"Parlament i popullit", përballë duetit Rama-Berisha!

Protesta, tashmë që ka fituar vijëmsi dhe mbështetje, duhet të artikulojë jo vetëm akuza por edhe zgjidhje. Pasi e delegjitimoi gjithë propagandën e Ramës për shtet ligjor, për shtet të së drejtës, dhe pasi nxori në pah sintoninë Rama-Berisha përballë qytetarëve, organizatorët tashmë duhet të ftojnë në skenë "parlamentin e popullit". Ky "parlament" mund të sfidojë atë që ka kundërshtuar Rama e Berisha, duke nisur dhënien e zgjidhjeve përmes dëgjesave publike. Sepse, nëse do jemi vetëm te dorëheqja, të dy, si Rama ashtu dhe Berisha, do tentojnë zvogëlimin apo rrëmbimin, siç kanë tentuar ditët e fundit duke u përpjekur që thirrja "Rama burg-Berisha burg" të mos përsëritet shpesh. Pika e tyre më e dobët është pikërisht bazimi te idetë dhe te atdhedashuria. E nëse sheshet e qyteteve do arrijnë të kthehen në qendër debatesh, nëse kjo ndodh edhe në New York, Londër, Romë, Bruksel e Berlin, atëherë Ramës nuk mbetet asgjë veç tentativës për tallje, si ka bërë rëndom gjithë këto vite, duke e mbështetur talljen dhe arrogancën te vota. Por protesta tashmë e ka rrëzuar gjithë këtë narrativë të Ramës, që ka ankth përpara liqeneve, bregdetit e maleve, kur aty nuk janë të përzgjedhurit e tij të biznesit.
Barazimi me Berishën i ka rrëzuar Ramës edhe narrativën e mbrojtjes nga "molotovarët", pasi protesta e deritanishme ka rrëzuar çdo model mbrojtjeje politike të kreut të PS.
Memet aq të larmishme të protestuesve në Shqipëri e anembanë botës, që e gjejmë burimin te vetë gjuha e Ramës, te arroganca e tij, e kanë bërë Ramën që të humbë çdo torua, sa në Elbasan, në festën e PS, mori rolin e kllounit, ktheu gjuhën fyese, imitoi aktorë e influencër, të cilët, me sa duket, ua di shumë mirë pasojat kur ata i kthejnë shpinën.
Ndaj, protesta tani duhet të bashkojë forcat për një "parlament të popullit", që sfidon atë që sot është kthyer në noter për qeverinë dhe që vulos grabitjen me ligj.
Protestuesit vërtetë kanë shumë ngjyra, janë të rinj që s'kanë votuar, janë votues të Ramës e Berishës, apo edhe Shehajt, Lapajt e Qorit. Ndasitë e tyre janë të mëdha, por jo më të mëdha se sa Shqipëria.
Nëse ata nuk duan të dalin të tallur siç ndodhi me studentët apo me protestuesit e rastit "Rasha" ku shkarkoi një ministër, atëherë ata që e organizojnë duhet t'i drejtohen popullit. Me këtë rast, bie dhe alibia e fundit, se i përgjigjet popullit që e ka votuar. Në "Kuvendin e Popullit" i duhet bërë e qartë se, vota nuk i jepet askujt për të sunduar, por për të drejtuar, për të dëgjuar. Sepse, në fund të fundit, kryeministri është një I punësuar i Sovranit, dhe ky i fundit e gris kontratën e arrogancës, talljes dhe mungesës së llogaridhënies./ Alfapress.al
Po ndodh...
Protesta nuk është vetëm e "protestës"
ide
"Parlament i popullit", përballë duetit Rama-Berisha!
Klithma e bukur e protestës, kundër estabilishmentit Rama-Berisha
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128