Bozdo: S’ka arsye për ngritjen e çmimit, përveç keqmenaxhimit dhe vjedhjes

1 Qershor 2023, 18:05 / POLITIKË ALFA PRESS

Bozdo: S’ka arsye për ngritjen e çmimit, përveç

Anëtari i Kryesisë së PD-së Eno Bozdo, i ftuar në News24 ka folur në lidhje me situatën ekonomike në vend dhe deklaratat e kryeministrit për rritjen e çmimit të energjisë.

Bozdo deklaroi se vendimi për të mos rritur çmimin e energjisë para disa muajsh ishte një taktikë politike e qeverisë për shkak të afrimit të zgjedhjeve.

Sipas tij sot tregjet e energjisë janë normalizuar dhe rezervat e Shqipërisë janë në maksimum, pra nuk ka arsye për të ngritur çmimin përveç “korrupsionit, vjedhjeve dhe keqmenaxhimit të situatës”.

Sa i përket rritjes së pagave nga qeveria, Bozdo u shpreh se rrogat e mësuesve, policëve apo mjekëve do rriten gradualisht deri në vitin 2024 dhe jo menjëherë, ashtu si ato të zyrtarëve të lartë.

“Është i njëjti diskutim si muaj më parë. Ishte një taktikë politike për të mos rritur çmimin asokohe për shkak se po hynim në sezon zgjedhjesh.

Sot tregjet e energjisë janë normalizuar dhe mund të përballohet edhe pa rritje çmimi. Kryeministri i referohet verës, por rezervat e Shqipërisë janë në maksimum. Fierza është në limit. Stina e verës nuk ka konsumin më të madh të energjisë, dimri ka më shumë konsum. Së fundmi kryeministri është mburrur vazhdimisht me reformën e sektorit të energjisë elektrike. Kur gjithçka shkon mirë ky diskutim s’ka pse hapet.

Sipas qeverisë situata është shumë e mirë. Çmimet rriten sepse sektori është futur në ngërç financiar për shkak të keq menaxhimit dhe vjedhjeve. Borxhi i palëve të treta ndaj OSHEE është në nivel të lartë. Vitin e kaluar disa qindra milionë euro u injektuan nga qeveria te KESH për të përballuar çmimet e larta. Ajo që u shit si reformë e suksesshme është vetëm në letër. Nuk ka reformë të mirëfilltë në këtë sektor. Rama u referohet që ka forcuar njerëzit të paguajnë energjinë edhe duke i burgosur. Në këtë dekadë nuk ka pasur asnjë investim madhor për diversifikimin e energjisë në vend.

Ekonomia shqiptare ishte ajo që u ndihmua 5-10 herë më pak se vendet e rajonit gjatë momenteve të krizës. Shqiptarët ishin popullata që u mbështet më pak në këtë kohë. Vetëm vitin e kaluar qeveria shqiptare ka fituar jo më pak se 500 milionë euro nga rritja e çmimit të produkteve të lëndëve të para. Këto para janë fituar nga kriza dhe qytetarët kanë humbur.

Pagat e mësuesve, mjekëve do rriten në mënyrë të kontrolluar për të shkuar në nivelin që thotë kryeministri. Mund të mbërrihet deri në vitin 2024 atje, nuk është çështjes për 2 muaj. E menjëhershme do jetë rritja për deputetët dhe zyrtarët e lartë. Problemi nuk është te rritja e rrogave të deputetëve, por moralisht e dyshimtë është që të mos miratohej rritja për veten pa kaluar qoftë te mjeku më i thjeshtë apo polici më i thjeshtë. Kjo shtresë preket drejtpërdrejtë nga rritja e çmimeve.

Brenda PD ka një reflektim të madh për atë që ka ndodhur. Nuk ka më dyshime kë kemi përballë. Situata e zgjedhjeve të 14 majit që me shumë mundësi do përsëritet në zgjedhjet e përgjithshme kërkon një PD ndryshe nga kjo sot. Nuk e konsideroj veten as të dobishëm dhe të them se ai na vodhi pas dy vitesh. Zgjedhjet ishin masakër dhe nuk diskutohet. Ajo që ishte makineria që kontrollonte votën kur opozitës i mori gjithçka sjell një rezultat të tillë. Pyetja që bëhet është nëse do rrimë kështu apo do veprojmë”, u shpreh ai.

 

Po ndodh...