
Fisi Ilir i Dardanëve/ Si u krijua Mbretëria, lufërat që ata zhvilluan me Maqedonasit, Romakët, Osmanët dhe ndarja e madhe

Dardanët ishin fis Ilir që shtriheshin në mesin e Ballkanit, kryesishtë në Kosovën e sotme dhe rrethinën e saj. Dardanët ishin fisi themelues i Mbretërisë së Dardanisë rreth shekullit IV p.e.s në të cilën bënin pjesë dhe fiset e njohura Thunatët dhe Galabrët.[2] Në përbërjen e kësaj mbretërie hynin edhe fise të tjera më vogla si p.sh. Diestët, Pirustët etj. por për të cilat mungojnë të dhënat e mjaftueshme.
Që nga shekulli XIX e gjer më tani janë shfaqur tri teza lidhur me prejardhjen e dardanëve: teza mbi përkatësinë ilire, teza mbi përkatësinë trakase dhe së voni teza mbi prejardhjen dako-meze. Që të këto tri teza, nga autorët e tyre mbështeten kryesisht mbi burimet e shkruara e të vona antike dhe mbi monumentet epigrafike të periudhës romake. Ndërkaq tezën e hershme mbi etnitetin ilir të dardanëve e mbështesin një numër i konsiderueshëm studiuesish të ndryshme të letërsisë, që nga shekulli XIX e gjerë më sot, duke u nisur nga linguistët Tomashek, P. Kreçmer, H. Krahe, N. Jokl e N. Vuliq.
Dardanët janë shtrirë në pjesën e Kosovës së sotme
Krijimi
Në shek.IV p.e.s u krijua Mbretëria Dardane, e cila shtrihej në territorin e Kosovës së sotme e të krahinave të tjera përreth. Kufijtë e saj shkonin në veri deri te qyteti i Nishit, kurse në jug deri në Kukës dhe në rrjedhën e sipërme të Vardarit. Mbreti i parë dardan që njohim, është Longari. Pas tij erdhën mbretërit Bato Dardani dhe Monuni. Rolin kryesor në mbretëri e luajti fisi dardanëve. Në këtë mbretëri bënin pjesë edhe fise të tjera, ndër të cilat njohin Galabrët dhe Thunatët.
Dardania ishte e njohur në botën e lashtë për tokat e saj të gjera e pjellore, për punimin e arit dhe për përpunimin e produkteve blegtore. I Njohur ka qenë veçanërisht djathi dardan. Shoqëria ilire e dardanëve mbështetej në sistemin skllavopronar. Shkrimtarët antikë tregojnë se dardanët kishin kaq shumë skllevër, sa vetëm njëri prej tyre mund të kishte deri në 1000 veta e ndoshta edhe më shumë. Secili nga këta skllevër punonte tokën.
Në kohë lufte skllevërit merrnin pjesë në ushtri, duke pasur si prijës pronarin e tyre. Mbretëria Dardane kishte krijuar një ushtri të fuqishme dhe të organizuar mirë. Veçori e luftëtarëve dardanë ishte se ata hidheshin të gjithë së bashku në sulm dhe po kështu së bashku tërhiqeshin me radhë të shtrënguara, duke mos lënë në sheshin e luftës as të plagosurit e tyre. Forca e kësaj ushtrie u tregua sidomos në shek.III p.e.s, kur dardanët qenë në gjendje të mbroheshin nga dyndjet e fuqishme të keltëve, të cilët zbritën nga Evropa Qendrore. Madje dardanët treguan gatishmërinë të ndihmonin edhe Maqedoninë, që të përballonte këto sulme. Siç dëshmojnë shkrimtarët e lashtë, historia e Mbretërisë Dardane është mbushur me luftëra të pandërprera kundër Maqedonisë dhe më vonë kundër romakëve.
Me Mbretërinë Ardiane, dardanët mbajtën marrëdhënie miqësore, por patën edhe konflikte, të shtyrë nga fisnikëria skllavopronare, dhe kjo pati pasoja shumë të rënda ekonomike e politike si për ardianët, ashtu edhe për dardanët. Në mesin e shek. III p.e.s, kur sundonte mbreti Longar, ushtritë dardane u përpoqën të shtrinin kufijtë e tyre deri në brigjet e Adriatikut, duke shfrytëzuar faktin që ushtritë ardiane të mbretëreshës Teuta ndodheshin në Epir. Ky operacioni ushtarak fillimisht pati sukses, por me kthimin e ushtrive ardiane nga Epiri, dardanët u detyruan të lëshonin tokat e pushtuara e të ktheheshin në kufijtë e mëparshëm. Pas kësaj Longari i drejtoi ushtritë e tij në jug dhe pushtoi tokat e Mbretërisë Paione, që ndodheshin në veri të kufijve të Maqedonisë.
