Kur banditët rrethohen nga budallenjtë!

12 Shkurt 2026, 21:26 / IDE NGA IRENA BEQIRAJ

Kur banditët rrethohen nga budallenjtë!

Në vitin 1976 ekonomisti, Carlo Cipolla, në një ese argetuese prej 60 faqesh prezanton 5 ligjet themelore të një force që ai e perceptonte si kërcënimin më të madh ekzistencial për njerëzimin: Budallallëkun.

Në bazë të përfitimit dhe humbjes që njeriu siguron njëherazi për veten dhe të tjerët, ai i klasifikon njerëzit në katër kategori kryesore: Inteligjentë, Banditë, Naivë dhe Budallenjtë. Fillimisht ai e ndau këtë teori vetëm me miqtë e tij, më vonë ajo u bë e njohur ndërkombëtarisht dhe tani, studiohet në shumë disiplina.

Ligji 1: Të gjithë, gjithmonë në mënyrë të pashmangshme e nënvlerësojnë numrin e budallenjve në qarkullim.
Pavarësisht se nga sa budallenjë dyshojmë se jemi të rrethuar, ne gjithmonë e nënvlerësojmë numrin total të tyre. Kjo ndodh sepse ne gabimisht i konsiderojmë disa njerëz inteligjentë, bazuar vetëm në disa karakteristika që ne besojmë se e përjashtojnë budallallëkun si puna, arsimimi, pasuria.

Për shembull, Zeqineja edhe Sara mundet që gabimisht të përjashtohen nga kategoria e budallenjeve sepse janë deputete, por ato në fakt janë përfaqësueset më të denja të kësaj kategorie në Kuvend. Kjo na çon te ligji i 2-të:

Ligji 2: Probabiliteti që një person të jetë budalla është i pavarur, nga çdo karakteristikë tjetër e atij personi.
Cipolla e konsideronte budallallëkun, "si një karakteristikë njerëzore, si të kesh flokë bjonde apo sy të zinj. Rrjedhimisht, ai nuk mund të mos shpërndahet përafërsisht në mënyrë të barabartë në të gjitha sferat e shoqërisë, pavarësisht nga niveli arsimor i njerëzve“.

Ligji 3: Budalla është ai që i shkakton humbje një personi tjetër ose një grupi njerëzish, duke u përdorur pa arritur asgjë pozitive për veten.
Budallallëku për të cilin po flasim nuk është një defekt i lindur, por në rrethana të caktuara, njerëzit si në rastin e Zeqinesë dhe Sarës bëhen budallenj sepse ata e lejojnë që kjo të ndodhë. Budallallëku në këtë rast është arroganca dhe vetëmashtrimi, të bashkuara këto në një formë të vetme, duke e trasformuar njeriun në një mjet pa mend, që është i aftë për çdo të keqe dhe në të njëjtën kohë, i paaftë për të parë se çfarë është e keqe. Ndaj budallallëku në këtë rast është një problem sociologjik.
Parë në këtë kontekst budallallëku nuk ështe një çështje e IQ-së, por përkundrazi, është mungesë e aftësive relacionale. Ndërsa banditët i bëjnë mirë vetes por dëmtojnë të tjerët, inteligjentët i bëjnë mirë vetes edhe të tjerëve, naivët i bëjnë mirë të tjerëve dhe keq vetes, budallejnë janë ata që dëmtojnë të tjerët dhe shpesh edhe veten.

Ligji 4 : Njerëzit jo budallenj gjithmonë e nënvlerësojnë fuqinë dëmtuese të individëve budallenj. Veçanërisht, njerëzit jo budallenj harrojnë vazhdimisht se në çdo kohë, vend dhe rrethanë komunikimi dhe/ose shoqërimi me njerëz budallenj, gjithmonë rezulton të jetë një gabim i kushtueshëm.

Ligji 5 : Një budalla është më i rrezikshëm se një bandit. Në fakt, arsyeja e shëndoshë na thotë se njerëzit inteligjentë, sado armiqësorë të jenë, janë të parashikueshëm. Në të kundërt, njerëzit budallenj nuk janë të tillë. Ky ndryshim delikat i bën njerëzit budallenj tepër më të frikshëm, se sa çdo kategori tjetër .

Duke lexuar 60 faqet plot ironi të Carlo Cipollës, kupton që nuk ka kombinim më të rrezikshëm për një shoqëri se kur drejtohet nga "banditë" që rrethojnë veten me budallenj.
Ky është fati ynë i keq!

Po ndodh...

ide