Epstein's close associate testifies before House committee! Maxwell: Will exercise right to remain silent

Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e Jeffrey Epstein dhe vajza e botuesit të njohur Robert Maxwell, e cila po vuan një dënim prej 20 vitesh burg, pritet të dëshmojë sot me dyer të mbyllura përpara një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së. Megjithatë, ajo ka paralajmëruar se do të përdorë të drejtën e heshtjes.
Seanca do të zhvillohet përmes videokonferencës dhe Ghislaine Maxwell do t’i drejtohet komisionit të Kongresit nga burgu ku ndodhet në Teksas. Dëshmia e saj përkon me valën globale të reagimeve të shkaktuara nga publikimi, më 30 janar, i një sasie masive dokumentesh lidhur me çështjen Epstein, të cilat ekspozojnë një numër të madh figurash publike.
Më shumë se tre milionë faqe dokumentesh të bëra publike nuk përmbajnë, në pjesën më të madhe, elementë të rinj që mund të çojnë në ndjekje penale shtesë.
Megjithatë, edhe pse përmendja e emrit të një personi nuk përbën automatikisht vepër penale apo shkelje morale, shumë individë druhen nga pasojat e zbulimeve mbi marrëdhëniet e tyre të mëparshme me financierin e dënuar për krime seksuale.
Kryetari i Komisionit të Hetimeve të Dhomës së Përfaqësuesve, republikani James Comer, njoftoi më 21 janar mbajtjen e seancës dëgjimore me Ghislaine Maxwell, 64 vjeçe, e cila ishte pritur prej muajsh.
Avokatët e saj kishin kërkuar nga Kongresi imunitet penal në këmbim të dëshmisë së saj.
Meqenëse Kongresi nuk e pranoi këtë kërkesë, mbrojtja ligjore e Maxwell paralajmëroi se ajo do të thirret në të drejtën për të heshtur, për të mos vetëinkriminuar veten, një e drejtë e garantuar nga Amendamenti i Pestë i Kushtetutës amerikane.
Për rrjedhojë, kjo seancë “nuk ka asnjë qëllim tjetër përveçse teatër politik të pastër dhe shpërdorim të parave të taksapaguesve. Komisioni nuk do të sigurojë as dëshmi, as përgjigje dhe as fakte të reja”, kanë deklaruar avokatët e Ghislaine Maxwell.
Deputeti demokrat Ro Khanna publikoi në faqen e tij zyrtare një letër me shtatë pyetje që ai synon t’ia drejtojë Maxwell-it, edhe nëse ajo refuzon të përgjigjet.
“Ju ose zoti Epstein, a keni organizuar, lehtësuar apo lejuar që presidenti Trump të ketë akses te të mitura?”, është një nga pyetjet. Një tjetër lidhet me bashkëpunëtorë të mundshëm të Epstein-it: “Pse mendoni se ata nuk janë ndjekur penalisht?”
Deputeti synon gjithashtu të pyesë se cilat janë “qeveritë e huaja apo shërbimet e inteligjencës, përfshirë ato të lidhura me Rusinë dhe Izraelin, me të cilat zoti Epstein ndau informacione ose në emër të kujt vepronte”.
Takimi me zëvendësministrin e Drejtësisë
Zëvendësministri amerikan i Drejtësisë, Todd Blanche, ish-avokat i Donald Trump, e kishte vizituar Ghislaine Maxwell në fund të korrikut, në një veprim tepër të pazakontë, në burgun e Floridës ku ajo po vuante dënimin në atë kohë, për ta marrë në pyetje për rreth një ditë e gjysmë.
Pak kohë më pas, ajo u transferua në një burg tjetër më liberal në Teksas, një zhvillim që shkaktoi indinjatë të fortë te viktimat dhe familjet e tyre.
Sipas procesverbaleve të këtij takimi, të publikuara në gusht, Ghislaine Maxwell deklaron se nuk beson në versionin zyrtar të vetëvrasjes së Jeffrey Epstein në gusht të vitit 2019, në qelinë e tij në një burg të Nju Jorkut, megjithëse thotë se nuk është në gjendje të bëjë hamendësime mbi identitetin e personit përgjegjës për vdekjen e bashkëpunëtorit dhe partnerit të saj.
Një pjesë e opinionit amerikan, si dhe figura të së djathtës radikale, besojnë se Epstein u vra për të mos implikuar personalitete të fuqishme që kishin përfituar nga aktivitetet e tij.
Në të njëjtën dëshmi, Maxwell pohon se Epstein nuk mbante “listë klientësh” dhe se ajo “nuk ka dijeni” për ndonjë skemë shantazhi ndaj figurave të rëndësishme.
I njëjti komision i Dhomës së Përfaqësuesve ka thirrur veçmas, për në fund të muajit, ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij Hillary Clinton, ish-sekretare e Shtetit, për marrëdhëniet që Bill Clinton kishte me Jeffrey Epstein.
Çifti ka kërkuar që dëgjimi të jetë publik, duke deklaruar se synojnë të shmangin instrumentalizimin politik të deklaratave të tyre nga ana e republikanëve.
Happening now...
ideas
Ilir Meta, this gypsy of Edi Rama!
How to govern the country and lead the opposition... for yourself!
top
Alfa recipes
TRENDING 
services
- POLICE129
- STREET POLICE126
- AMBULANCE112
- FIREFIGHTER128