Luftërat e dardanëve kundër maqedonasve
Rreth vitit 21 p.e.s luftimet ndërmjet dardanëve dhe maqedonasve morën përmasa të gjera, aq sa mbeti i vrarë në betejë edhe mbreti maqedonas Demetri II. Pas vdekjes së tij, dardanët i shpeshtuan sulmet në Maqedoni, derisa Antigon Dozoni i detyroi të largoheshin nga mbretëria e tij. Kur mbreti maqedonas Filipi V ndodhej në luftë me grekët, në vitin 219 p.e.sonë, dardanët vërshuan përsëri kundër Maqedonisë. Ushtritë maqedonase u detyruan të ktheheshin në trojet e tyre dhe për të përforcuar kufijtë veriorë, pushtuan qytetin më të madh të Paionisë, Bylazorën (Velesi). Në vitin 216 p.e.sonë ushtritë dardane ndërmorën një operacion të fuqishëm ushtarak kundër Maqedonisë, duke zënë 20 000 robër. Ata zbritën deri në fushën e Argos, në brigjet e lumit Haliakmon. Kjo fushatë u ndoq nga kundërsulme të reja që bëri Filipi V kundër dardanëve, duke u shkaktuar atyre humbje të rënda në ushtri. Në vitin 200 p.K. mbretërit dardanë Longari e Bato, së bashku me ardianët e mbretër të tjerë, lidhën aleancë me romakët kundër Maqedonisë. Kjo i shtyu dardanët të ndërmerrnin sulme të reja në jug të kufirit të tyre. Dardanët nuk i pushuan luftërat për të çliruar tokat që ndodheshin në jug të mbretërisë së tyre, toka që dikur i përkisnin Mbretërisë Paione dhe që i mbante të pushtuara Maqedonia, duk u mbyllur kështu atyre rrugët tregtare që i lidhnin me krahinat jugore të Ballkanit. Duke mos qenë në gjendje të ndërprisnin sulmet dardane, maqedonasit bënë marrëveshje me fiset kelte dhe të vendoseshin vetë në tokat e tyre. Kjo gjë nuk u arrit. Dardanët i thyen ushtritë kelte dhe çliruan tokat që ata kishin pushtuar. Edhe pasi u shkatërruan Mbretëria Ardiane dhe ajo e Maqedonisë. Dardania vazhdoi të ishte ende e lirë, ndonëse nga aleanca me romakët dardanët nuk arritën përfitimet e dëshiruara. Romakët nuk u dhanë tokat e Paionisë, por vetëm të drejtën për të tregtuar kripë.
Luftërat e dardanëve kundër romakëve
Luftërat e dardanëve kundër romakëve për shumë vjet me ashpërsi shumë të madhe, në rrethanat kur senati romak synonte të shtrinte pushtimet e tij në të gjitha tokat ilire dhe të arrinte deri në Danub. Edhe pas shqetësimeve që u shkaktoi rifillimi i sulmeve kelte, dardanët i vazhduan inkursionet e tyre kundër Maqedonisë, cila ishte kthyer tashmë në provincë romake. Dardania u bë pengesë serioze për shumë vjet me radhë për ushtritë pushtuese romake, të cilat nuk hiqnin dorë nga synimet e tyre. Megjithatë në vitin 97 p.e.s romakët arritën të vinin nën varësi të përkohshme dardanët dhe fise të tjera fqinje, të cilat më vonë i ripërtërinë forcat dhe u shkaktuan humbje të rënda romakëve.
Aq të vështira ishin këto luftëra për romakët, sa kur konsulli romak Kurioni përgatitej me 5 legjione të nisej në luftë kundër Dardanisë, njëri nga këto legjione ngriti krye dhe nuk pranoi t'i bindej komandantit të vet të shkonte në këtë luftë që ushtarët e quanin të rrezikshme. Romakët i krahasonin dardanët me kuçedrën e Lernës, e cila, edhe kur ia prisnin të gjitha kokat që kishte, i ringjallte përsëri. Me këtë krahasim ata shprehnin qëndrueshmërinë e madhe të dardanëve ndaj kundërshtarit. Pas luftërave të gjata me romakët, nga fundi i shek.I p.e.s dardanët e humbën pavarësinë e tyre dhe hynë nën varësinë e plotë të Romës.
