Klithma e bukur e protestës, kundër estabilishmentit Rama-Berisha

4 Qershor 2026, 12:28 / IDE NGA MIRELA KARABINA
Klithma e bukur e protestës, kundër estabilishmentit Rama-Berisha

Është protestë e bukur, është protestë rinore.

Është shuplaka më e fortë që establishmenti politik ka marrë prej vitesh.

“Në burg!”, thërrasin të rinjtë dhe qytetarët.

Nuk ju duam më!

Në shesh janë ata që e kanë jetën të pasigurt, ata që nuk shohin të ardhme në vendin e tyre, ata që e duan dheun ku kanë lindur dhe refuzojnë ta braktisin.

Prandaj kjo është një klithmë e bukur.

Është klithma e një brezi të mashtruar, e një brezi që nuk pranon më të heshtë.

Dhe më e rëndësishmja, kjo klithmë nuk godet vetëm një qeveri. Ajo ka shkundur të gjithë establishmentin politik, PS dhe PD bashkë, sepse përballë çështjes së pronës, drejtësisë dhe interesit qytetar, të dyja kanë dështuar.

Fatmirësisht, këta të rinj nuk janë si ne. Ata nuk janë pajtuar me padrejtësinë. Ata nuk e kanë normalizuar të keqen, abuzimin.

Ata e duan lirinë dhe e kërkojnë atë.

Ata duan sigurinë dhe luftojnë për të.

Ata e duan Shqipërinë dhe për këtë arsye mbushin sheshet.

Protesta e tyre vitale i ka dhënë një goditje të fortë pushtetit autokrat që nuk pyet qytetarët, por vendos sipas interesit të vet.

Njëkohësisht, ajo ka zhveshur politikisht edhe PD-në, partinë që dikur premtonte kthimin e pronës te i zoti, por që sot është rreshtuar përballë këtij kauze.

Ata kanë tronditur establishmentin duke i treguar se kupa është mbushur dhe durimi qytetar ka marrë fund.

“Burg” ishte fjala me të cilën Edi Rama erdhi në pushtet. Sot, pas më shumë se një dekade qeverisjeje, fjala që e ndjek është po ajo, burg.

Prona nuk shkoi te i zoti. Ligji 7501 la plagë të hapura dhe politika, majtas e djathtas, zgjodhi ta përdorë si “mall pa zot” atë për interesa pushteti, dhe jo ta zgjidhë atë.

Këta janë protestuesit e sotëm, të rinjtë, pronarët, ne qytetarët e ndershëm dhe të gjithë ata që refuzojnë të pajtohen me padrejtësinë, që e duan vendin e tyre dhe duan ta trashëgojnë e begatojnë atë.

Ndaj respektojini ata, e meritojnë!

Për pronën.

Për drejtësinë.

Për Shqipërinë. 

Po ndodh...

ide