Takimi Kurti-Vuçiç në Ohër, BE zbardh axhendën

17 Mars 2023, 21:20 / KOSOVA ALFA PRESS

Takimi Kurti-Vuçiç në Ohër, BE zbardh axhendën

Nesër më datë 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të zhvillojë një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në kuadër të dialogut mes dy vendeve. Përmes një deklarate zyrtare nga BE, bëhet e ditur se të dy liderët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim, i cili do të fillojë në orën 10:00.

Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime me secilin nga liderët, duke filluar nga ora 10:30. Më pas, do të ketë një takim trepalësh. Takimi do të fokusohet në finalizimin për zbatimin e aneksit të planit evropian për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Borrell.

Takimi në Ohër 

Në takimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, përveç delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë që do të takohen nën ndërmjetësimin e BE-së do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në cilësinë e vëzhguesit. Escobar më 17 mars në Prishtinë u takua me krerët shtetërorë dhe u shpreh optimist për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin me Escobar, tha se në Ohër delegacioni i Kosovës udhëton me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë. Propozimi evropian, që Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

 

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128