Shqiptarët e hershëm të mesjetës dolën nga kaosi i shkatërrimit te Perandorisë Perëndimore Romake si pasardhës të fiseve të dardanëve dhe feonëve, që jetuan ne Ilirinë e Sipërme dhe Trakë, deri në kohët e pushtimeve masive të gotëve gjerman, që u zhvilluan në trojet shqiptare gjatë shekullit të katërt të erës sonë. Në fund të shekullit të gjashte, trako dhe ilirët u çvendosën nga dyndjet e avarëve, antëve dhe fiseve bullgare turko - ugrike të sllavizuarva. Vendi i fundit ku ilirët gjetën strehë gjatë këtyre dyndjesh barbare ishin malet e Epirit, Thesalisë, Maqedonisë Perëndimore dhe Dalmacisë. Në 535, ushtritë e Perandorit Bizantin Justinian pushtuan Ilirinë dhe Moesinë dhe dëbuan gotët, lombardët dhe gepidët nga trojet ilire. Por 100 vite më vonë, perandor Herakli i II-të ftoi fiset gjysëm të egra të sorbianëve (shkije) dhe khrobates? (hrvati, kroatët) nga Kiskarpathia, të cilët të udhëhequr nga prijësit e tyre pushtuan territoret e Silezisë së sotme dhe të Polonisë Jugore, vende që ishin braktisur nga vandalët gjermanë dhe ostrogotët. Perandori bizantin i vendosi sllavët edhe në Ballkanin Perëndimor si mbrojtës të Konstandinopojës nga avarët. Pas kesaj, shkijet, kroatët dhe fise te tjera sllave, shumë shpejt dyndën Moesinë, Trakën, Maqedoninë dhe Greqinë, ndërsa sulmuan edhe Kretën. Megjithatë bizantinët arritën t’i nënshtrojnë ata.
Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, më 395, trevat iliro-shqiptare hynë në përbërje të Perandorisë Bizantine, siç quhet zakonisht pas kësaj date Perandoria Romake e Lindjes sipas emrit antik të kryeqytetit të saj, Bizant, që për nder të Konstandinit të Madh u quajt Konstandinopojë. Ashtu siç i kishin dhënë Perandorisë Romake një numër perandorësh e gjeneralësh të shquar, po ashtu gjatë periudhës së hershme bizantine (shek. V-IX), trevat iliro-shqiptare i dhanë Perandorisë Bizantine disa perandorë, ndër të cilët shquhen në mënyrë të veçantë Anastasi I nga Durrësi (491-518) dhe Justiniani I nga Taurisium i Shkupit (527-565).
Perandorët bizantinë i kushtuan vëmendje të veçantë mbrojtjes strategjike të trevave iliro-shqiptare. Perandori Justiniani, ndërtoi nga e para apo rimëkëmbi 168 kështjella në katër provincat ilire: të Dardanisë, Prevalit dhe të dy Epirëve. Nga qytete e provincës së Dardanisë, Prizreni dhe Shkupi kishin rëndësi të madhe për pushtetin bizantin. Mbrojtja e tyre dhe e territorit në juridiksionin e tyre, u ishte besuar forcave e komandantëve vendas. Trupa ushtarake iliro-shqiptare shërbenin gjithashtu në vise të tjera të Perandorisë, sa në Lindje aq edhe në Perëndim. Në kohën e perandorit Justinian, ushtarë iliro-shqiptarë shërbenin në ushtrinë bizantine me qëndrim në Itali.
Gjatë sundimit bizantin, filloi edhe përhapja në masë e krishterizmit në provincën e Dardanisë. Persekutimet e mëdha kundër të krishterëve regjistruan edhe në provincën dardane martirë të shumtë, kulti i të cilëve u ruajt në shekuj. Nga martirët më të shquar ishin edhe Lauri dhe Flori nga Dardania. Pavarësisht nga përpjekjet për mbytjen e fesë së re, krishterimi u afirmua në Dardani në mënyrë përfundimtare. Pas persekutimeve të mëdha të shek. IV, burimet historike flasin për një strukturë kishtare mjaft të konsoliduar. Në Justiana Prima, qytet dardan, ndodhej kisha metropolitane e Dardanisë, ku ishte i vendosur kryepeshkopi. Peshkopata e Shkupit ishte nën varësinë e Kishës Metropolitane të Shkodrës.
Nën sundimin e Dioklecianit e më tej të Konstandinit, Perandoria Romake iu përshtat një organizimi të ri administrativ. Njësia më e madhe administrative u bë prefektura, që përmbante disa dioqeza, të cilat nga ana e tyre ishin të ndara në një numër edhe më të madh provincash. Prefektura e Ilirikut (praefectura praetorio per Illyricum), përfshinte dioqezat e Dakisë e të Maqedonisë. Në dioqezën e Maqedonisë, bënin pjesë pronvincat e Prevalit, Dardanisë, Epirit të Vjetër dhe Epirit të Ri, që përfaqësonin hapësirën gjeografike të banuar nga pasardhësit e ilirëve, shqiptarët, përgjatë gjithë mesjetës e deri në kohët e reja. Funksionari më i lartë i prefekturës së Ilirikut, prefekti i pretorit për Ilirikun, e kishte selinë e vet në Selanik.
