Mediet: Berishës i lejohet shkuarja në SHBA për arsye shëndetësore

11 Qershor 2026, 11:11 / POLITIKË ALFA PRESS

Mediet: Berishës i lejohet shkuarja në SHBA për arsye

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) po përgatitet t’i komunikojë zyrtarisht ish-kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, se ai mund të udhëtojë drejt SHBA-ve.

Kështu ka arritur të mësojë Albanian Post sipas burimeve pranë Departamentit të Shtetit.

Sipas të njëjtave burime, procesi pritet të përfshijë aspektin mjekësor për liderin 81-vjeçar demokrat, duke bërë kështu një lëshim, pavarësisht etiketimit të tij si ‘non grata’ nga DASH.

Kjo mënyrë e sofistikuar, duke përdorur aspektin mjekësor për të lejuar udhëtimin e tij drejt SHBA-ve, realisht nënkupton se Berishës i është hequr non grata.

Edhe pse prej rreth një jave Albanian Post ka mësuar nga burime jozyrtare se non grata ka qenë drejt heqjes, redaksia nuk e ka marrë ende një konfirmim zyrtar prej DASH-it, pavarësisht interesimit.


Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti i Shtetit në maj të vitit 2021, me argumentin e përfshirjes në korrupsion të konsiderueshëm, një vendim i marrë nga administrata e amerikane nën drejtimin e Joe Biden.

Që prej asaj kohe, Berisha e ka kundërshtuar vazhdimisht vendimin, duke e cilësuar atë si politikisht të motivuar dhe të bazuar në lobim kundër tij.

Pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, kreu i PD-së deklaroi publikisht se do t’i kërkonte administratës së re rishikimin e çështjes.

Do marr iniciativë për të kërkuar nga administrata e re, sipas rregullave që ekzistojnë, që ky vendim strikt anti-opozitë të marrë fund”, deklaronte Berisha në janar të vitit 2025.

Një vit më parë, mbështetësit e tij kanë shtuar përpjekjet në Washington për të kërkuar revokimin e masës.

Në korrik 2025, një raport i përgatitur nga Continental Strategy në emër të Partisë Demokratike i kërkonte Departamentit Amerikan të Shtetit heqjen e përcaktimit, duke e cilësuar atë “të motivuar politikisht, pa bazë faktike dhe të dëmshëm për interesat e politikës së jashtme të SHBA-ve”./AlbanianPost


Vetë Berisha, gjatë mbërritjes në Kuvend këtë të enjte, u mjaftua me dy fjalë: “U krye. Unë erdha.”

Po ndodh...