Internet falas në 61 bashki, Shqipëria nis zyrtarisht programin e financuar nga BE

Shqipëria filloi zyrtarisht zbatimin e nismës WiFi4WB, e cila parashikon vendosjen e pikave të Wi-Fi publik falas në 61 bashki të vendit. Ky projekt është pjesë e programit për transformimin dixhital dhe afrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.
Ceremonia e nisjes së projektit u mbajt në Kalanë e Krujës, një nga destinacionet kulturore më të vizituara në vend.
WiFi4WB është pjesë e projektit EU4Digital (BE për Digjitalizimin), bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, dhe zbatuar nga GIZ. Nisma parashikon pajisjen me WiFi publik falas të rreth 500 bashkive në Ballkanin Perëndimor dhe është pjesë e planit më të gjerë për përshpejtimin e tranzicionit digjital në rajon, duke nxitur integrimin e Ballkanit Perëndimor në Tregun Unik Digjital të Bashkimit Evropian.
Pas zbatimit të plotë të nismës, qytetarët dhe vizitorët do të kenë akses në internet falas në sheshe, parqe, biblioteka, shkolla dhe site kulturore në të gjithë territorin e vendit.
“WiFi4AB është një ide e thjeshtë me ndikim të fuqishëm: internet falas në 61 bashki të Shqipërisë, duke krijuar akses në shërbime digjitale, informacion, mësim dhe komunikim për të gjithë. Ky projekt nuk ka të bëjë vetëm me lidhjen me internetin. Ai synon fuqizimin e komuniteteve, mbështetjen e zhvillimit vendor dhe afrimin e Ballkanit Perëndimor me Tregun Unik Digjital të BE-së,” tha Ambasadori i BE-së Gonzato.
Zëvendës Ministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, e lidhi nismën me strategjinë për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit.
“WiFi4WB do të thotë më shumë informacion dhe orientim për turistët, më shumë aksesueshmëri. Nga kjo iniciativë përfitojnë qytetarët, bizneset lokale dhe qendrat kulturore. Muzeu në Kalanë e Krujës është një nga sitet kulturore më të vizituara në Shqipëri ku vetëm një vit më parë është vizituar nga rreth 200 mijë turistë. Prioritet kryesor për ne është turizmi gjatë gjithë vitit dhe sitet kulturore mbajnë peshën kryesore të turizmit gjithëvjetor,” u shpreh Zëvendës Ministrja Pipa.
Operatori i telekomunikacionit Vodafone u përzgjodh përmes një tenderi publik të zhvilluar nga GIZ për të shtrirë dhe mirëmbajtur infrastrukturën Wi-Fi dhe për të ofruar shërbim interneti falas në vendndodhje publike të përcaktuara në të gjithë Shqipërinë.
Nisma WiFi4WB do të përmirësojë aksesin në shërbime digjitale, arsim dhe informacion publik, duke mbështetur njëkohësisht bizneset e vogla, përmirësuar përvojën e vizitorëve dhe forcuar turizmin lokal. Duke siguruar internet falas dhe të besueshëm në hapësira publike, nisma promovon gjithashtu përfshirjen sociale dhe ndihmon në ngushtimin e hendekut digjital./Ekofin
Po ndodh...
ide
Kur banditët rrethohen nga budallenjtë!
Po Berisha, a i mban mend protestat e Bashës?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