Në shekujt IV-VI, filloi dyndja e popujve. Megjithëse nuk përkonin me drejtimin kryesor të dyndjes së popujve, trevat shqiptare nuk mbetën tërësisht jashtë tyre. Inkursionet e gotëve, gotëve të lindjes (ostrogotëve) dhe atyre të perëndimit (vizigotëve) aty nga fundi i shek. IV prekën edhe trevat iliro-shqiptare.
Afërsisht, në mesin e shek. V Gadishullin Ballkanik e sulmuan hunët të komanduar nga Atila, duke shfrytëzuar rastin që ushtria bizantine ishte e zënë në luftë me vandalët. Brenda pak vjetëve ai pushtoi e grabiti shumë qytete të trevave iliro-shqiptare, në mënyrë të veçantë, Dardaninë. Burimet bashkëkohëse e përshkruajnë Dardaninë si një vend të shkretuar. Me vdekjen e Atilës federata hune u prish dhe kështu pushuan sulmet e tyre kundër Perandorisë Bizantine.
Me qëllim që të frenonte zbritjet e “barbarëve” nga kufijtë veriorë, perandori Justinian me origjinë nga Taurisium i Dardanisë, i kushtoi vëmendje ngritjes së një sistemi fortifikatash në disa breza, që fillonte nga vija kufitare e Danubit, në veri, dhe zhvillohej valë-valë duke zbritur në drejtim të jugut. Vetëm në atdheun e tij, në Dardani, perandori bizantin meremetoi 61 kështjella dhe ndërtoi nga themelet 8 kështjella të tjera. Një ndër këto kështjella, e quajtur për nder të tij Justiniana Prima (Shkupi), u ngrit në vendlindjen e perandorit, Taurisium.
Ndryshe nga popujt e tjerë, dyndjet e sllavëve në Ballkan u shoqëruan me një dukuri të re, atë të ngulimeve. Në vendet e shkelura prej tyre, sllavët u ngulën duke formuar të ashtuquajturat "Sklavini" (vende të sllavëve). Në fund të shek.VI e fillim të shek. VII, Sklavini të tilla ishin formuar në Maqedoni, Traki, Thesali, Beoti e, në një numër mjaft të madh, në Peloponez.
Në fillim të shek.VII, perandor Herakli lejoi vendosjen e dy fiseve të mëdha sllave, të kroatëve dhe të shkijeve (serbëve). Këta të fundit zunë vendet e përshkuara nga lumenjtë Lim e Drina e sipërme bashkë me Pivën e Tarën, luginën e Ibrit dhe rrjedhën e sipërme të Moravës perëndimore. Në jug dhe në perëndim shkijet kufizoheshin me diokletë si dhe me trebinjët e zaklumët sllavë. Bërthamën e vendeve ku u vendosën shkijet e përbënte krahina e Rashës, në veri të Novi-Pazarit të sotëm. Në jug arrinin deri në burimet e lumit Lim. Gjithsesi, burimet historike të mesjetës së hershme, ndërsa flasin për krijimin e zonave kompakte të sllavizuara (sklavini) në viset fqinje të Dalmacisë, Rashës, Maqedonisë, Peloponezit etj., nuk përmendin ekzistencën e të tillave në katër provincat e Ilirikut Perëndimor. Mbijetesa, historikisht e dokumentuar, në këto treva të qyteteve antike, e qendrave dhe e strukturave kishtare, si dhe prania ndonëse e dobësuar e pushtetit bizantin flasin përgjithësisht për ekzistencën këtu të kushteve pak a shumë normale të jetës në shekujt e errët të mesjetës.
Që në shek. VII-VIII situata etnike në Ballkan u stabilizua dhe nuk përmenden më dyndje popujsh. Kjo gjendje etnike e shekujve të hershëm të mesjetës, në atë që u konstituua si atdheu mesjetar i shqiptarëve (Albania-Arbëria), mbeti në thelb e pandryshuar edhe në shekujt e mëvonshëm. Karvanet e tregtarëve që në shek. XIII-XV niseshin nga Raguza (Dubrovniku) e nëpërmjet Breskovës e Rudnikut (Sanxhak) mbërrinin në Trepçë e në Novobërdë, kalonin nëpër vende të banuara nga shqiptarë e ku flitej gjuha shqipe (lingua albanesca).
Në vitin 1054, kur u bë ndarja e kishave, trojet shqiptare që përfshinin ish provincën e Dardanisë, në pjesë të madhe kaluan në kuadër të Kishës Katolike. Katolicizmi mbeti feja dominuese për disa shekuj.
