Kush fshihet në të vërtetë pas vendimit që rrëzoi Zhukrin?

4 Mars 2023, 13:49 / IDE NGA RED VARAKU

Kush fshihet në të vërtetë pas vendimit që rrëzoi

Vendimi i Gjykatës së Apelit dhe prania deri në fund të procesit e përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane është sinjal i qartë që vendimi që u mor dje jo vetëm që është një vendim i drejtë nga pikëpamja juridike, por njëkohësisht është pa dyshim edhe shprehje e një vullneti të palëkundur të SHBA-ve.

Kështu është e qartë që ai ishte vetëm një prej akteve të rëndësishme të strategjisë Amerikane që tenton asgjësimin e armiqve të Perëndimit dhe synon demokratizimin e Shqipërisë si një prioritet gjeostrategjik i tyre.

Kjo sepse të gjithë e dimë që Reforma në Drejtësi është produkt i drejtëpërdrejtë i vullnetit të SHBA-ve si i vetmi instrument i tyre për të shkatërruar mekanizmin që ka marrë peng demokracinë.

Kjo Reformë është bisturia që ata po përdorin për operacionin politik më të rrezikshëm që ata po ndërmarrin për zhbllokimin e sistemit politik të kapur aktualisht nga korrupsioni tridhjetë vjeçar i tranzicionit.

Them operacion i rrezikshëm, sepse metastazat e “kancerit” politik janë shpërndarë në të gjithë trupin dhe kanë prekur dhe “organe” të tjera.

Të gjithë e dimë që të dy protagonistët kryesorë të tranzicionit politik të Shqipërisë Sali Berisha dhe Edi Rama akuzohen nga SHBA-të për korrupsion dhe minim të demokracisë, çka do të thotë që jo vetëm janë të izoluar dhe nuk kanë më asnjë mbështetje ndërkombëtare , por rrezikojnë edhe ndëshkim penal.

Në këtë kuptim nuk ka dyshim që pas shënjestrimit të metastazave të deformimit politik të tranzicionit ,vjen eliminimi i tyre përfundimtar, i cili është thjesht çështje kohe, sepse vendimi tashmë është marrë.

Pretendimi për t’i dalë në mbrojtje demokracisë duke sulmuar arkitektët dhe sponsorizuesit kryesorë të saj dhe mbrojtësve kryesorë të interesave të kombit tonë prej themelimit të tij në 1912, përveç se është tradhëti ndaj idealeve dhe vlerave mbi të cilat u themelua PD , është një pabesi ndaj interesave tona kombëtare, aq më tepër kur ky pretendim vjen pikërisht nga përgjegjësit kryesorë të degradimit aktual të demokracisë.

Ndaj, çdo përpjekje për të maskuar betejën me SHBA-të nën pretendimin që pas vendimit qëndron Rama, kur dihet që ky i fundit është vetë nën akuzë nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë dhe kur dihet që Reforma në Drejtësi është krijuar pikërisht për të egzekutuar triniterin e zi të tranzicionit , thjesht i shton agoninë PD dhe jetëgjatësinë Edi Ramës./Shkruar posaçërisht për Alfapress.al

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128