën, janë miq e aleatë tanë. Madje janë aleati i pazëvendësueshëm dhe partneri kyç i yni, janë edhe miku ynë special”.

I pyetur nëse do të mund të shmangej pezullimi i dialogut strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës, Kurti ka insistuar se marrëdhëniet mes dy palëve janë shumë të mira dhe janë të shtrira në tri dimensione: zhvillim, diplomaci dhe mbrojtje.

“Kurrë nuk kanë qenë, sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë, marrëdhëniet më të mira sesa tani me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kemi kulmin. Si shtet i pavarur e kemi kulmin sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë”, ka deklaruar ai.

Në shtator të këtij viti, SHBA-ja ka bërë të ditur se ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.

Dialogu ishte planifikuar për t'i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike, por veprimet Kurtit janë parë si sfida për përparim.

Disa analistë politikë patën komentuar atë kohë se pezullimi ishte paralajmërim se mbështetja ndërkombëtare për Kurtin dhe Qeverinë e tij po zbehet.

Gjatë viteve të fundit, Kurti ka qenë disa herë në shënjestër të kritikave nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të disa vendimeve në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - që lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe.

Kurti i ka justifikuar këto veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Por, bashkësia ndërkombëtare, në disa raste, i ka cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët.

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.

Marrëdhëniet me Serbinë

I pyetur për ngecjet në dialogun e nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve, Kurti ka thënë që kur s’ka dialog mes dy vendeve, jeta nuk pushon në Kosovë.

“Unë angazhohem aktivisht për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, kur ka pauza në këtë proces, jo për fajin tim, atëherë unë merrem me normalizim të shtetit të Kosovës”, ka thënë Kurti për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Ai nuk është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç prej sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.

Kurti e kërkon dorëzimin e Millan Radoiçiqit nga autoritetet serbe, i cili e ka marrë përgjegjësinë për orkestrim të sulmit në Banjskë. Autoritetet e Kosovës kanë ngritur aktakuzë ndaj tij.

Radoiçiç ka qenë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – në kohën e kryerjes së sulmit dhe tani besohet se strehohet në Serbi.

Përveç kësaj, Kurti ka përsëritur në intervistën e 11 dhjetorit se kërkon edhe tërheqjen e një letre të ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiç përmes së cilës ajo pati shprehur rezerva për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe për Aneksin e zbatimit të saj.

Kosova dhe Serbia patën arritur pajtueshmëri për këtë marrëveshje në shkurt të vitit 2023.

Disa zyrtarë të BE-së kanë thënë se Serbia e ka tërhequr letrën, por deklarata kundërthënëse në këtë drejtim ka pasur disa herë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet prej vitit 2011. Palët kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Përparimi në këtë proces është kyç për aspiratat e dy vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian./REL 

 

Po ndodh...

ide