Protesta nuk është vetëm e "protestës"

7 Qershor 2026, 18:21 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Protesta nuk është vetëm e "protestës"

Është hapur një debat, sa logjik aq edhe i inxhineruar për protestën popullore, e cila tashmë është bërë Kombëtare dhe ndërkombëtare. Kush e drejton, çfarë synon dhe mbi të gjitha çfarë do të prodhojë?

Së pari, tashmë është e qartë. Protestën e drejton zhgënjimi dhe mllefi i shqiptarëve kundër parisë politike të korruptuar 35 vjeçare. Çdo padrejtësi që ndodh në këtë vend është pasojë e kapjes së sistemit, politik-partiak-ekonomik-zgjedhor- legjitlativ, nga kjo kastë. Rrethi ështē i mbyllur.

Kush e nxiti protestën, çfarë e shpërtheu tenxheren e mbetur pa asnjë valvul shkarkimi?!Shqiptarët kanë dhënë besim dhe votë ndaj kësaj kaste për 35 vite rresht, por tani kanë kuptuar përfundimisht se përfaqësimi i tyre në parlament, qeverisje, opozitë, parti, jo vetëm është shpërdoruar, por është kthyer kundër tyre. Kjo pari me veglat e veta mediatike-ekonomike, pasi është pasuruar, duke shfrytëzuar besimin e shqiptarëve, kishte kaluar në fazën e synimit të normalizimit të statukuosë së tyre.

Ata të pasurohen, shqiptarët ti zgjedhin dhe rizgjedhin pafundësisht në krye të vendit. Madje edhe ti kenë idhuj! Pra mirë apo keq, partitë, votën, parlamentin, qeverisjen, opozitën, ekonominë, pasuritë e Shqipërisë, kontrollin mediatik, etj, ti kenë vetëm ata. Shqiptarët, (Anëtarë partish, profesionistë, intelektualë, artistë, biznesmenë, gazetarë, etj), që nuk bëjnë pjesë në këtë rreth të mbyllur, ose duhet të përshtaten me "fatin" e tyre, ose duhet të japin prova që mund të futen në kastën e tyre.

Fatura është humbja e dinjitetit, lirisë dhe integritetit personal dhe profesional. Për ata që nuk pranojnë, "ju kemi hequr vizat", rrugë të mbarë dhe paçi fat! Ata që janë të detyruar të jetojnë në Shqipërinë e tyre, duhet të jenë "puntori, qytetari, fshatari, fermeri i ri", "nënpunësi i ri", "biznesmeni i ri", "gazetari i ri", "intelektuali dhe artisti i ri", "studenti i ri", "demokrati i ri", "socialisti i ri". Vetëm kryetarët nuk mund të jenë të rinj. As Drejtësia që mund ti rrezikojë ata, nuk mund të jetë e re!

Pra mos u habisni dhe mos u lodhni kot me protestën në sheshe. Ata dhjetra mijëra që janë aty, janë vetëm përfaqësuesit e qindramijë a miliona shqiptarëve, të cilët nuk i bëtë dot as pas 35 viteve model "i ri" që ti përshtatet pafundësisht kastës suaj korruptive rrotative. Këtë duhet ta kuptojnë shpejt, edhe ata rreth 40 vetë që bëjnë mbledhje çdo ditë në orën 11.00 dhe e quajnë veten "protesta" apo kryesia e protestës. Si nismëtarë të thirrjes së qytetarëve për dhunën barbare në Zvërnec, kanë meritë.

Për menaxhimin e megafonëve dhe mikrofonëve, për mirëmbajtjen e protestës jashtë partive dhe në nivel qytetar deri tani, kanë meritë dhe protesta i do për këto. E di edhe që ishin nisur për diçka tjetër dhe ju erdhi papritur gjëja më e madhe që nga ngritja e studentëve për demokraci, duke i zënë në befasi. Por tashmë ajo që po ndodh është një realitet që nuk ka kthim pas, edhe sikur kjo protestë të përçahet apo mbyllet befasisht. Ajo rikthehet sërish, në çdo kohë me vetëm një "fishkëllimë".

Kjo protestë ka mijra valenca brenda vetes, aq sa janë edhe padrejtësitë që u ka bërë shqiptarëve kasta politike 35 vjeçare e korruptuar. Por vektori i të gjithave është vetëm një: Rrëzimi i kësaj kaste politike-ekonomike- mediatike që ashtu si e ka etiketuar dhe indentifikuar vetë protesta, ka si përfaqësues publik e politik, Ramën dhe Berishën. Si do ndodh?

Së pari/ Largimi i panegociushëm i qeverisë Rama. Mos i dëgjoni sirenat për zgjedhje të parakohshme, sepse synojnë vetëm riciklim të tyre.

Së dyti/ Krijimi i një qeverie teknike jo partiake me afat të pacaktuar sa të kryej detyrat, me bekimin dhe mbrojtjen e Protestës dhe Ndërkombëtarëve. Kjo qeveri përveç detyrave normale të funksionimit të shtetit, duhet të fokusohet në disa prioritete të mëdha emergjente. Ndryshime të Kushtetutës dhe ligjeve në funksion të reformave të mëdha zgjedhore dhe teritoriale. Ligj i ri zgjedhor i cili të çlirojë votën dhe ti vërë të gjithë faktorët politik, në pozita të barabarta konkurence.

Rikthim të referendumeve dhe zgjedhjen e presidentit nga populli. Ligj i rreptë, për Partitë dhe financimin e tyre. Kjo qeveri teknike mbyll negociatat me BE dhe mbështet pa kushte SPAK dhe GJKKO për hetimin, gjykimin dhe rikthimin e pasurive të kastës politike të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.

Kjo duhet të jetë radha e punëve, mendoj modestisht. Dhe në fund për dilemën se Rama dhe Berisha që kontrollojnë parlamentin aktual, (Ku qeveria teknike ka të vetmen rrugë për tu mandatuar), nuk do ti pranojnë kurrë këto kërkesa, përgjigjigjia është e thjeshtë: Ata le të rrinë aty ku janë dhe si janë, Protesta që vetëm zmadhohet në sheshet e Shqipërisë dhe botës, do jetë gjithmonë këtu është dhe gati...

Por unë mendoj se që tani janë të dorëzuar, pavarësisht se bëjnë si të fortë dhe shpresojne me intriga, se do ta shuajnë edhe këtë. Njësoj si edhe para 36 vitesh. Trima dhe të pamposhtshëm dukeshin edhe deputetët e Partisë së Punës në 90-tën, por kur panë vendosmërinë e popullit në krah të studentëve në sheshe, e votuan Pluralizmin dhe Demokracinë, si çeço!

Po ndodh...