“Kur ia bëjnë Erionit, imagjino qytetarëve”, përplasjet e Ndrecës në gjyqin për Veliajn në GJKKO: Sagë shkeljesh të të drejtave

2026-03-25 10:59:23 / POLITIKË ALFA PRESS

“Kur ia bëjnë Erionit, imagjino qytetarëve”,

Është mbajtur dje në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion gjyqi në themel për Erion Veliajn dhe 29 të pandehur e tjerë në këtë dosje.

Seanca u shoqërua me debate që në nisje, pasi kryetari i bashkisë Erion Veliaj kishte marrë si avokat mbrojtës Plarent Ndrecën, ish-deputet i Partisë Socialiste.

Kjo është kundërshtuar nga SPAK, i cili i ka kërkuar GJKKO që Ndreca të mos e përfaqësojë Veliajn pasi ka konflikt interesi sepse është marrë në pyetje si person që ka dijeni lidhur me hetimet e personave të kësaj dosjeje. Por GJKKO ka gjykuar që në këtë fazë, Ndreca mund të vijojë me mbrojtjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë, Ndreca gjatë seancës i është drejtuar Gjykatës duke i kërkuar që klientit të tij t’i vihen në dispozicion aktet e dosjes, pasi pretendon se nuk i ka marrë.

Sërish përplasje me SPAK në këtë pikë, pasi Prokuroria e Posaçme thotë se fashikujt i janë dorëzuar, por se Veliaj i ka refuzuar e madje ka fyer edhe prokurorin Ols Dado.

Ndreca u shpreh se aktet kërkojnë që t’i marrin me inventarizim, pasi sipas tij aktet nuk janë vënë në dhomën ku bëhen pritjet, por i kanë shkuar në qeli në mënyrë të paautorizuar.

Pjesë nga debati mes Ndrecës dhe prokurorëve në sallën e gjyqit në GJKKO, seancë e cila u shty për në datën 1 prill:

Ndreca: Janë dërguar aktet në institucionin e paraburgimit në Durrës, por nuk ka kanalizuar procesin që ka urdhëruar gjykata. Pra, njohjen me inventar për secilën prej 60 mijë akteve që pretendohet që janë në atë dosje. Ne jemi këtu, si mbrojtje, për të garantuar proces të rregullt ligjor, proces kushtetues. Mendoj se është në interesin e kujtdo që në çdo proces penal të garantohen të drejtat Kushtetuese. Për më tepër, një proces që në fakt, më shumë se proces individi është një proces që teston vetë sistemin gjyqësor, dhe respektimin nga ky i fundit i rregullave kushtetuese, i ligjit të procedimit penal dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Nëse kjo ndodh për krye-qytetarin e Tiranës, sigurisht që çfarë mund të presësh për qytetarët e tjerë që nuk e kanë këtë hapësirë publike, të cilën ju ia keni vënë në dispozicion.

Veliaj ka kërkuar më jepni aktet në inventar që unë të di se çfarë kam marrë në dorëzim dhe ju të dini çfarë unë kam marrë në dorëzim. Një gjë e tillë nuk është bërë dhe sigurisht, ka prodhuar një reaksion nga z. Veliaj. Aktet nuk janë vënë në dhomën ku bëhen pritjet, por i kanë shkuar në qeli në mënyrë të paautorizuar. Pa njoftuar as avokaten e caktuar kryesisht, pa njoftuar edhe z. Veliaj, dhe në një moment të caktuar i është kërkuar të njihet me aktet. Pas 2-3 ditësh unë kam shkuar vetë prezent. Kam kërkuar nga institucioni i paraburgimit vendosjen në dispozicion të akteve. Një gjë e tillë nuk është bërë e mundur. Më është thënë që ose do i merrni të gjitha kështu, ose ndryshe nuk i merrni. Pavarësisht se sot gjykata ripërsëriti të drejtën e Veliajt për të marrë aktet, përsëri unë nuk di se kujt t’ia marr në dorëzim. Sepse asnjë nga ata nuk pranojnë që të na i japin në dorëzim me një procesverbal dhe me një inventar.

