Daily Mail zbulon prapaskenat: Pse Richard Grennell u mënjanua nga rrethi i ngushtë i Donald Trump!

Media britanike “Daily Mail” ka publikuar një artikull që tregon se karriera diplomatike e Richard Grennell mori një kthesë të fortë, dhe se si ai u mënjanua nga rrethi i ngushtë i presidentit Donald Trump pas disa përplasjeve.
Ish-shefi i inteligjencës amerikane në vitin 2020 dhe një nga diplomatët më besnikë të Trump, sot drejton Qendrën Kennedy për Arte Performuese, por edhe ky rol duket i pasigurt mes polemikave dhe tensioneve të brendshme. Megjithatë, rënia e ndikimit të Grenell brenda orbitës së Trump duket se ka nisur më herët.
I konsideruar dikur si një kandidat potencial për poste të larta në kabinetin e Trump, ai përfundoi jashtë vendimmarrjes kryesore, sidomos në çështjen e Venezuelës pas një përplasjeje që pati me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio.
Si i dërguar special, Grenell mbështeti një qasje më pragmatike ndaj regjimit të Nicolas Maduros, duke favorizuar negociatat dhe marrëveshjet energjetike. Por Sekretari i Shtetit Marco Rubio shtyu për një linjë më të ashpër “presioni maksimal”, dhe sipas burimeve, ai arriti ta anashkalojë Grenell nga Venezuela.
“Grenell fillimisht pa përfitime të prekshme nga qasja e tij më e butë, duke negociuar lirimin e të burgosurve dhe duke nxitur një qasje “pragmatike” që favorizonte marrëveshjet e naftës mbi ndryshimin e regjimit. Por shpejt ai e gjeti veten në një bllokim taktik me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio. Ndërsa Rubio nxiste “presion maksimal” dhe një forcim ushtarak që përfundimisht çoi në kapjen tronditëse të Maduros, Grenell thuhet se ende po mbështeste një “marrëdhënie të ndryshme” me diktatorin, të rrënjosur në diplomaci dhe shtrëngim.”, shkruan Daily Mail.
“Edhe Maria Machado refuzoi të takohej me të. Dëgjuam se ajo nuk donte të merrej me të dhe nuk i pëlqente ajo që ai përfaqësonte”, shpjegoi një diplomat amerikan që punoi me Grenell, duke shtuar se ngurrimi i Machados për t’u marrë me Grenell erdhi pjesërisht nga “arroganca dhe paefektshmëria”.
“Ajo mendonte se Grenell ishte poshtë saj… nuk e kuptonte kush ishte Grenell, ai është një askush në Amerikën Latine. Ajo ishte gjithashtu e kujdesshme, nuk e njihte dhe as nuk i besonte”, shpjegoi diplomati më tej.
Marrëdhëniet e tensionuara me figura kyçe të administratës, përfshirë shefen e stafit Susie Wiles, e dëmtuan më tej pozitën e tij. Një incident i ashpër verbal gjatë Konventës Kombëtare Republikane i kushtoi Grenell çdo shans për një post të rëndësishëm në mandatin e dytë të Trump, ndonëse ai e ka mohuar përplasjen. Në kët ndikoi, sipas Daily Mail, edhe fakti se Grenell nisi ta prezantonte veten te ndihmësit e fushatës në Mar-a-Lago si kandidat i mundshëm për zëvendëspresident.
“Ai i bërtiti Susie-t dhe i tha: “Ti je arsyeja pse do t’i humbasim këto zgjedhje të mallkuara!””, tha një burim pranë Shtëpisë së Bardhë për Daily Mail. Kjo përplasje, shkruan gazeta britanike, ishte incidenti që “vulosi” fatin e Grennell, duke e përjashtuar atë nga çdo rol serioz në nivel kabineti në Trump 2.0.
“Ai e qortoi Susie Wiles sepse nuk mori një vend për të folur në konventë në kohën më të mirë”, shtoi ky burim. “Kjo është arsyeja pse ai nuk ka… një punë të rëndësishme. Kjo është arsyeja pse ai nuk u konsiderua kurrë për Sekretar Shteti.”
Sipas një burimi pranë familjes Trump, Wiles ka vijuar me komente kundër Grenell brenda Zyrës Ovale, një tregues i qartë se armiqësia ende zien. “Susie e urren veten”, tha një burim.
Po ashtu, nga brenda orbitës së brendshme të Trump, argumentohet se Grenell mund t’i shkaktonte dhimbje koke administratës për shkak të marrëveshjeve të tij jashtë shtetit.
Daily Mail përmend një episod të dështuar diplomatik në maj 2025, që mesa duket ishte një tjetër goditje për karrierën e Grenell. Sipas burimeve, ai organizoi që presidenti serb Aleksandar Vuçiç të udhëtonte drejt Floridës për një takim privat me Donald Trump, por takimi nuk u zhvillua kurrë.
Burimet thanë se shefja e stafit, Susie Wiles, e bllokoi personalisht takimin, duke sinjalizuar se iniciativat e pavarura të Grenell nuk kishin më mbështetje në rrethin e ngushtë presidencial. Nga Beogradi u tha zyrtarisht se Vuçiç u kthye për arsye shëndetësore, pas një problemi me hipertensionin.
Ambicia e tij për të pasuar Marco Rubio në krye të diplomacisë amerikane tani shihet si e paarritshme, veçanërisht pas përplasjeve mbi qasjen ndaj Venezuelës. Aktualisht, si drejtues i John F. Kennedy Center for the Performing Arts, ai përballet me polemika për shkurtime buxhetore, plane riemërtimi dhe bojkot nga artistë të njohur, ndërsa ka akuzuar media si CNN dhe The Washington Post për nxitje të reagimit negativ.
“Ai është bombastik dhe tepër i sigurt në vetvete për arsye që unë sinqerisht nuk i kuptoj… Ai ishte padyshim në anën e gabuar të administratës kur bëhej fjalë për Venezuelën dhe Rubion”, shtoi ish-zyrtari i Trump. “15 minutat e tij të famës kanë kaluar dhe kjo është arsyeja pse ai është tani në Qendrën Kennedy.”
Mes presionit në rritje, Grenell u ka thënë privatisht miqve të ngushtë se planifikon të largohet nga Qendra Kennedy më vonë këtë vit. Për momentin, njeriu që dikur ëndërronte të drejtonte inteligjencën ose diplomacinë amerikane e gjen veten duke menaxhuar një teatër, si në kuptimin e mirëfilltë ashtu edhe në atë figurativ, ndërsa ambiciet e tij përplasen me realitetin e reputacionit të tij të dobët.
“Qëllimi i tij, ambicia e tij, është të jetë Sekretar i Shtetit. Por nuk e shoh këtë të ndodhë. Trump i di pikëpamjet negative që shumë njerëz kanë për të”, shtoi diplomati.
Po ndodh...
ide
Kur banditët rrethohen nga budallenjtë!
Po Berisha, a i mban mend protestat e Bashës?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128