Bllokimi i sistemit politik shpërtheu në shesh. Si protesta po kthehet në opozitë
Bllokimi i sistemit politik shpërtheu në shesh. Si protesta po kthehet në opozitë
Demokracia nuk është thjesht një procedurë zgjedhore ku qytetarët votojnë një herë në katër vjet. Në thelb, ajo është një sistem komunikimi i vazhdueshëm mes shoqërisë dhe institucioneve politike. Qytetarët dërgojnë mesazhe përmes votës, protestës, sondazheve, debatit publik dhe reagimeve të përditshme. Partitë politike kanë detyrën t'i lexojnë këto mesazhe, t'i interpretojnë dhe t'i kthejnë në alternativa politike.
Në këtë arkitekturë, opozita ka një rol po aq të rëndësishëm sa qeveria. Nëse qeveria administron pushtetin, opozita administron pakënaqësinë. Ajo duhet të jetë antena që kap shqetësimet, zemërimin dhe aspiratat e qytetarëve që nuk ndihen të përfaqësuar nga pushteti. Pikërisht për këtë arsye, në demokracitë funksionale, partitë që humbasin zgjedhjet zakonisht reflektojnë mbi mesazhin e elektoratit dhe përshtaten me kërkesat e reja të shoqërisë.
Por çfarë ndodh kur opozita refuzon të dëgjojë?
Atëherë krijohet një boshllëk përfaqësimi. Energjia politike që nuk gjen kanal brenda partive nuk zhduket. Ajo grumbullohet. Fillimisht si pakënaqësi, më pas si zemërim dhe në fund si lëvizje politike jashtë strukturave tradicionale.
Në rastin e Partisë Demokratike, duket se një pjesë e rëndësishme e elektoratit opozitar ka dërguar prej kohësh një mesazh të qartë, nevojën për distancim nga e shkuara dhe ndërtimin e një alternative të re politike. Ky mesazh nuk erdhi vetëm nga kundërshtarët e opozitës, por nga vektorë të rëndësishëm elektoral të saj, të cilët kërkonin rinovim, hapje dhe një identitet të ri politik.
Megjithatë, në vend që ta lexonte këtë sinjal dhe ta kthente në reflektim, opozita zgjodhi ta injorojë. Debati mbi përfaqësimin u zëvendësua nga debati mbi besnikërinë. Kërkesa për ndryshim u interpretua si tradhti. Dhe kështu, një pjesë e elektoratit opozitar mbeti pa adresë politike.
Ky refuzim nuk prodhoi vetëm një krizë brenda Partisë Demokratike. Ai ndikoi në vetë ekuilibrin e sistemit politik. Sepse opozita nuk ekziston vetëm për të kundërshtuar qeverinë, ajo ekziston për të kanalizuar pakënaqësitë, frustracionet dhe aspiratat e qytetarëve që nuk ndihen të përfaqësuar nga pushteti.
Kur opozita refuzon të përfaqësojë rrymat dhe korentet e ndryshme opozitare, energjia politike nuk zhduket. Ajo thjesht del jashtë strukturave tradicionale. Pakënaqësitë grumbullohen, zemërimi rritet dhe qytetarët fillojnë të kërkojnë forma të tjera përfaqësimi.
Kjo është arsyeja pse frustracionet që nuk gjetën zë brenda opozitës u derdhën në shesh. Protesta nuk lindi thjesht si kundërshtim ndaj qeverisë. Ajo lindi edhe si reagim ndaj mungesës së një opozite që të përfaqësonte realisht interesat, shqetësimet dhe aspiratat e qytetarëve.
Në këtë kuptim, sheshi nuk po kërkon vetëm ndryshim pushteti. Ai po kërkon ndryshim përfaqësimi. Po kërkon një opozitë të vërtetë, të aftë të dëgjojë, të kuptojë dhe të artikulojë zërin e atyre që ndihen të përjashtuar nga sistemi politik.
Historia politike tregon se kur institucionet refuzojnë të dëgjojnë, qytetarët gjejnë mënyra të tjera për t'u dëgjuar. Dhe kur opozita nuk arrin të bëhet zëri i pakënaqësisë popullore, vetë pakënaqësia fillon të kërkojë një opozitë të re.
Sepse në demokraci, boshllëqet e përfaqësimit nuk mbeten kurrë bosh për shumë gjatë. Herët a vonë, ato mbushen nga forca të reja, nga lëvizje të reja ose nga vetë qytetarët që vendosin të marrin në dorë rolin që partitë kanë braktisur.
Po ndodh...
Protesta nuk është vetëm e "protestës"
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128