Eksportet shqiptare, më pak të varura nga Italia/ “Made in Albania” ndërrojnë destinacion, Egjipti surprizon

23 July 2026, 21:44 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS
Eksportet shqiptare, më pak të varura nga Italia/ “Made in

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, shitjet jashtë vendit u rritën me 6.1%, por zgjerimi nuk u shpërnda njësoj mes partnerëve. Italia humbi peshë, Kosova dhe Greqia forcuan pozitat, ndërsa Kina u ngjit me shpejtësi mes destinacioneve kryesore.

Italia vijon të jetë tregu dominues për mallrat shqiptare, por varësia ndaj saj është zbutur. Rënia e eksporteve drejt saj duket se lidhet kryesisht me dobësimin e sektorit fason, i cili po përballet me humbje të ardhurash nga forcimi i lekut ndaj euros. Eksportet drejt këtij vendi ranë me 3.3%, nga 77.7 miliardë lekë në 75.1 miliardë lekë. Si rezultat, pesha e Italisë në totalin e eksporteve zbriti nga 42.6% në 38.8%.

Në kahun tjetër, Kosova e konsolidoi vendin e dytë. Eksportet drejt saj u rritën me 17.7%, duke arritur në rreth 20.6 miliardë lekë, ndërsa pesha në total u zgjerua nga 9.6% në 10.6%.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ndodhi mes Greqisë dhe Gjermanisë. Eksportet drejt Greqisë u rritën me 22%, duke e çuar peshën e saj në 7.6%. Kjo rritje e ngjiti Greqinë në vendin e tretë, përpara Gjermanisë, e cila gjithashtu shënoi zgjerim me 14.2%.

Surpriza mes partnerëve të mëdhenj është Kina. Eksportet shqiptare drejt tregut kinez u rritën me 69%, nga 4.6 miliardë në 7.8 miliardë lekë. Rritje të fortë shënuan edhe Shtetet e Bashkuara ku eksportet drejt këtij tregu u zgjeruan me 65.4%.

Në anën tjetër, Spanja humbi ndjeshëm terren. Eksportet drejt saj ranë me 37.4%, nga 8.6 miliardë në 5.4 miliardë lekë, ndërsa pesha në total u tkurr nga 4.7% në 2.8%. Spanja zbriti kështu nga vendi i pestë në të shtatin mes partnerëve kryesorë të eksporteve.

Ndër tkurrjet e tjera bien në sy Sllovenia, Rumania, Suedia dhe Izraeli. Megjithatë, ndikimi i tyre në totalin e eksporteve është dukshëm më i kufizuar se ai i rënies së Italisë dhe Spanjës.

Shifra më befasuese e gjashtëmujorit vjen nga Egjipti. Eksportet drejt këtij vendi u rritën nga vetëm 16.8 milionë lekë në rreth 2.6 miliardë lekë, duke e ngjitur Egjiptin nga vendi i 61-të në të 14-in. Rritja prej mbi 15 mijë për qind është e madhe, por nis nga një bazë e ulët.

Eksportet drejt Egjiptit u dominuan pothuajse tërësisht nga lëndët djegëse minerale dhe produktet e distilimit, me rreth 2.27 miliardë lekë, ose afro 87% të totalit. Artikujt prej gize dhe çeliku zunë vendin e dytë me rreth 293 milionë lekë, ndërsa makineritë, farat vajore, bimët medicinale dhe produktet e tjera kishin peshë shumë më të kufizuar.

Ndërkohë Venezuela paraqet lëvizjen e kundërt. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, Shqipëria eksportoi drejt saj rreth 17.6 milionë lekë mallra, ndërsa këtë vit vlera ra në zero./SCAN

Po ndodh...

ide