Shkëputja nga Bizanti dhe ekspansioni sllav
Derisa ushtria dhe administrata bizantine mbusheshin gjithnjë e më shumë me elementin vendas, kurse, nga ana tjetër, zgjerohej vazhdimisht numri i zonave autonome, ku pushtetin real e ushtronin krerët dhe zotërit e vendit, u krijuan kushtet për ndarjen nga Bizanti. Por tokat shqiptare të Dardanisë, ishin shumë tërheqëse për shtetin e fuqishëm serb, që u krijua në fillim të shek. XIII. Dardania ra tërësisht nën sundimin serb, në kohën e sundimit të mbretit serb, Stefan Dushanit (1331-1355). Më pas i njëjti fat ishte edhe i të gjitha tokave shqiptare. Në një relacion të vitit 1332 të kryepeshkopit frëng të Tivarit, Guljelmi i Adës, për sundimin sllav në trojet shqiptare shkruhet: "Arbrit janë të shtypur keq nga zgjedha e padurueshme dhe tepër e rëndë e sunduesve të urryer sllavë... Klerikët poshtërohen e persekutohen, fisnikët shpronësohen e burgosen".
Duke filluar nga shek. XIII, mbretërit serbë nga dinastia Nemanja punuan për ta zhvendosur epiqendrën e shtetit të tyre nga Rasha në drejtim të viseve të pasura të Kosovës e të Gentës. Qytetet e këtyre të fundit, Shkodra, Prizreni, Prishtina e Shkupi, u bënë në kohë të ndryshme seli të oborrit serb. Një tjetër qendër e rëndësishme e Kosovës, Peja, prej mesit të shek. XIII u kthye në qendër të kishës autoqefale serbe. Zhvendosja e qendrave të gravitetit të shtetit serb drejt jugut u shoqërua me dukuri të tjera të natyrës shoqërore e etnike, të cilat qenë më të dukshme në Kosovë. Një pjesë e aristokracisë vendase u shpronësua e u zëvendësua nga aristokracia serbe e tokës, laike e sidomos fetare. Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XIII serbizohen kishat e manastiret e Kosovës dhe ndërtohen shumë syresh, të cilat u pajisën me fonde të mëdha tokësore. Në kohën e sundimit të Stefan Dushanit, manastiret, tashmë të serbizuara, të Deçanit, Greçanicës, Banjskës, Kryeëngjëllit, manastiri i Hilandarit në Malin i Shenjtë e krahas tyre peshkopatat e Pejës, Prizrenit etj., zotëronin një pjesë të konsiderueshme të fshatrave të Kosovës e të viseve të tjera veriore shqiptare.
Shtrirja e shtetit serb në drejtim të Kosovës u shoqërua edhe me ardhjen këtu të kolonëve të rinj nga territoret e Serbisë së mirëfilltë (Rashës). Të porsaardhurit populluan fshatrat e braktisura (selishtë) ose u vendosën në pronat e përvetësuara rishtazi nga feudalët apo kishat e manastiret serbe. Krahas kolonizimit, mbretërit serbë, e në veçanti car Stefan Dushani, zbatuan një politikë që synonte asimilimin e popullsive shqiptare të viseve të pushtuara. Si më të efektshme në këtë drejtim u zgjodhën represioni dhe persekutimet në lëmin fetar. Kapituj të tërë të kodit të Stefan Dushanit dhe urdhëresa të veçanta të carit serb parashikonin masa të rrepta, si sekuestrim të pasurisë, damkosje, dëbim e deri dënim me vdekje për të krishterët katolikë e ortodoksë, që nuk pranonin të konvertoheshin në ortodoksinë serbe e nuk ripagëzoheshin duke marrë emra sllavë. Masa të tilla goditnin në radhë të parë popullsitë shqiptare të besimit katolik. Ato përcaktuan përhapjen e fenomenit të sllavizimit fetar-onomastik në shtresa të caktuara të popullsisë shqiptare. Kjo është arsyeja që midis shek. XIII-XIV, krahas shqiptarëve gjithsesi të shumtë, që mbanin emra, si Gjin, Dedë, Gjon, Progon, Llesh, gjenden në këto treva edhe shqiptarë të tjerë, të cilësuar nga vetë dokumentacioni si të tillë, që mbanin emra sllavë ose që i ishin përshtatur onomastikës sllave. Emra, si Pribisllav, Radomir, Vladislav apo mbiemrat Vogliç, Kuqeviç, Flokovci, Gjinovci etj., dëshmojnë se në këtë kohë (gjysma e parë e shek. XIV) një pjesë e popullsisë shqiptare të trevave veriore, nën presionin e dhunshëm të pushtuesve serbë, gjendej në një fazë kalimtare të një asimilimi kulturor e fetar. Në mjaft treva ky proces asimilimi u ndërpre në kushtet e reja që u krijuan me shkatërrimin e shtetit serb e mbërritjen e turqve osmanë (gjysma e dytë e shek. XIV). Pikërisht në këtë kohë vihet re aty një kthim i popullsisë në onomastikën karakteristike shqiptare. Megjithatë, në një pjesë të territoreve në fjalë, sidomos në zona të veçanta të Gentës (Zetës), procesi i sllavizimit vazhdoi edhe paskëtaj duke çuar gradualisht në asimilimin kulturor dhe etnik të bashkësive të tjera shqiptare.
