Putin shpëtoi Ramën në pandemi, pse?!

12 Nëntor 2022, 14:19 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Putin shpëtoi Ramën në pandemi, pse?!

Edi Rama ka nisur që të vijë vërdallë nëpër Shqipëri, duke bërë fushatë elektorale me “opozitën e non ngratave dhe të rublave”. Po e përdorë Rusinë si sponsore të kundërshtarëve të vetë politik ndërkohë që është kthyer në aleatin e ngushtë, të aleatit më të ngushtë të Putin në Europë dhe Ballkanin Perëndimor, Aleksandër Vuçiç.

Në të gjithë forumet e fundit ndërkombëtare, kryeministri i Shqipërisë ka bërë alibinë e Serbisë për qëndrimin sabotues në këto kohë lufte që ky shtet po mban ndaj vendeve të Perëndimit, duke thyer vendimin për sanksione. Madje po ndodh e kundërta; Serbia që nga koha e luftës në Ukrainë është shndërruar në bazë e mijëra bizneseve ruse të cilët nëpërmjet këtij vendi aleat strategjik jo vetëm politik me Ramën, po thyen izolimin ekonomik të Putin.

I njëjti Edi Ramë që në Përmet, Gjirokastër, Dibër e çdo cep të Shqipërisë flet për opozitë të shitur te Putin, këtë të premte mu në qendër të Parisit e shpalli atë shpëtimtarë të Shqipërisë.

I ulur në një nga panelet e Forumit të Paqes, në krah të presidentit Macron duke vazhduar që të bëjë shakaxhiun nr 1 të këtyre eventeve të rëndësishme ndërkombëtare, ai e deklaroi “papritur” se ishte pikërisht Rusia e Putin që e kishte shpëtuar në kohën e Pandemisë, kurse BE dhe Perëndimi e kishin lënë në mëshirë të fatit.

Për një kohë të gjatë dëgjonim moton se duhet të punonin me Ballkanin Perëndimor, duhet të punojmë me këto vende ata krijojnë probleme, ne e bëjmë këtë sepse në të kundërt Kina, Turqia do të fusin duart në rajon…Por çfarë ndodhi? Pa Kinën Rusinë, Turqinë ne nuk do t’i kishim mbijetuar valës së parë të COVID sepse vaksinat nuk erdhën nga BE por nga këto tre vende”, tha Rama duke folur në emër të Shqipërisë anëtare e NATO dhe aspirante për anëtare e BE-së.

Këtë e tha pasi bëri “shaka” me presidentin Macron, duke ju lëpirë hapur dhe thënë, se ai është i vetmi që mund ta “përqafojë Putin dhe ta zgjidhe konfliktin në Ukrainë”. Presidenti francez pas kësaj u bë serioz dhe tha se përball Rusisë agresore, “duhet të jemi të gjithë bashkë”.

Vini re dhe lexoni me kujdes se çfarë ka deklaruar Rama në një forum të lartë si ai i Parisit: Që motoja e Perëndimit se Rusia fut duart në rajonin tonë është një farsë, e cila u rrëzua kur Putin shpëtoi nga virusi këto vende.

Po përse e ndihmoi Rusia, Edi Ramën?!

Kemi të bëjmë me një shtet human, i cili në Ukrainë po dërgon lule për fëmijët dhe të pafajshmit dhe jo bomba dhe varre masive?!

Përse e ndihmoi Putin Ramën, kur ndërkohë po armatos Serbinë dhe dërgon mercenarë të armatosur në Kosovë për ti vënë flakën?!

Apo është “shpëtimtarë” me grushtet e shtetit dhe bazat strategjike të spiunazhit që ka ngritur në Malin e Zi, me fitilin që ka shtrirë në Bosnje Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut?!

Pra kemi të bëjmë me një mister të madh për këtë “bujari”ndaj Edi Ramës nga njeriu që i ka shpallur luftë Perëndimit dhe Frontin e Dytë e ka ngritur në rajonin tonë, për ta kthyer sërish në një “fuçi baruti”.

Ky është një mister që fijet e zgjidhjes në fakt i ka jashtë, jo vetëm nëpërmjet ortakërisë okulte me Aleksandër Vuçiç, por edhe për shumë biznese të maskuara nëpër guaska!/Alfapress.al

 

Po ndodh...

ide