Kërkohet lidership i fortë!

“Ose deti është i shtrembër, ose ne s’vozisim drejt!”
Kjo shprehje ka kohë që më vërtitet në mendje. Sepse sot, në Shqipëri, situata nuk është e nevojshme t’u nënshtrohet shumë interpretimeve. Nëse dikush merr mundimin dhe ka gjakftohtësinë për t’i parë me realizëm faktet, mund të kuptojë nëse anija jonë është në rrugën e duhur, apo nëse po lëkundet rrezikshëm mes dallgëve dhe kuverta e hambaret e saj po mbushen me ujë.
Shqipëria po fundoset! Për shkak të kapitenëve të paaftë, të pafrymëzuar, joprofesionistë, meskinë e të shkëputur nga shoqëria, fundi duket se do të jetë i hidhur! Shqipëria ka vuajtur nga mungesa e lidershipit këto 34 vite.
Jo se nuk kemi pasur liderë, por sepse liderët tanë, më tepër se për popullin e Shqipërinë kanë menduar për vete dhe enturazhin e tyre të ngushtë politik e ekonomik!
Në këto 34 vite, kur duhet të kishte shpërthime shpirtërore, morale dhe aty ku duhet të shkëlqente virtyti, shpërthen “vrima e zezë” e manipulueshmërisë, dashurisë për partinë mbi Shqipërinë, cinizmit dhe moskokëçarjes ndaj përditshmërisë së qytetarëve.
Nëpër televizione promovohen figura të dyshimta dhe ruhet establishmenti i tranzicionit tonë të tejzgjatur, duke fshehur të vërtetën tragjike të një shteti, i cili po shembet. Të një shteti ku qytetarët largohen masivisht jo vetëm për shkak të pamundësive ekonomike e mungesës së shpresës, por edhe për shkak të neveritjes nga ky sistem politik i kalbur, i cili edhe kur bën rotacion, thjesht mban veten në shpinë të qytetarëve!
Publikimi i censit 2023 tregoi se popullsia është në pikiatë të lirë. Mungesa e lidershipit të drejtë politik na ka sjellë deri në atë pikë, që të numërojmë humbjet e luftës në kohë paqeje! Afërsisht gjysmë milioni shqiptarë janë ata, që për shkak të krizës ekonomike kanë emigruar jashtë vendit. Lindshmëria e ulët po than trungun kombëtar.
Sovraniteti kombëtar nuk ekziston.
Shqiptarët janë lënë aq shumë në hallin e tyre sa një shi i imët mbyt qytetet, një zjarr djeg qindra hektarë derisa shuhet vetë, turizmi nuk ka plan, kryetarët e partive u imponojnë partive të tyre t’i bien fyellit në të njëjtën vrimë pa pasur kauza, ose me të vetmen kauzë- pasurimin galopant, krimi përfshin çdo centimetër katror të Shqipërisë dhe udhëheqësit politikë, ndërsa mbështetësit piqen në diell apo ngrijnë në të ftohtë, bëjnë pazare pushteti, pastrimi paraje e ndërtime kullash.
Për të gjitha sa më sipër dhe shumë të tjera, nevojitet urgjentisht një LIDER! Shqipëria ka nevojë imediate për një staturë lideri, i cili ndoshta nuk ka ekzistuar më parë në Shqipëri, por që do të marrë frenat e pushtetit politik dhe do të shpëtojë atë që mund të shpëtohet duke i dhënë kurajo, frymëzim dhe shembullin e tij të mirë personal popullit tonë. Të rrëzojë gjithçka dhe të ndërtohet përsëri!
“Elitës” intelektuale eufemiste të Shqipërisë, e cila varet gjithmonë nga paratë publike, i pëlqen gjysmëzgjuarsia, evazioni i fjalëve dhe marrëdhëniet publike me ata që kanë shkatërruar kombin dhe popullin. Prandaj, kjo elitë përpiqet të kalojë idenë mashtruese se “fajin e ka sistemi”.
Koncepti djallëzor i sofistikës ky!
Sikur “sistemi” famëkeq u bë vetë apo u ul në vetë këmbëkryq në Shqipëri. JO! Këtë “sistem” e ndërtuan pikërisht këta politikanë, të cilët sot janë pengesë e së resë!
Politikanët tanë na mbytën me projektligje, dekrete presidenciale, nene kushtetuese dhe morën dritën jeshile nga kryeministrat dhe kryetarët e partive të tyre për ta bërë këtë gjë. Por shqiptarët sot meritojnë më shumë kërkojnë lidership të ri e të përgjegjshëm, sepse ndryshimin e fytyrave ndryshon edhe “sistemi”.
Vetëm një lider i ri, i vërtetë e me plan kombëtar, njohuri, epërsi morale e politike, vizion të qartë e të pastër për qytetarët, me mbështetje pa rezerva e ekuivoke të drejtësisë, i mbështetur nga ndërkombëtarët, mund të na nxjerrë nga balta që na mbyt, të na shpëtojë nga meskinët që prezantohen si... udhëheqës dhe të tjerët bëjnë sikur i besojnë. E vërteta e hidhur është se me liderët ekzistues kemi arritur në zgrip të Historisë.
Një lidership i aftë mund të bënte shumë për Shipërinë, nëse do të kishte mjetet për ta bërë këtë. Pa i lidhur duart me ligjet që votojnë bashkë mazhorancë e opozitë, e që, në fakt, mbrojnë korrupsionin e promovojnë pandëshkueshmërinë. Për t’i krijuar mundësinë Drejtësisë së re që të vendosë drejtësi kundër të gjithë atyre politikanëve të zgjedhur dhe të pavotuar, që kanë punuar e punojnë kundër Shqipërisë e shqiptarëve.
Një lidership që të luftojë të përgjigjen përpara ligjit të gjithë ata, të cilët janë pasuruar padrejtësisht, duke shfrytëzuar politikën, lidhjet me krimin dhe paragrafët e ligjeve të qepura nga vetë ata. Shqipëria ka nevojë për lidership të ri për të rindërtuar vendin mbi themelet e duhura. Pa pengesa partiake e “korniza ideologjike” dhe, mbi të gjitha, për t'i dhënë fund paligjshmërisë e pandëshkueshmërisë.
Ligji dhe zbatimi i tij janë shpëtimi i vendit! Nuk ka rrugë tjetër. Mirëpo, që një lidership të mund t'i rrëzojë dhe të rindërtojë, ai duhet të jetë i shkëputur nga sistemi korruptiv ekzistues. Nga partitë e vjetra ekzistuese, të cilat ruajnë status- quonë, dhe që e kanë shndërruar shtetin në një makineri gjigande, një pronë private, që me taksat e shqiptarëve ndërton pushtetin okult më të korruptuar e të pashpresë për shqiptarët në Europë.
Gjetja e një lidershipi politik e kombëtar të denjë për Shqipërinë nuk është thjesht një dëshirë, por kusht për mbijetesën tonë dinjitoze. Dhe një lidership i tillë duhet të mbështetet nga të gjithë...
Sepse shumica e shqiptarëve duan ndryshim, alternative të re e shpresëdhënëse. Që tranzicioni i tejzgjatur të marrë fund dhe fëmijët tanë të mos vuajnë një tjetër tranzicion të ardhshëm 34 vjeçar!...
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
Kush është Lepuri i Surrelit?
Dy rrugët e gabuara të opozitës me Avokatin e Popullit
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