Pushtimi serb i Stefan Dushanit, i ngarkuar me pasoja të rënda ekonomike, shoqërore e etnike, ndeshi në qëndresën e ashpër të popullsisë shqiptare. Që në vitin e parë të sundimit të Stefan Dushanit, në trevat veriperëndimore shpërtheu një kryengritje antiserbe, në krye të së cilës u vu bujari Dhimitër Suma (1332). Zgjerimi i saj e nxiti kryepeshkopin e Tivarit, Guljelmin e Adës, të projektonte organizimin e një kryqëzate të Perëndimit kundër serbëve, e cila do të mbështetej në kontributin vendimtar të kryengritësve shqiptarë të zonave të veriut. Në këtë mënyrë që nga Genta e Kosova deri poshtë në Epir lindën ose u ringjallën formacione politike të dyerve më të shquara shqiptare, Balshët, Gropajt, Topiajt, Matrëngët, Muzakët, Zenebishët, Bua-Shpatat etj.
Kosova nën Perandorinë Osmane
Zgjerimi i Perandorisë Osmane, bëri të nevojshëm ndryshimin e organizimit të saj shtetëror. Për ta vënë atë mbi baza më të qëndrueshme administrative e juridike, gjatë mbretërimit të sulltan Sulejmanit II (1520-1566), u krye një organizim i ri i shtetit dhe u rishikuan e u plotësuan ligjet ekzistuese me urdhëresa të tjera në përshtatje me kushtet e reja, me synim që të arrihej në radhë të parë centralizimi i pushtetit në duart e sulltanit.
Në përfundim të këtij riorganizimi, territoret e gjithë perandorisë u ndanë në 32 ejalete, që ishin njësi më të vogla administrative. Në krye të çdo ejaleti kishte një bejlerbej. Krahinat e Gadishullit Ballkanik u përfshinë në tri ejalete: ejaleti i Bosnjës në veri të gadishullit, ejaleti i Rumelisë në qendër dhe ejaleti i Detit në ishujt e detit Egje dhe në një pjesë të bregdetit jugor. Çdo ejalet u nda në një numër sanxhakësh. Territoret e Shqipërisë bënin pjesë në ejaletin e Rumelisë. Ato u ndanë në disa sanxhakë. Numri, shtrirja dhe emërtimi i tyre ka ndryshuar herë pas here. Sanxhakut të Shkodrës, të cilit më 1499 i ishin shtuar krahina të Malit të Zi dhe në fillim të shek. XVI edhe krahina të Rrafshit të Dukagjinit, iu shkëput krahina e Gjakovës, që i kaloi sanxhakut të Dukagjinit; sanxhakut të Vlorës iu shkëputën krahinat e Delvinës dhe të Çamërisë, me të cilat u krijua sanxhaku i Delvinës. Sanxhakët e Elbasanit, të Ohrit, të Dukagjinit, të Prizrenit, të Vuçiternës, të Shkupit dhe të Janinës mbetën siç ishin më parë. Çdo sanxhak ishte një unitet administrativ e ushtarak që përfshinte timaret, ziametet dhe forcat e tyre ushtarake përkatëse. Sanxhakë u ndanë në njësi më të vogla, të cilat u quajtën kaza, kurse këto të fundit u ndanë në nahije. Në çdo sanxhak kishte një mëkëmbës të sanxhakbeut (myteselim) dhe komandant të spahinjve (allaj-bej), kurse në çdo kaza një gjykatës (kadi) që varej drejtpërdrejt nga sulltani. Përveç këtyre pati edhe funksionarë të tjerë të një rëndësie më të vogël nëpër nahijet. Shumica dërrmuese e funksionarëve, ashtu si dhe shumica e feudalëve, ishin me origjinë shqiptare.
Kosova, gjatë kësaj periudhe, njohu një zhvillim të madh ekonomik. Klasa kryesore sunduese, ishte klasa ushtarake, për të cilën punonte klasa punëtore që quhej raja. Sipas funksionit, ushtarakët ndaheshin në njerëz të shpatës dhe të penës. Në njerëzit e penës përfshiheshin ulematë, kadilerët, nëpunësit e financës. Në të shpatës hynin në radhë të parë zotëruesit e timareve, të ziameteve dhe haseve të lidhur me shërbimin ushtarak, zotëruesit e feudeve të lidhur me shërbime në administratën shtetërore, pronarët e mylqeve tokësore. Për të gjithë këta i përbashkët ishte fakti se, si zotërues të tokës, ata gëzonin të drejtën të merrnin prej fshatarësisë një pjesë të të ardhurave. Në shek. XVI-XVII shtresa drejtuese në rajonet e ish-principatave shqiptare, duke përjashtuar ndonjë sanxhakbej, myfti apo kadi të dërguar nga vise të tjera, ishte me prejardhje vendase. Për më tepër, një pjesë e saj vinte nga radhët e fisnikërisë shqiptare të parapushtimit, por tashmë, pavarësisht nga kjo prejardhje, ajo ishte pjesë e pandarë e tërësisë së klasës feudale osmane.
