Bëri thirrje për vetëpastrimin e partisë, por u sulmua nga zyrtarët e PS, reagon Spiropali: Lugëndryshkurit e familjes sonë! Algoritmet, konspiracionet haluçinante

23 Qershor 2026, 11:59 / POLITIKË ALFA PRESS

Bëri thirrje për vetëpastrimin e partisë, por u sulmua nga

Ish-ministrja e Jashtme dhe deputetja e PS, Elisa Spiropali dy ditë më parë bëri një deklaratë, ku kërkoi një vetëpastrim të Partisë Socialiste, “pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe”, siç u shpreh ajo.

Por menjëherë pas kësaj deklarata, Spiropali u sulmua nga kryetarja e PS në Shkodër, Mirela Dodaj, e cila ka thënë se  “Nëse vërtet duhet të nisë një proces vetëpastrimi në Partinë Socialiste, atëherë do të ishte e ndershme të fillonte nga ju, Elisa Spiropali”.

Por sot, Spiropali ka zgjedhur që t’i përgjigjet përmes një poezie të Anna Akhmatovës.

“Kur t’ju merren mend’ e t’ju përzihet nga fletë-rrufetë, sulmet banale, monitorimi digjital e operacional, kontrolli algoritmik, konspiracionet halucinante, gjuha e shthurur, lexoni këtë kryevepër të Anna Ahmatovës”, shkruan Spiropali.

Spiropali ka përcjellë mesazhin se sulmet dhe kritikat ndaj saj nuk e frikësojnë, por përkundrazi shndërrohen në një burim force.

Postimi i Elisa Spiropalit

Mirëmëngjes☀️

Kur t’ju merren mënd’ e t’ju përzihet nga fletë-rrufetë, sulmet banale, monitorimi digjital e operacional, kontrolli algoritmik, konspiracionet halucinante, gjuha e shthurur, lexoni këtë kryevepër të Anna Ahmatovës, që lindi si sot, më 1889.

Kaq shumë gurë hodhën përmbi mua

Sa sot asnjë prej tyre s’më frigon,

Me ta një kullë e hijshme u ndërtua,

M’e lartë se çdo kullë ajo qëndron.

Ndërtuesit e saj falënderoj,

Paçka se e ndërtuan me nxitim.

Prej saj më shpejt agimin e shijoj

Dhe diellin kqyr me gjatë në perëndim.

Dhe në dritaren time ditë për ditë,

Fryn erë deti, më flladit.

Në dorën time pëllumbi vjen e çukit,

E në mos mund të shkruaj më diçka,

Një ditë të perëndishme krahëlehtë,

Pres të vijë Muza, për ta shkruar vetë.

Po ndodh...