Salianji i vendosur! Depoziton kandidaturën për kryetar të PD. Zbardhet platforma e tij

Ish-deputeti, Ervin Salianji duket se ka zyrtarizuar atë që paralajmëroi prej kohësh, kandidim për kreun e Partisë Demokratike. Salianji ka depozituar sot kandidaturën për kryetar të partisë më të madhe opozitare në vend, përballë Sali Berishës. Po ashtu ai ka hartuar dhe një platformë për drejtimin dhe bërjen e PD-së, fituese sipas tij.
LETRA E PLOTE
Partia Demokratike duhet t’i rikthehet vlerave të saj themeluese.
Ajo duhet të bëhet promotore e lirisë, promotore e cilësisë, promotore e përgjegjësisë, promotore e ndryshimit, promotore e shtetit të së drejtës, promotore e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe garante e Partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës..
Duke bërë këtë kapërcim cilësor ajo do të hapet, do të modernizohet,, do të fitojë.
Kjo është pritshmëria e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve që presin të bashkohen rreth saj: Partia Demokratike duhet sjellë rotacionin duke fituar kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme.
Ajo duhet të frymëzojë ndryshimin dhe të çoj mbi 800.000 votues në kutitë e votimit në mbështetje të saj dhe forcave opozitare.
Partia Demokratike duhet të shohë veten sërish si një parti masash dhe jo parti individi. Nëse kjo nuk ndodh ajo do tkurret, do zvogëlohet, dhe do rrezikojë të shuhet.
Demokratët, dhe veçanërisht përfaqësuesit e tyre që nuk reagojnë, i, kanë bërë llogaritë gabim me kohën dhe me ndërgjegjen. Fati i Partisë Demokratike është i lidhur ngushtë me fatin e Shqipërisë. Përgjegjësia historike do të peshojë si gur i rëndë në kurrizin e të gjithë atyre që do të heshtin apo shmangen.
Kjo platformë nis nga një bindje e qartë: Shqipëria nuk meriton të mbetet më në tranzicion. Shqipëria do të lërë pas tranzicionin ditën që ajo të nënshkruajë aktin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe ky akt duhet të firmoset nga Partia Demokratike.
Ky akt nuk do të firmoset as nga Edi Rama dhe as nga Sali Berisha.
Partia Demokratike duhet të lërë pas të shkuarën dhe të shohë drejt të ardhmes. Sali Berisha është lideri historik i Partisë Demokratike. Ai është udhëheqësi i ndryshimeve në vitin 1990, ai është udhëheqës i fitoreve të Partisë Demokratike dhe këto merita do t’i njihen përjetësisht.
Por koha e tij ka mbaruar. Ai sot ai është një barrë për Partinë Demokratike dhe të gjithë popullin opozitar. Por koha e tij ka tejkaluar. Ai sot është një barrë për Partinë Demokratike dhe të gjithë popullin opozitar. Ai sot është i vjeteruar, i vonuar, i izoluar nderkombetarisht dhe i pafuqishëm për të frymëzuar dhe për të mobilizuar per shkak te mosmbajtjes se premtimeve dhe konsumimit prej pushtetit te panderprere prej 36 vitesh.
Ai pengon bashkimin e shqiptarëve me PD në emër të rotacionit.
Ai pengon bashkimin e të gjithë forcave opozitare nën udhëheqjen e Partisë Demokratike.
Sali Berisha duhet të bëj një hap pas dhe të ndihmojë Partinë Demokratike të rimëkëmbet, ripërtërihet dhe të fitojë.
Vizioni i Partisë Demokratike për Shqipërinë duhet të jetë një vend që funksionon mbi standarde europiane, ku qytetari ndjen siguri, drejtësi dhe mundësi reale për të ndërtuar jetën e tij. Ku familja qëndron në qendër të çdo vendimarrje. Një Shqipëri normale, me një shtet të vogël e të përgjegjshëm që garanton e përkujdeset për shtetasit e tij.
