Rama & Berisha, tango e shëmtuar antiprotestë

21 July 2026, 20:13 / EDITORIAL NGA INDRIT GJYZELI
Rama & Berisha, tango e shëmtuar antiprotestë

Nga Indrit Gjyzeli

Berisha dhe Rama u shfaqën këtë fillimjavë në një sinkron të plotë në dy anët e protestës- Rama duke deklaruar se "do dëgjojë arsyen që vjen nga ata të shqetësuar për natyrën", ndërsa Berisha duke deklaruar se "bojkoti i PD ndaj Kuvendit ishte që të plotësohen kushtet e protestuesve".

Ky është edhe koordinimi që u nevojitet të dyve- njëri duke e paraqitur protestën si periferike, të mbetur vetëm për flamingot dhe natyrën, ndërsa tjetri duke e paraqitur veten padron të zemërimit qytetar.

Koordinim më perfekt se kaq nuk bëhet, pasi tashmë PS dhe PD po e trajtojnë protestën si një plaçkë mes tyre që duhet ndarë- njëri për të "reaguar ndaj zemërimit qytetar" e tjetri për t'u thënë qytetarëve të zemëruar "ju përfaqësoj unë!". 

Si për të plotësuar edhe më fort këtë kombinim, Berisha iu rikthye akuzave ndaj SPAK-ut, akuza që i shkojnë përshtat Ramës disa javë përpara se të rishfaqen kërkesat e reja për imunitetin e Belinda Ballukut, kur të nisë sesioni i ri.

Padyshim që arritja në këtë pikë koordinimi mes Ramës e Berishës u parapri nga këmbënguljet e vazhdueshme prej më shumë se 40 ditësh për ta përçarë protestën dhe për të kontestuar gjithçka që del nga sheshi si zemërim qytetar ndaj të dyve.

Në këtë kontekst, përfaqësi të ndryshme, që herë përplasen për mikrofonin, e herë për zërin në "Kuvendin Qytetar", janë unisoni në koordinim, duke tentuar që t'u tregojnë qytetarëve se në fund të fundit, askush veç atyre të dyve nuk vendos.

Ky koordinim, tani që Rama e Berisha janë rrëzuar moralisht, e bën betejën me vazhdimësinë e protestës jetik për të dy. Ndaj të dy janë turrur të fitojnë kohë, të marrin arenën e debatit. 

Pikërisht për këtë arsye sulmohet dhe News24 apo media të tjera, po me media afër pushtetit apo pranë familjes së Berishës, që të gjendet një rrugë shpëtimi për të dy, duke mbyllur çdo hapësirë për këdo që i afrohet protesës. Mjafton gjyqi publik që i bëhet pasurisë së Agron Shehajt, apo edhe Lapajt e Qorrit, edhe pse askush prej tyre nuk arrin dot të jetë zëri i protestës, pasi qytetarët konsiderojnë pjesë të sistemit çdo parti që përfaqësohet sot në Kuvend. Por sërish Rama e Berisha në koordinim të plotë kërkojnë të jenë vetëm ata padronët e mundshëm që herë sulmon e herë e josh protestën.

E megjithatë, pavarësisht se të dy edhe mund ta shkatërrojnë protestën, imazhi i tyre publik është dërrmuar, pasi shumëkush e ka kuptuar këtë tango politike mes Ramës e Berishës. 

Ajo që nuk ka marrë ende përgjigje përballë kësaj tangoje politike është vetëm përgjigjja për më së paku dy pyetje- do heshtin ende në PD përballë një Berishe që i garanton vetëm humbjen politike? A do i besojnë më Ramës kur thotë se "i kanë ngrënë kumbulla pas shpine" kur në fakt ka ndërtuar qeveri paralele të Ergys Agasit dhe të disa biznesmenëve që kanë mbërthyer çdo fushë të jetës shqiptare?

Pa përgjigjen e këtyre pyetjeve nga përfaqësues të dy partive të mëdha, e vetmja zgjidhje mbetet protesta dhe vetëm protesta./Alfapress.al

Po ndodh...

ide