Propaganda e qeverisë kundër protestës jo vetëm mediokre por edhe antikombëtare

Është e kuptueshme që lufta politike do të jetë e egër dhe që palët e rrezikuara do të përdorin mjete nga më të ashprat në favor të tyre. Kësisoj është e kuptueshme që qeveria, kryeministri Rama dhe të gjithë njerëzit e tij në media do të përdorin sulme nga më të ashprat dhe më të ulëtat në luftë me protestën, e cila, duhet thënë, është e para në historinë e Shqipërisë pas atyre të vitit 1990 që rrezikon pushtetin e qeverisë (dhe të një pjese të madhe të klasës 35-vjeçare politike). Mirëpo kjo luftë nuk mund të jetë kaq e ndyrë sa të prekë interesin kombëtar të Shqipërisë, nuk mund të jetë kaq e ulët sa të njollosë kot së koti vendin tonë me gjëra që jo vetëm nuk i ka, por as i ka pasur kurrë.
Dje zyra e kryeministrit Rama, njerëzit e tij kudo filluan të thonë që Dritan Goxhaj, njeriu që lexoi, në emër të protestuesve, kërkesat e tyre për qeverinë, u sulmua si një njeri që mbron Iranin apo që mbron interesa iraniane në Shqipëri. Duhet të mos kesh në qenien tënde asgjë që ka të bëjë me moralin dhe me vetëdijen për vendin tënd që të shkosh deri këtu. Dritan Goxhaj ka luftuar në Kosovë kundër terroristëve serbë, ka luftuar në luftën për pavarësinë e Kosovës. Ai madje akuzohet, si edhe Thaçi, Veseli, Krasniqi, nga Gjykata e Hagës se gjoja ka bërë krime kundër serbëve (një akuzë e vjetër serbe kjo për të njollosur luftën). Si mund t’i shërbejë Iranit një njeri që ka shkuar të vritet për atdheun e tij? Ai madje ka shkuar atje së bashku me babain e tij dhe ka qenë një prej njerëzve që dihet botërisht që ka luftuar në terren.
Rama dhe njerëzit e tij kërkojnë ta lidhin atë me qëndrime proiraniane sepse Dritan Goxhaj ka thënë dhe ka shkruar në analizat e tij si ekspert i çështjeve të sigurisë (si ushtarak) që SHBA dështoi në Iran, që SHBA zhvilloi në Iran një luftë të panevojshme. Këto qëndrime i kanë mbajtur edhe disa prej profesorëve më të njohur në botë (amerikanë të gjithë) të marrëdhënieve ndërkombëtare si Stephen Walt, Barry Posen, Kenneth Pollack, Jarrett Blanc, John Mearsheimer etj. Këto qëndrime i kanë mbajtur disa prej ish-gjeneralëve më të njohur amerikanë si David Petraeus, ish-komandant i CENTCOM dhe ish-drejtor i CIA-s, Martin Dempsey (ish-shef i shtabit të ushtrisë amerikane), Anthony Zinni, ish-shef i CENTCOM etj. Thuajse të gjithë profesorët e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shumë ushtarakë të lartë e kanë pasur këtë qëndrim. Dritan Goxhaj ka pasur po këtë qëndrim. Kjo është të luash mendsh, por kur e bën me njerëz që për hallin e vet shesin dhe djegin çdo gjë, pritet edhe kjo.
Një tjetër gjë e ulët që nxjerr qeveria dhe njerëzit e saj është se protesta ka frymë antisemite, se protesta prodhon frymë kundër Izraelit, se protesta po rrit frymën antisemite. Ata këtë e bëjnë sepse duan të kompleksojnë njerëzit, të kompleksojnë shqiptarët, t’i thonë Izraelit apo mediave ekstreme të Izraelit, kabinetit të Izraelit, t’u thonë ndoshta njerëzve si Ben Gvir që protestuesit e kanë me ju, jo me Ramën, jo me qeverinë, jo me klasën politike. Ata e bëjnë këtë sepse duan t’u thonë që protestuesit e kanë me politikat e Izraelit, që protestuesit gati nuk duan as ekzistencën e Izraelit.
Kjo luftë e ulët, kjo rrenë e poshtër, djallëzore e ekspozon Shqipërinë në një situatë që nuk ka fare, po fare, lidhje me të vërtetën. Shqipëria as ka qenë dhe nuk ka për të qenë kurrë antisemite. Protesta përbëhet nga të rinj, studentë, profesionistë nga më të mirët e vendit, familje të reja, intelektualë, njerëz që jetojnë dhe duan të jetojnë me djersën e tyre dhe janë aty vetëm sepse Rama, qeveria e tij, klasa politike ka ndërtuar një vend pa drejtësi, me korrupsion gjigand, ka prodhuar një gjendje ku i dobëti dënohet, hetohet, mbetet burgjeve dhe qeveritarët e lartë sulmojnë, shajnë, shantazhojnë prokurorët dhe nuk pranojnë të hetohen.
Njerëzit janë aty me gjithë ngjyrat që ka shoqëria jonë. Janë aty si socialistë të poshtëruar nga qeveria, e cila vetëm socialiste nuk është; janë aty si të djathtë të nëpërkëmbur dhe të përbuzur nga gjendja e rëndë e vendit; janë aty si të krishterë dhe si myslimanë që shohin se si disa prej shembujve më të këqij dhe më të korruptuar të historisë, të përmendur nga Zoti në Kuran apo Bibël, si rasti i faraonit, po jetësoren përditë mbi ta; janë aty si të rinj pa asnjë perspektivë për të nesërmen, veç largimit; janë aty si konservatorë apo liberalë; janë aty ndoshta edhe si njerëz që duan një monarki të fortë dhe absolute apo si marksistë; janë si tifozë të Gjermanisë apo Brazilit dhe janë të gjithë kundër qeverisë, kundër gjendjes së rëndë të vendit.
Qeveria dhe njerëzit e saj duhet të gjejnë kritika më serioze, më të argumentuara, më të arsyeshme, sepse mund të ketë, mund të gjenden, sesa këto gjëra të ulëta me karakter antikombëtar.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128