Integrimi europian nuk duhet të trajtohet si slogan politik, por si një proces përmbajtësor dhe kulturor që prek çdo sektor, nga ekonomia, te drejtësia, administrata publike, tek të drejtat e njeriut dhe demokracia..
Partia Demokratike duhet të jetë fuqia që e çon vendin drejt këtij standardi, me përfaqësim cilësor, me politika konkrete, dhe me besueshmëri ndërkombëtare.
Për ta bërë këtë ajo duhet të ndryshojë.
Nga ndryshimi i Partisë Demokratike kalon kursi i ri i Shqipërisë.
Unë kësaj përgjegjësie nuk i shmangem. Kandidimi im është një vetëdije se gjithçka është thënë më lart është e vërtetë,, i bindur se ky vendim i vështirë, por i drejtë është rruga e vetme për ndryshimin e Partisë Demokratike dhe ardhjen saj në pushtet.
10 pika për një kontratë e re për Shqipërinë
“Rikthimi i Besimit – Fuqizimi i së Djathtës – Fitorja e Shqipërisë”
1. Mandati i Kryetarit të Partisë Demokratike
Partia Demokratike duhet të garantojë identitetin e saj si Parti Masash. Kryetari i Partisë Demokratike ka përgjegjësinë kryesore për rezultatin zgjedhor të Partisë Demokratike.
⚫ Kryetari i Partisë është kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike. ⚫ Në çdo rast kur ai vendos ta delegojë këtë përgjegjësi, ai duhet të marrë miratimin e organit më të lartë vendimarrës të Partisë Demokratike. • Kryetari i Partisë zgjidhet me parimin një anëtar – një votë një herë në 4 vite
⚫ Kryetari i Partisë nuk lejohet të ketë më shumë se 2 mandate. -Përjashtim nga ky rast është kur kryetari është Kryeministër.
Nëse Kryetari i Partisë humbet zgjedhjet duke qenë në detyrën e Kryeministrit atij i mbaron mandati menjëherë, pa të drejtë rikandidimi. – Kjo normë është e detyrueshme edhe nëse kryetari nuk e ka ushtruar mandatin e dytë.
2. Hapja e Partisë, përfaqësimi dhe listat e kandidatëve për deputet
Kriza e besimit ndaj politikës dhe në këtë rast Partisë Demokratike lidhet drejtpërdrejt me mungesën e transparencës në vendimarrje, me mungesën e përfaqësimit dhe mungesën e shanseve të barabarta.
Partia Demokratike duhet të shndërrohet në një organizatë politike moderne, ku vendimmarrja nuk është e centralizuar, por e shpërndarë dhe e konsultuar sipas përgjegjësive të drejtuesve dhe anëtarëve të saj.
Partia Demokratike duhet të bëhet magnet për ekspertët dhe profesionistët, duke ndërtuar një elitë politike që jo vetëm fiton zgjedhje, por bind se mund të qeverisë me kompetencë.
Hapja nuk është vetëm proces formal, por kulturë politike: përfshirje reale, debat i brendshëm dhe respekt për mendimin ndryshe.
Vetëm një parti e dyrve të hapura mund të rikthejë energjinë e humbur dhe të mobilizojë elektoratin. Partia Demokratike duhet të ruajë strukturën e vendimarrjes së saj nëpëmjet anëtarësisë, por për të fituar ajo duhet gjithashtu të garantojë kuotat e përfaqësimit për gruan, të rinjtë si dhe intelektualët apo personalitete me peshë në shoqëri.
Këta të fundit duhet të jenë përgjegjësi eskluzive e Kryetarit të Partisë i cili ka përgjegjësinë kryesore të rezultatit zgjedhor.
Listat e hapura 100%
Mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve.
⚫ 20% të listave shumëemërore kuotë eskluzive e kryetarit (Intelektualë, Shoqëri Civile, profesionistë, njerë me reputacion në zona zgjedhore) ⚫ 80% e listës shumëemërore e propozuar dhe e miratuar nga anëtarësia
Kuotat e përfaqësimit.