Të dhënat e defterëve kadastralë të shek. XVI dëshmojnë për krijimin e dy kategorive çifligjesh në zotërim të feudalëve, të ngritura mbi tokat jorajatike dhe më vonë rajatike, të ngarkuara vetëm me detyrimet ndaj zotëruesit të tokës. Që nga gjysma e dytë e shek. XVI sistemi i timarit hyri në fazën e shthurjes, e cila u forcua edhe më tepër gjatë dy shekujve (XVII-XVIII) dhe vazhdoi deri në reformat centralizuese tanzimatiste të viteve 30 të shek. XIX.
Nga gjysma e dytë e shek. XVIII, krahas bejlerëve si pronarë çifligjesh dalin tregtarë, veçanërisht në qytetin e Shkodrës. Në fund të shek. XVIII u dalluan familje të mëdha çifligare, si: Begollajt në Pejë, Rrotullarët në Prizren, e të tjerë.
Në shek. XVII-XVIII edhe pronat e institucioneve fetare myslimane e të krishtera morën formën e çifligjeve. Ato u zgjeruan në radhë të parë nga dhurimet e shtetit dhe të besimtarëve. Çifligjet e klerit mysliman qenë përqendruar kryesisht në toka pjellore të fushave të Shkodrës, Kosovës, Tiranës, Elbasanit, Myzeqesë, Korçës, Janinës, Artës etj. Në Shqipërinë Verilindore, në fushën e Kosovës, midis Vuçiternës dhe Prishtinës ishin zotërues çifligjesh teqetë.
Largimi i ushtrisë austriake dhe shpërngulja e një pjese të popullatës nga Kosova
Me ushtrinë austriake u larguan nga Kosova shumë kryengritës, besnikë të Austrisë. Mbi këtë fakt u ngrit teza e historiografisë serbe mbi të ashtuquajturën “shpërngulje të madhe të serbëve nga Kosova dhe mbi popullimin e saj nga shqiptarët”. Është e vërtetë se midis atyre që u tërhoqën së bashku me ushtrinë austriake ishte patriarku i Pejës, Arsen III Cërnojeviçi, së bashku me disa murgjër që nëpërmjet Jenipazarit e Studenicës u vendos në Panoni. Por serbët që u larguan me të nuk ishin aq të shumtë në numër sa të bëhet fjalë për një shpërngulje të madhe të tyre nga Kosova në ato vite. E ashtuquajtura “shpërngulje e madhe e serbëve nga Kosova” është një sajesë e historiografisë serbe, e bërë me qëllime të caktuara politike. Të mbështetur në të dhënat e kishës serbe, mjaft historianë serbë duke synuar t`i japin “një mbështetje” historike e shkencore politikës grabitqare të Serbisë ndaj tokave shqiptare të Kosovës, janë orvatur të provojnë se Kosova kishte qenë në mesjetë qendër e shtetit serb dhe trevë e banuar nga serbët deri në fund të shek. XVII - fillimi i shek. XVIII. Pas luftërave austro-osmane të viteve 1683-1699, pohojnë këta autorë, një pjesë e popullsisë serbe që mori anën e Austrisë, qenkërka tërhequr për në veri dhe vendin e tyre e paskan zënë shqiptarët e ardhur nga vise të brendshme të Shqipërisë së Veriut. Historianë të tjerë, duke rënë viktimë e njëanshmërisë së burimeve dokumentare serbe, janë bashkuar me autorët serbë. Kështu është krijuar një letërsi e tërë historike që nuk i përgjigjet të vërtetës shkencore. Megjithatë, ka edhe mjaft studiues që e kundërshtojnë këtë mendim që mbizotëron në historiografinë serbe. Në disa vepra të historiografisë austriake dhe italiane, të mbështetura në burime të besueshme, pranohet se territoret e Kosovës ishin të banuara nga popullsi shqiptare dhe përfshiheshin brenda kufijve të Shqipërisë si nocion etnik.
Dokumentet e komandës së lartë ushtarake tregojnë se nga forcat që u vunë përkrah forcave austriake, dy grupe ishin më kryesorët: shqiptarët dhe “serbët”. Nga një përllogaritje e përafërt del se numri i shqiptarëve ishte dy herë më i madh se ai i “serbëve”. Përveç dokumenteve të komandës ushtarake, edhe dokumentet angleze e papale dëshmojnë se shumë shqiptarë qëndruan deri në fund me austriakët. Edhe ndër të shpërngulurit që nuk i kalonin të 10 000 vetat shqiptarët ishin më të shumtë. Sipas një interpretimi që meriton të përmendet, edhe termi “serb”, i cili përdorej në dokumente, nënkuptonte shqiptarët ortodoksë që bënin pjesë në juridiksionin e kishës së Pejës. Në këtë rast duhet pranuar se kryengritësit e Kosovës, që u bashkuan me austriakët, ishin thuajse të gjithë shqiptarë.
