Shpopullimi alarmant! Tkurret me 40% rinia në Shqipëri, papunësia e tyre në rritje

2026-02-09 12:20:55 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Shpopullimi alarmant! Tkurret me 40% rinia në Shqipëri, papunësia

Popullsia në grup-moshën 15-29 vjeç ka rënë me mbi 40 për qind ndërmjet 2019 dhe 2025, po ndërkohë të rinjtë e regjistruar si të papunë në të njëjtën periudhe kanë ardhur në rritje sipas krahasimit të të dhënave zyrtare nga INSTAT.

Numri i të rinjve të regjistruar si të papunë arriti në 15,717 persona në tremujorin e tretë të vitit 2025, nga 15,021 në të njëjtin tremujor të vitit 2019, ose 4,6% më shumë. Papunësia e qëndrueshme tek të rinjtë vjen në një kohë që popullsia në grup-moshën 15-29 vjeç e të rinjve ka pësuar një rënie të fortë, nga 681,548 persona në vitin 2019 në vetëm 405,832 në vitin 2025, me rënie 40.4%.

Të dhënat tregojnë se presioni i papunësisë mbi të rinjtë nuk është lehtësuar, pavarësisht se numri i tyre është zvogëluar ndjeshëm. Tkurrja e popullsisë së re, e nxitur kryesisht nga emigracioni dhe rënia e lindshmërisë, nuk është shoqëruar me një përmirësim proporcional të vendeve të punës për të rinjtë.

Fakti që numri absolut i të papunëve të rinj mbetet i ngjashëm sugjeron se ekonomia nuk ka qenë në gjendje të integrojë të rinjtë në tregun e punës edhe në kushtet e mungesës së fuqisë punëtore.

Edhe pse ka më pak të rinj në moshë pune, mundësitë për punësim cilësor dhe të qëndrueshëm nuk janë zgjeruar në të njëjtën masë, duke bërë që një pjesë e konsiderueshme e kësaj grup-moshe të mbetet jashtë tregut të punës.

Ekziston një mospërputhje e theksuar mes aftësive që ofron sistemi arsimor dhe kërkesave reale të tregut të punës. Shumë të rinj po dalin nga arsimi me profile që nuk përputhen me nevojat e ekonomisë, veçanërisht në sektorë ku kërkohen aftësi praktike, teknike ose digjitale, duke e bërë më të vështirë përthithjen e tyre edhe kur numri i përgjithshëm i të rinjve po bie.

Gjithashtu cilësia dhe struktura e vendeve të reja të punës nuk tërheqin të rinjtë. Rritja ekonomike e viteve të fundit është përqendruar kryesisht në sektorë me produktivitet të ulët ose me punësim sezonal, informal dhe me paga të ulëta, të cilat nuk janë tërheqëse ose të qëndrueshme për të rinjtë. Edhe kur krijohen vende pune, ato nuk përkthehen domosdoshmërisht në ulje të papunësisë së të rinjve, pasi një pjesë e tyre zgjedh të qëndrojë jashtë tregut formal ose të kërkojë mundësi jashtë vendit.

Emigrimi gjithashtu po ndikon negativisht. Po largohen kryesisht të rinjtë më të arsimuar ose më të aftë për t’u integruar shpejt në tregjet e huaja të punës, ndërsa në vend po mbetet një profil më i ekspozuar ndaj papunësisë afatgjatë. Për rrjedhojë papunësia tek të rinjtë nuk po reduktohet, edhe kur popullsia e përgjithshme e kësaj grup-moshe po tkurret me shpejtësi.

Praktikat, stazhi dhe programet aktive të punësimit janë të kufizuara, duke bërë që shumë të rinj të kalojnë periudha të gjata pa punë pas përfundimit të arsimit. Kjo vonesë në hyrjen në tregun e punës rrit rrezikun e papunësisë së qëndrueshme dhe dobëson lidhjen e tyre me punësimin formal. Sakaq, ndërmarrjet preferojnë punonjës me përvojë, për të minimizuar kostot dhe rreziqet./ Monitor

Happening now...

ideas