Përshkallëzohet lufta tregtare SHBA-Kanada, Trump vendos tarifa 50% për një sërë produktesh kanadeze
Marrëdhëniet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë kanë hyrë në një fazë të re tensioni, pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi vendosjen e tarifave prej 50% ndaj një game të gjerë produktesh kanadeze.
Shtëpia e Bardhë e justifikoi vendimin duke akuzuar Kanadanë për “trajtim të padrejtë” ndaj automjeteve amerikane, produkteve të qumështit dhe pijeve alkoolike.
Masat e reja do të hyjnë në fuqi brenda 30 ditëve dhe prekin importe me vlerë rreth 20 miliardë dollarë, ose rreth 5.2% të mallrave që SHBA importoi nga Kanadaja gjatë vitit 2025. Tarifat do të zbatohen për një gamë të gjerë mallrash, nga çimentoja dhe materialet e ndërtimit deri te vera, pijet alkoolike dhe pajisjet sportive, përfshirë ato të hokejit.
Megjithatë, administrata amerikane ka përjashtuar nga kjo masë disa sektorë të konsideruar strategjikë për ekonominë e SHBA-së, si energjia, potasi (kaliumi), mineralet kritike dhe produktet e peshkimit. Sipas autoriteteve amerikane, tarifat do të zbatohen edhe për produktet që mbulohen nga Marrëveshja SHBA-Kanada-Meksikë (USMCA).
“Pavarësisht përpjekjeve tona për të arritur marrëveshje tregtare të drejta dhe reciproke, Kanadaja vazhdon të ndërmarrë masa hakmarrëse kundër Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer. Kryeministri kanadez, Mark Carney, reagoi menjëherë, duke e cilësuar vendimin si një tjetër veprim të njëanshëm të Uashingtonit.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Carney tha se Kanadaja do të intensifikojë negociatat me SHBA-në në javët e ardhshme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme. Ai akuzoi administratën amerikane se po shkel Marrëveshjen SHBA-Kanada-Meksikë (USMCA), ndërsa përmendi edhe deklaratat e mëparshme të Donald Trump për mundësinë që Kanadaja të bëhej “shteti i 51-të” i SHBA-së, duke i cilësuar ato si kërcënim ndaj sovranitetit të vendit.
Mosmarrëveshjet që vazhdojnë prej vitesh
Përplasjet tregtare mes dy vendeve nuk janë të reja. Aktualisht, SHBA-ja mban tarifa nga 15% deri në 50% për çelikun, aluminin dhe bakrin kanadez, 35% për lëndën drusore dhe 25% për pjesët e automjeteve që nuk prodhohen në Amerikën e Veriut.
Nga ana tjetër, Kanadaja ka vendosur tarifa hakmarrëse prej 25% për një sërë produktesh amerikane.
Një nga çështjet kryesore të mosmarrëveshjes mbetet industria e automobilave. Trump akuzon Kanadanë se diskriminon prodhuesit amerikanë përmes taksave mbi automjetet dhe pjesët që nuk mbulohen nga marrëveshja USMCA.
Edhe sektori i produkteve të qumështit vazhdon të jetë burim tensionesh. Sistemi kanadez i menaxhimit të furnizimit kufizon importet e huaja dhe, në disa raste, vendos tarifa që mund të arrijnë deri në 300% për produktet që tejkalojnë kuotat e lejuara. Administrata Trump e mbështeti vendimin në Seksionin 338 të Aktit të Tarifave të vitit 1930, i cili lejon vendosjen e masave kundër praktikave tregtare diskriminuese.
Vendimi vjen pasi Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi së fundmi disa tarifa të mëparshme të vendosura nga administrata Trump, duke argumentuar se presidenti kishte tejkaluar kompetencat e tij.
Ndërkohë, bizneset në të dy anët e kufirit kanë shprehur shqetësim për pasojat ekonomike të përshkallëzimit të konfliktit tregtar. Presidentja e Dhomës Kanadeze të Tregtisë, Candace Laing, kërkoi rifillimin e dialogut përpara hyrjes në fuqi të tarifave, ndërsa Këshilli Amerikan i Pijeve të Distiluara paralajmëroi se masat e reja mund të nxisin një valë të re kundërpërgjigjesh tregtare, me pasoja për prodhuesit, eksportuesit dhe konsumatorët në të dy vendet.
Po ndodh...
Protesta dhe dezertorët në PS dhe PD
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128