Pranimi i fajësisë së McGonigal në Uashington prodhoi pafajësinë e Bashës në Tiranë

23 Shtator 2023, 17:55 / IDE NGA BERSART LOGU

Pranimi i fajësisë së McGonigal në Uashington prodhoi

Pranimi i fajësisë në Washington prodhoi pafajësi në Tiranë!

Ashtu siç pritej, për ish kreun e FBI të New Yourk, edhe çështja në Washington u mbyll me pranim të fajësisë.

Akt ky sa procedurial që i lehtëson pozitat penale aq edhe profesional që ruan integritetin e institucionit ku punoi, duke shmangur kështu një gjykim normal, me prova e dëshmitarë, që për opinionin publik, atë shqiptar e amerikan, do të shërbente si lëndë e parë për të denigruar punën dhe goditur besueshmërinë e një prej institucioneve më serioze në SHBA, FBI.

Si gjithmonë, mediat tona, ato pranë pushtetit dhe të familjes Berisha, i shkojnë tangent të vërtetës.

Të parat shprehen se McGonigal u dënua vetëm për mosdeklarimin e 225 mijë dollarëve.

Pa përmendur se kush ia dha këto para dhe në funksion të çfarë. Ndërsa grupi i dytë, bën përgjegjës Edi Ramën se është investuar për të dëmtuar opozitën, pa përmendur emrin konkret të Lulzim Bashës, si qëllim i parë dhe i vetëm i iniciuesit të kësaj historie, madje pa përmendur asnjë nga bashkëpuntorët e tij në këtë skandal, as personin A dhe as personin B, lidhje të hershme të politikanit SB dhe atij IM.

Fatmirësisht, integriteti i institucioneve amerikane dhe aftesia e tyre për të dalë mbi palët, bëri që të zbardhet e vërteta të cilën nuk e zbuloi dot as Mother Jones, as prokuroria shqiptare e as Komisioni Mandia. Hetime këto që u ngritën më tepër për të përforcuar akuzat politike sepse akuzave penale nuk i shkonin dot deri në fund. Jo se nuk kishin çfarë të zbulonin por do të zbardhnin skemën e plotë të këtij skandali të paprecedentë.

Sot, i madh e i vogël, kushdo që përdor një minimum logjike, ka kuptuar se çështja McGonigal ishte një tentativë e Edi Ramës për të izoluar ndërkombëtarisht Lulzim Bashën duke stisur një hetim me prova të parafabrikuara nga Neza i Berishës dhe nga Duçka i Metës.

"Lobimi rus", akuzë e artikuluar nga taulantballët e politikës shqiptare, rilindas e foltorist, rezultoi një fluskë sapuni. Retorikë tipike e politikës së tranzicionit, model të cilin Lulzim Basha ka marrë përsipër ta luftojë. Pranimi i fajësisë nga ana e McGonigal, çka sjell si pasojë pafajësinë e Lulzim Bashës për çështjen e ndikimit rus, padiskutim duke rrëzuar edhe akuzat berishiste për pengmarrje nga Rama, janë gurëthemeli dhe baza morale e rikthimit të Lulzim Bashës në politikën aktive duke u ofruar si alternativë qeverisëse.

Po ndodh...