* 40% Femra
⚫ 30% e listës nën 35 vjeç
⚫ 10% të kandidatëve nga diaspora
Shënim: subjekt i kuotave janë 100% të listave shumëemërore
3. Përfaqësimi ideologjik si bosht i programit elektoral: vlerat dhe morali i së djathtës si nevojë historike për Shqipërinë
Identiteti politik i Partisë Demokratike duhet të jetë i qartë dhe i qëndrueshëm. Kjo nënkupton rikthim te vlerat e së djathtës tradicionale: mbrojtja e pronës private, ekonomia e tregut, roli i kufizuar i shtetit dhe respekti për traditën dhe familjen.
E djathta si ideologji përfaqëson besimin tek liria individuale dhe përgjegjësia. Ajo ndërtohet mbi bindjen se zhvillimi i qëndrueshëm vjen nga iniciativa private, puna e ndershme dhe konkurrenca e lirë, duke krijuar hapësira reale për sipërmarrjen, inovacionin dhe suksesin personal.
Partia Demokratike duhet të jetë promotore se saj, duke mbrojtur pa ekuivoke në diskurin e saj pubik pronën private, familjen si bërthamë të shoqërisë dhe identitetin kombëtar si vlerë që duhet ruajtur dhe forcuar.
Partia Demokratike duhet të jetë zëri që përfaqëson nevojën për rolin e kufizuar, por efektiv të shtetit në jetën e qytetarëve. Një shtet që garanton rendin, drejtësinë dhe shërbimet bazë, pa u bërë pengesë për energjinë krijuese të individit. Në programin e saj elektoral PD duhet t’i brendësojë këto parime, të integrojë lirinë nga nevoja si përgjegjësi shtetërore, duke i dhënë çdo qytetari mundësinë të ushtrojë përgjegjësitë e tij e kësisoj të ketë mundësinë të ndërtojë vetë të ardhmen e tij.
Mbi të gjitha Partia Demokratike duhet të artikulojë qartë se zgjidhjet e mëdha për Shqipërinë kalojnë nga mbështetja për familjen.
Garantimi strehimit nga shteti për çiftet e reja, mbështetja e lindshmërisë, statusi i veçantë për nënën me garanci të forta financiare janë totalisht në pajtueshmëri me moralin e së djathtës.
Duke bërë këtë ajo do përfaqësojë të djathtën historike, pronarët, sipërmarrësit, diasporën dhe të gjithë shqiptarët që sot në shumicë duan ndryshimim.
Vetëm duke qenë e qartë në identitetin e saj, Partia Demokratike mund të krijojë besim dhe të diferencohet në skenën politike.
4. Forumi i Gruas dhe FRPD: shtylla të suksesit elektoral të Partisë Demokratike
Forumi i gruas dhe FRPD janë dy shtylla të rëndësishme të suksesit elektoral të Partisë Demokratike.
Sipas të dhënave numerike rreth 220.000 të rinj nën 30 vjeç nuk e kanë ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e fundit. Forumi Rinor i Partisë Demokratike duhet të jetë struktura më e mbështetur e PD.
Të rinjtë përfaqësojnë potencialin më të madh të pashfrytëzuar.. Për shumë vite, ata janë trajtuar si mbështetje periferike, si fasada për takime dhe asnjëherë si aktorë vendimmarrës. Kjo platformë synon përfaqësimin e tyre dhe një ndryshim rrënjësor::
⚫të rinjtë do të përfaqësojnë peshën e mesazhit politik të Partisë Demokratike
⚫ të rinjtë do përfaqësojnë 30% të listave shumëemërore të Partisë Demokratike
⚫ të rinjtë nuk do lejohen të bëjnë fasadën e takimeve,
* Mandati i Kryetarit të FRPD do jetë 5 vjeçar pa të drejtë rikandidimi
Nëse situata për FRPD është problematike, në rastin e Forumit të Gruas është dramatike. Në zgjedhjet e fundit raporti i votueses femër mes Partisë Demokratike dhe Partinë Socialiste është 1 me 4. Pra vetëm 25% të femrave kanë votuar për koalicionin e drejtuar nga Partia Demokratike.
