Mbyllet gara për 6 drejtues departamentesh në Policinë e Shtetit, 9 kandidatë në garë

Është mbyllur afati i aplikimeve për garën për drejtuesit e gjashtë departamenteve kryesore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Afati për dorëzimin e aplikimeve përfundoi të premten, më 17 korrik, ndërsa në proces janë regjistruar gjithsej 9 kandidatë.
Burime nga procesi bëjnë me dije se kandidatët do të konkurrojnë për drejtimin e strukturave më të rëndësishme të policisë, ndërsa gjashtë prej tyre pritet të emërohen në krye të departamenteve.
Në garë janë: Pëllumb Seferi; Artan Barjaktari; Lorenc Panganika; Saimir Muça; Hergis Jica; Idajet Faskaj; Ferdinand Mara; Alban Dauti; Lufti Minxhozi
Departamentet për të cilat po zhvillohet konkurrimi janë:
Departamenti për Policinë Kriminale
Departamenti për Marrëdhëniet Ndërkombëtare
Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse
Departamenti për Rendin dhe Sigurinë Publike
Departamenti i Teknologjisë së Informacionit
Departamenti për Kufirin dhe Migracionin
Procesi i konkurrimit u hap me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, me synimin për të zgjedhur për herë të parë drejtuesit e këtyre strukturave përmes një procedure konkurruese. Pak muaj më parë, gara për drejtimin e departamenteve u anulua pas padisë së ish-drejtueses së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Aida Hajnaj, në Gjykatën Administrative, pasi ajo nuk u rikthye në të njëjtin pozicion që kishte mbajtur më parë në Policinë e Shtetit. Emërimi i saj më pas në një pozicion drejtues departamenti solli zgjidhjen e situatës dhe vijimin e procesit.
Sipas kritereve të përcaktuara në ligjin për Policinë e Shtetit, kandidatët duhet të kenë gradën e rolit të mesëm drejtues, të mos kenë marrë masa të rënda disiplinore gjatë tre viteve të fundit, të mos kenë konflikt interesi dhe të plotësojnë kriteret ligjore e shëndetësore për ushtrimin e funksionit. Në ditët në vijim pritet të zhvillohen fazat e tjera të vlerësimit nga një komision i posaçëm në Policinë e Shtetit. Në përfundim të procesit do të shpallen drejtuesit e rinj të gjashtë departamenteve.
Emërimi i tyre do të bëhet me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe me firmën e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari. Kjo pritet të jetë hera e parë dhe e fundit që drejtuesit e departamenteve në Policinë e Shtetit përzgjidhen përmes konkursit, pasi në Kuvend pritet të miratohen ndryshime në ligjin për policinë, të cilat parashikojnë heqjen e procedurave konkurruese për nivelet më të ulëta drejtuese, me përjashtim të pozicionit të drejtorit të Përgjithshëm.
Po ndodh...
Protesta dhe dezertorët në PS dhe PD
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128