Kosova pas ndarjes nga Shqipëria
Me krijimin e mbretëris Serbe teritori i Dardanisë nga kleri i ritit lindor quhej Serbia e Re dhe me rritjen e ndikimit të klerit sllav në Ballkan dhe krijimit të mitit të Kosovës, pjesa më e madhe e ish-vilajetit të Kosovës fillon të quhet Serbia e Vjetër e më vonë Kosovo i Metohia ndërsa teritori i Dardanisë ndahet në tri njësi "Banovina" të Mbretërisë Jugosllave dhe një pjesë në Shqipëri. Gjatë luftrave Ballkanike dhe botërore bëhen luhatje të shumta të kufinjëve dhe emërtimeve dhe nga to pjesa më e madhe e ish vilajetit të Kosovës hynë në një federatë laike Serbe si njësi konstituive e Federatës Jugosllave. Pas kthimit të klerit në fuqi në federaten serbe dhe shkatërrimit të Federatës Jugosllave, Kosova okupohet nga kleri dhe qeveia e Milosheviqit të cilët në ish-Pashallëkun e Beogradit kishin instaluar një sistem shtetrorë dual (dyfishë: nacional dhe ortodoks mesjetar) nga ku kordinonin veprimet në teritorin e ish- Federatës Jugosllave.
Pas ndërimeve kushtetuese të dhunshme në Kuvendin e Kosovës me 28 mars 1989, të organizuar nga Lidhja Komuniste e Serbisë në krye me Milosheviqi dhe të përkrahura nga kleri ortodoks, Kosova mbetet nën juridiksionin e Republikës së Serbisë, si krahinë e saj, ndërsa me 2 korrik 1990, Kuvendi i Kosovës shpall Kosovën, republikë në kuadër të Federatës Jugosllave. Ky vendim nuk u njoh nga organet serbe e as ato federative.
Në vitet 1992-1993, Lëvizja Popullore e Kosovës në mërgim, vendos krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila mori aksione guerile kundër makinerisë pushtuese serbe derisa doli publikisht me 28 nëntor 1997.
Me 28 shkurt 1998, pas masakrave në Likoshan dhe Qirez filloi lufta çlirimtare. Ajo përfundoi në qershor të vitit 1999, kur edhe instalohet një mision i OKB-së në Kosovë.
Ky mision, keqtrajtoi në mënyra perfide ish luftëtarët e UÇK-së, lejoi krijimin e strukturave paralele serbe në Kosovë dhe ngulfati Kosovën ekonomikisht.
Kështu me 17 mars 2004, shpërtheu revolta popullore kundër UNMIK-ut, dhe protestuesit i sulmuan disa enklava serbe, duke i dhënë një mesazh të qartë faktorëve ndërkombëtar se: Nëse nuk zgjidhet statusi i shumicës, pakica në Kosovë është e pambrojtur.
Pasi që ky mesazh u kuptua shumë qartë, pasoi vizita e misionarit dhe diplomatit të njohur Kai Aide, i cili rekomandoi fillimin e përgaditjeve të menjëhershme për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kjo rezultoi me një proces të lodhshëm negociator, mes Serbisë, Kosovës dhe OKB-së, që rezultoi me propozimin Gjithpërfshirës të Ahtisarit.
Me 17 shkurt 2008, bazuar në këtë propozim, Kosova shpallet shtet i pavarur dhe sovran. Kushtetuta e Kosovës që i jep asaj të gjitha kompetencat e shtetit, hyn në fuqi me 15 qershor 2008.
Pas shpalljes së pavarsisë qëndrimi i shteteve anëtare të OKB-së është i ndarë. Shumica e shteteve të ritit lindor me siteme duale nacionalo-fetare si Serbia, disa shtete nacionale që kanë popullsi të kombeve etnike të ndryshme dhe probleme tjera të brendëshme, hezitojnë të njohin pavarësinë e Kosovës.
Lufta politike e kordinuar për pengimin e njohjes së shtetit të ri prej së jashtmi zhvillohet nga Serbia dhe Rusia, ndërsa nga brenda këtë e bënë kleri sllav i përçëndruar në veri të Kosovës. /Alfapress.al
-
Skemë kampionësh 5 tetor
5 Tetor, 18:28

Tokë e xanun? Po por nga Edi!
ide

Gjirokastra, qyteti që pret turistin si Krishtin, dhe e trajton si sheik

Ramështeti dhe Opozitëpengu!

top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128