Rritja e kuotës së përfaqësimit në 40% duhet të shoqërohet me ndryshime drastike dhe mbështetjen e fuqishme për Forumin e Gruas. Aktualisht ky forum është jo përfaqësues dhe i padenjë për emrin e Partisë Demokratike.
Kjo platformë vendos si prioritet identifikimin dhe promovimin e vajzave dhe grave me integritet, profesionalizëm dhe peshë
5. Fuqizimi i degëve dhe decentralizimi i buxhetit të Partisë Demokratike Fuqizimi i degëve dhe decentralizimi i buxhetit përbëjnë një shtyllë thelbësore për rritjen elektorale të Partisë Demokratike.
Ky parim i bënë degët më funksionale dhe synon të shtojë vendimmarrjen dhe përgjegjësitë, duke u dhënë degëve lokale më shumë autonomi në identifikimin e prioriteteve, organizimin e aktiviteteve dhe ndërtimin e marrëdhënieve me komunitetin.
Një strukturë e tillë rrit përgjegjshmërinë, transparencën dhe efikasitetin, pasi çdo degë bëhet drejtpërdrejt përgjegjëse për rezultatet e saj.
Në thelb, ky model forcon demokracinë e brendshme të partisë, rrit pjesëmarrjen e anëtarësisë dhe e bën Partinë Demokratike më konkurruese dhe më të besueshme në sytë e qytetarëve
Pajtueshmëri mes mandatit të kryetarit të Degës me kandidaturën për deputet, Kryetar Bashkie apo çdo organ tjetër përfaqësues.
* Buxhetim i degëve lokale nga qendra bazuar në peshën e popullatës së përfaqësuar
* Autonomi financiare dhe organizative për strukturat lokale.
Buxhet transparent dhe i votuar nga anëtarësia.
6- Struktura e Partisë Demokratike: Meritë dhe përgjegjësi.
Vendosja e meritokracisë si standard dhe e përgjegjshmërisë si normë funksionimi e kthen Partinë Demokratike në një organizatë moderne, efikase dhe të denjë për të udhëhequr. Të gjithë duhet të bëjnë një hap pas në rast se rezultati zgjedhor nuk është ai i synuari dhe të gjithl duhet të shpërblehen nëse arrijnë rezultatin. Të gjitha këto duhet të reflektohen në Statut.
⚫ Tërheqje pa të drejtë kandidimi për çdo kryetar Dege, grupseksioni apo seksioni me rezultar më të dobët se zgjedhjet e mëparshme
⚫ Rimandatim automatik për çdo kryetar dege, grupseksioni, apo seksioni që arrin rezultat më të mirë se zgjedhjet e mëparshme
7- Modernizimi dhe struktura e komunikimit politik: nga partia e protestës tek partia qeverisëse.
Partia Demokratike duhet të kalojë nga një model komunikimi i ndërtuar mbi reagimin dhe protestën, në një arkitekturë moderne komunikimi që prodhon vizion, besim dhe zgjidhje konkrete për qytetarët. Protesta është mjet, por qeverisja është qëllim. Dhe për të arritur këtë, duhet të ndryshojmë mënyrën si flasim, si organizohemi dhe si ndërtojmë narrativën tonë politike.
Komunikimi ynë duhet të jetë i unifikuar, strategjik dhe i orientuar drejt rezultateve. Nuk mjafton të denoncojmë problemet duhet të artikulojmë alternativa të qarta, të matshme dhe të besueshme. Çdo zë i Partisë Demokratike, nga qendra në degë, duhet të flasë me të njëjtën gjuhë: gjuhën e programit, të përgjegjësisë dhe të qeverisjes. Kjo kërkon një strukturë të re komunikimi, të profesionalizuar, që ndërton mesazhe të qarta, përdor inteligjencën e të dhënave dhe angazhon qytetarët në kohë reale.
Happening now...
Sali Brava
ideas
top
Alfa recipes
TRENDING 
services
- POLICE129
- STREET POLICE126
- AMBULANCE112
- FIREFIGHTER128