Kapen 175 kg drogë në kufirin franko-gjerman, në pranga 4 persona mes tyre një shqiptar

13 Shkurt 2026, 21:39 / AKTUALITET ALFA PRESS

Kapen 175 kg drogë në kufirin franko-gjerman, në pranga 4 persona

Mbi 175 kilogramë lëndë narkotike janë sekuestruar në kufirin mes Francës dhe Gjermanisë, gjatë një operacioni të zhvilluar nga Zyra Kundër Narkotikëve në Strasburg. Katër persona janë vënë nën hetim dhe janë dërguar në paraburgim, bëri të ditur Prokuroria e Strasburgut.

Operacioni u zhvillua më 5 shkurt 2026, kur policia ndaloi një kamion që lëvizte mes Spanjës dhe Gjermanisë. Gjatë kontrollit në rimorkio u gjetën 158 kilogramë kanabis dhe 11 kilogramë kokainë, të destinuara për tregjet franceze dhe gjermane.

Në vijim të hetimeve, kontrollet e kryera në Strasburg dhe Mulhouse çuan në sekuestrimin e rreth 7 kilogramëve shtesë kanabis dhe rreth 3 mijë euro para në dorë.

Sipas prokurores së Strasburgut, Clarisse Taron, operacioni është rezultat i një hetimi 14-mujor, që synonte identifikimin e rrjeteve të importit dhe personave përgjegjës për trafikun ndërkufitar të drogës.

Mes të arrestuarve ndodhet edhe një shtetas shqiptar 51-vjeçar, i dyshuar si organizatori i rrjetit të importit të lëndëve narkotike. Të katër personat janë vënë nën hetim për shkelje të legjislacionit mbi narkotikët dhe janë lënë në paraburgim, ndërsa procedura vijon nën autoritetin e gjyqtarit hetues.

Po ndodh...