26 maji 1996-maskarada që nuk duhet harruar kurrësesi

27 Maj 2023, 15:16 / IDE NGA SELIM KURTI

26 maji 1996-maskarada që nuk duhet harruar kurrësesi
Atë pranverë të zymtë të 1996-ës, ai - gogoli - përgatiti, frymëzoi dhe realizoi skenarin e kobshëm të dhunimit banditesk të zgjedhjeve.

Me shantazh policor në çdo skutë e kthesë rruge për te qendrat e votimit, me shtetrrethim, me zhvatjen e votave nga kutitë dhe hedhjen në përrua të vullnetit të njerëzve, si dhe zëvëndësimin me tufat e fletëve të paraplotësuara në shtëpitë e talebanëve lokalë dhe të sjella në qendrën e votimit me çanta të posaçme meshini.

Me rezultate te “lakmueshme”: 100-120%!!!

Një tallje, poshtërim e sakatim që nuk ishte parë kurrë ndonjëherë në historinë tonë të shekullit të fundit!

Me përndjekje, burgosje, thyerje kockash (e dhëmbësh) e gjak nëpër sheshe.

Këtë pranvere, ende të mjegullt, të vitit 2023, “dashnori i madh i zgjedhjeve të lira” po përgatit dosjet e “fakteve” për blerje, manipulime, presione e mashtrime.

Pas humbjes së mnershme me atë specialistin e “degustimit” te floririt!

Duke sajuar të gjitha “komplotet” e mundshme që mund të pjellë një mendje e degraduar paranojake.

Vetë kryeparanojaku kronik E. Hoxha do ia kishte zili këtë fantazi haluçinante me armiq, komplote, krime, terror, shantazh, vjedhje, kërcënime e makinacione.

I dëshpëruar deri në marrëzi që provat nuk janë e nuk kanë se si të gjenden, është gati të besojë e të reklamoje si “krime” traktet tallëse që i dërgojnë “ithtarët”: një këngëtar e pagëzon si keqbërës politik të majtë; një tjetër që ia kanë dërguar për gallatë, e merr si kriminel që ka vrarë e prerë.

Çfarë nuk po i punojnë këtij plaku të mbaruar, të rrjedhur e të damkosur me vulë sterrë të zezë në ballë e që po e sheh me sytë e vet të skuqur fundin e vet të tmerrshëm.

Po që insiston të vdesë mbi kalë, si Don Kishot mesjetar, duke luftuar me tërbim me mullinjtë e erës.

Ky kalorës i fytyrës së vrerosur, i diskreditur në maj 1996, i nxirë blozë në vitin e errët 1997, i ikur si qen i pshurrur - me bisht ndër shalë - më 14 shtator 1998, i karbonizuar si famëkeqi i opozitës së molotovëve e të anarkisë, i bërë shoshë nga afera e krimit shtetëror të Gërdecit, të 15 marsit 2008; i varrosur politikisht nga vrasja gjakftohtë e bulevardit “Dëshmoret e Kombit” (me çadra pistoleta …) dhe i përçmuar si tutori i hajdutëve ordinerë të skotës së kamorristëve si I. M., i ka ditët të numëruara. Game is over!

Kryearkitekti bolshevik i një qeverisjeje politike përçarëse, diskriminuese, krahinore, ideologjike, përjashtuese e urrejtëse, është drejt agonisë së pakthyeshme.

Si në historinë e një ylli qiellor, ky bajloz i zi që ka kërkuar aq flijime ndër ne, ky inxhinier “pjellor” i çdo fëlliqësie që është kurdisur në kurrizin e shqiptarëve, ky shpifës aq i palodhur e patologjik ndaj kundërshtareve (duke u hequr edhe si “gardian i patriotizmit”), po “gëzon” fundin e merituar të “xhuxhit të zi”: i paaftë të emetojë më dritë dhe nxehtësi dhe i destinuar të përfundojë në një vrimë të zezë kozmike.

26 maji 1996-maskarada që nuk duhet harruar kurrësesi

26 maji 1996-maskarada që nuk duhet harruar kurrësesi

26 maji 1996-maskarada që nuk duhet harruar kurrësesi