“Primaret” e opozitës, hileja dhe votimi që rrezikon ndasitë

Opozita është e dënuar që në zgjedhjet lokale të 2023-it, të dalë me një kandidat të vetëm. E kundërta thjesht do na sjellë një “6 Mars” të dytë. Asgjë më shumë, asgjë më pak. Në këtë kontekst, për Partinë Demokratike, mjafton që të jesh kundër Ramës, për të qenë mëse i mirëpritur në këtë “kartë bashkimi”. Madje, me pakëz hile, duke futur në mes edhe “primaret”, PD-ja po anashkalon disi edhe çdo negociatë të mundshme, të parashikueshme me partitë e tjera opozitare, qoftë kjo edhe PL-ja e Metës, për ndarje pushteti apo zona të lira kandidimi.
Është e qartë se PD-ja në këto zgjedhje dëshiron të vendosë diktatin, të paktën brenda opozitës, dhe me këtë lëvizje u ka dërguar sinjale të qarta edhe grupimit “Basha”. Paçka se më shumë se gjysma e grupit parlamentar nuk janë shprehur pro Berishës (por as pro totalisht Bashës), cyt liderin historik të selisë blu drejt zgjidhjeve me kokëfortësi. Berisha e di fort mirë se këta të fundit prej kohësh yshten drejt një negociate me të, me shpresën e një karriere më të gjatë politike sesa pranvera e 2025-ës, ndaj edhe si një politikan jo thjesht me eksperiecë, por me një pragmatizëm të theksuar, çka i mungonte jashtëzakonisht shumë Bashës, po mundohet të luajë fort me durimin e deputetëve “rebelë”, duke mos pranuar që të ulet në një tavolinë me ta, për të ndarë zona influence brenda PD-së.
Por, kush mendon, beson dhe pret se Berisha do të ndryshojë strategji, apo do të lëshojë pe, duke negociuar me ta, për hir të bashkimit të partisë, gabohet. Lideri i PD-së, më kollaj bën një pakt të fshehtë me Ramën, sesa të pranojë negociata me atë grupim që prej gati një viti e ka shantazhuar, duke i tunduar herë pas herë “kartën amerikane” të “non-grata”-s. Në këtë pikë, Berisha nuk di të falë. Ndaj, parashihet në vijimësi një PD me këtë linjë opozitarizmi, duke shpalosur herëherës sa për publik thirrje të tipit: “partia aty është, ejani dhe kontribuoni”!
Dhe këtu shpaloset “karta e primareve”. Këto janë vërtetë një shenjë e pastër demokracie, por në një vend si Shqipëria me këtë lloj kulture politike dhe mospranim rezultati nga kundërshtari, i bie të bëhesh më katolik sesa Papa. Shikoni, përderisa që prej 2008-ës, ne si shtet kryetarokracinë e kemi vendosur në Kushtetutë, duke ndryshuar në atë lloj mënyre ligjin zgjedhor, është paradoksale dhe gati-gati fyese, që tani po bën primare, sikur po i jep më shumë fuqi anëtarit të partisë. Kjo është të tallesh me inteligjencën e njerëzve, qofshin këtë edhe me “IQ” modeste.
Pikë së pari sepse politikani ynë, sidomos ai rural, e ka gati të pakoncetueshme pranimin e rezultatit të një votimi. Dhe kur kjo gjë bëhet brenda për brenda familjes, atëherë ky lloj inati heraherës merr përmasa ndasie totale. Së dyti, nuk ka sens të bësh primare përtej forcës tënde politike, sidomos në një koalicion tejet të gjerë që fillon nga një e majta tipike si “Agrarja” e Dukës, tek radikalët e djathtë të Ballit Kombëtar. Kush garanton që në një garë të tillë nuk shkojnë të votojnë kandidatin më të dobët, edhe persona që jo thjesht nuk e kanë votuar ndonjëherë këtë opozitë, por më keq akoma, votojnë rregullisht PS-në?!
Së treti, nuk ka arsye që ne të shpikim për të kuptuar se cili është kandidati më i mirë i opozitës përballë atij të mazhorancës. Mjafton një sondazh serioz në çdo bashki, me disa emra kandidatësh, për të qartësuar kësisoj jo vetëm emrin e kandidatit, por më së shumti për të mos cytyr një lloj “lufte të brendshme”, që doemos e sjell gara e primareve. Opozita, me çka ka kaluar që prej 25 prillit 2021 është mjaftueshëm e dërrmuar, për të mos i vënë edhe më shumë “gishtin në plagë”.
Por, nga ana tjetër, organizimi i “primareve” i jep një lloj kredibiliteti Berishës përballë grupimit “Basha”. Çfarëdolloj vendimi që do marrë Gjykata e Apelit (edhe sikur vulën t’ia japë Alibeajt), lideri i selisë blu do të mbrohet pas kësaj gare, duke pretenduar që kandidatët e “primareve” janë legjitimë, të dalë nga vota e demokratëve në veçanti dhe opozitarëve në përgjithësi. Kësisoj, Alibej me shokë mund të kenë vulën, por asesi parti.
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