Besoj se saga që ju përmendni me të drejtë është në dëm të zotit Veliaj. Kjo sagë është filluar jo nga z. Veliaj, është filluar nga prokuroria. Dhe kjo sagë është e gjitha në dëm të drejtave të zotit Veliaj, dhe në dëm dhe të qytetit të Tiranës.

Kjo nuk do të thotë që ne të anashkalojmë procese që janë të mirënjohura dhe të përcaktuara tashmë në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në Kushtetutë dhe nga e cila buron dhe e drejta për t’u njohur siç duhet me aktet dhe garantuar mbrojtjen. Unë do pres se si do e manxhojë këtë dhënien e akteve, përsëri Prokuroria apo institucioni i paraburgimit. Ne kemi gjithë vullnetin e plotë për t’i marrë aktet, për të qëndruar aty dhe për t’i marrë aktet siç duhet, në mënyrë që ne të bëjmë verifikimet tona. Pra, kjo është pjesë e një mbrojtje efektive.

Gjykata tha ka një inventar. Inventar i cili nuk na është bërë i ditur dhe ky inventar duhet të çekohet. Pra, dakord, paska një inventar, që ne nuk e dimë a ka një inventar, por meqë Gjykata e tha, dakord! Atëherë, le ta çekojmë! Të vihet dikush, në prezencën tonë dhe çekon, inventari i dosjes, nëse janë vërtet apo jo sipas inventarit të dosjes, sepse patjetër që ekziston mundësia që mund të mos jenë, mund të mos jenë në përputhje me inventarin. Këtë po kërkojmë, pra inventarizimin qoftë referuar inventarit të Prokurorisë por me check-in, qoftë me inventarizim përsëri me Prokurorinë. Ne nuk po e bëjmë vetëm këtë proces.

Pyetje: Dy prokurorët e SPAK lexuan proces-verbalin e BKH mbi sjelljen e të pandehurit, kryebashkiakut të Tiranës, gjatë momentit të dorëzimit të këtyre fashikujve. A jeni në dijeni për ato që prokurorët lexuan në Gjykatë mbi ofendimin e prokurorëve?

Ndreca: Ai është një proces-verbal i njëanshëm, i mbajtur nga njëra prej palëve, asaj pale që sot përfaqëson akuzën, por prokurorët nuk thanë se çfarë sjellje kanë bërë oficerët e Policisë Gjyqësore; nuk thanë që oficerët e Policisë Gjyqësore kanë shkuar pa njoftim te z. Veliaj, pa njoftim të avokatit kryesisht dhe në qeli. E përsëris, në qeli. Në mënyrë të paautorizuar, në qeli nuk shkon askush, nuk lejohet të hyjë askush.

Pyetje: Pse e kanë bërë prokurorët në mënyrë të njëanshme, sipas jush?

Ndreca: Procesverbali është i njëanshëm, është firmosur vetëm nga ata. Nuk ka firmë as nga avokati i z. Veliaj, as nga vetë Veliaj, që do të thotë që ai nuk është akt i cili mund të konsiderohet si….

Pyetje: Është shkruar në vendim gjykate, që duhet të jetë edhe avokati i pranishëm?

Ndreca: Avokati asiston kudo klientin, për më tepër në çështje të kësaj natyre që është një proces masiv i marrjes së akteve, verifikimit të akteve, vlerësimit të natyrës së aktit dhe për rrjedhojë, sigurisht që edhe i pandehuri ka të drejtë të kërkojë në çdo moment asistimin juridik nga një mbrojtës dhe nuk është në vullnet. Është detyrë e organit, që ka marrë përsipër ta njohë me aktet.

Pyetje: A ka detyrim z. Veliaj që ky proces të vijojë në mënyrë të arsyeshme dhe të shpejtë?

Ndreca:  Jo, Gjykata dhe prokuroria kanë detyrimit që t’i garantojnë z. Veliaj një proces të rregullt ligjor. Jo të garantojë proces të shpejtë! Proces të rregullt ligjor. Ka vullnet për të bërë çfarë Kushtetuta thotë dhe ligji thotë. Kushtetuta dhe ligji thonë: Proces i rregullt ligjor, jo proces i shpejtë ligjor!

 

Happening now...

ideas