Histori nga Botërori/ “Vampiri” Suarez kafshoi sërish, Kielini viktima: 167 bastexhinj pas atij gjesti

9 Qershor 2026, 00:03 / SPORT ALFA PRESS

Histori nga Botërori/ “Vampiri” Suarez kafshoi sërish,

Edhe pse pseudonimi i tij është “El Pistolero”, në të vërtetë sulmuesi uruguaian nga shumë njihej si “Vampiri”, duke qenë se mes aventurës së tij holandeze (me bluzën e Ajaksit kafshonte rivalin e tij të PSV-së, Otman Bakal) dhe asaj angleze (me bluzën e Liverpulit kafshonte Branislav Ivanoviçin e Çelsit), këtë gjest e kishte kryer dy herë (në Uruguai flasin për tetë raste), por në Botërorin brazilian do të ishte Xhorxho Kielini viktima e radhës.

Në minutën e 79-të të takimit, “etja” e Luis Suarezit për të vënë në punë dhëmbët e tij u spostua te mbrojtësi italian. Loja ishte e ndalur dhe në zonën italiane të gjithë prisnin ekzekutimin e goditjes së dënimit nga ana e Uruguait, me ndeshjen në barazim 0-0, ndërkohë që Suarez (në atë periudhë luante me Liverpulin) u hodh në aksion dhe të gjithë u habitën teksa panë Xhorxho Kielinin të shtrirë në tokë.

Pak sekonda dhe u kuptua gjithçka, sepse Suarez prekte dhëmbët me gojën e hapur duke treguar shenja dhimbjeje, ndërsa italiani spostonte bluzën dhe i tregonte shpatullën arbitrit, ku në trupin e tij kishin mbetur edhe shenja e kafshimit.

Por për habi, Luis Suarez, jo vetëm që nuk u përjashtua, por nuk u ndëshkua as me të verdhë, ndërkohë që Italia e mbetur me 10, pas të kuqit nga Markizio, dënohej në minutën e 81-të nga goli i Godinit. Gjithsesi, nëse arbitrit meksikan Rodriges i shpëtoi ky kafshim i radhës i Luis Suarezit, kjo nuk mund t’i shpëtonte FIFA-s, e cila vendosi që ta bëjë shembull uruguaianin: 4 muaj përjashtim nga aventura në klube (sapo kishte firmosur kalimin te Barcelona) dhe 9 ndeshje dënim me kombëtaren e tij.

Bastexhinjtë – Duke njohur “vesin” e uruguaianit, kompanitë e basteve e kuotuan me koeficient 175 mundësinë e kafshimit të Luis Suarezit, gjest i cili bëri të lumtur 167 bastexhinj në të gjithë botën. Më fatlumi ishte norvegjezi Riçard Helmersen, i cili vuri vetëm 4 euro bast dhe në fund u shpërblye me 700 euro.

Po ndodh...